Zbulohet varri politik që Edi Rama i ka hapur vetes dhe bën sikur nuk e sheh!

730
Sigal

Edi Rama po e trajton 30 qershorin, si diçka tashmë “të kaluar” dhe kohën që po rrjedh pas ditës kur për herë të parë pas 30 vitesh u rikthyen në Shqipëri votimet moniste, si një “normalitet.

Kryeministri vazhdon që ta trajtojë këtë kohë absurde politike me institucione të rëna dhe me qeveri lokale, ku populli përfaqësohet në vetëm 15% dhe nga vetëm një parti, si një “demokraci”, edhe pse duke nisur që nga raporti i OSBE dhe deklarata e fundit të Ndihmës Zv. Sekretarit të Shtetit, Palmer, në emër të Departamentit të Shtetit, 30 qershori, konsiderohet si një shtrembërim i rëndë i demokracisë funksionale.

Por duket që kjo “ecje përpara” e Edi Ramës, duke këmbëngulur që të legjimitojë një palë zgjedhje jo vetëm të pa dekretuara, jo vetëm anti kushtetuese, por edhe të refuzuar nga 85% e votuesve, ka për të qenë edhe varri i tij politik.

Këtë e ka thënë sot me bindje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili nuk po tërhiqet asnjë centim nga kauza që nisi që në 16 Shkurt për të rrëzuar sistemin korruptivo-mafioz, që ka instaluar Rilindja që prej 6 vitesh në pushtet.

“Një proces që është nul dhe kriminal nuk mund të prodhojë asgjë të ligjshme. Shumica dërrmuese e refuzoi dhe shumë nga ata që detyroi me forcë, iu përgjigjën duke i bërë votat të pavlefshme. Vlora 14%, Berati 14%, Durrësi 13.5%, Korça 14%, Shkodra 6%. Refuzimi popullor ka qenë plebishitar. 30 qershori është dërrmimi më i madh politik dhe moral i ndonjë pushteti në këto 30 vjet. U faktua ajo që ne paralajmëruam: Është varreza politike e Edi Ramës”, ka përcaktuar fatin e shpejtë të Ramës, Lulzim Basha.