Zbulohet skandali me mësuesit e pasiguruar

466
Nga LINDITA MALO
Në Librazhd 47 arsimtarë, prej 7 muajsh pa sigurime shoqërore. Drejtori i Tatimeve në Elbasan zbulon rastin, por largohet të nesërmen
E ndërsa situata politike mbetet e nxehtë dhe deri sot pa rrugëzgjidhje, duket se ata që përfitojnë nga rrumpalla institucionale janë si gjithmonë “ajka” e drejtuesve, zyrtarëve dhe atyre që përkëdhelen dhe mbrohen nga politika. Një hije skandali është dekonspiruar nga një zyrtar i Zyrës Arsimore në Librazhd, që ka të bëjë me mashtrimin e derdhjes së sigurimeve ndaj mësuesve. Një burim i besueshëm nga Zyra Arsimore Librazhd i tha dje “Telegraf” se “janë 47 mësues që prej 7 muajsh nuk u paguhen sigurimet shoqërore. Kjo gjë pas sinjalizimit zyrtar, ka qenë në fokus edhe të Drejtorisë Tatimeve Elbasan, por kur u zbulua kjo shkelje ligjore, qysh të nesërmen larguan pa asnjë motivacion kreun e degës, ndërkohë që nuk dihet se çfarë rruge ligjore do të ndjekin mësuesit të cilët punojnë në të zezë, dhe që u janë mbajtur paratë e sigurimeve shoqërore”. Prej disa ditësh lajmi u përhap edhe në shkollat e rrethit Librazhd , atje ku edhe punojnë aktualisht 47 mësuesit dhe pas habisë së madhe shokuese, deri sot ata kanë mbetur me shpresën se “një ditë Zyra Arsimore Librazhd do t’u paguajë detyrimet financiare të sigurimeve”. Zyrtarët dhe inspektorët e Zyrës Arsimore Librazhd nuk guxojnë të flasin, po ashtu edhe vetë mësuesit që realisht nuk fugurojnë të jenë siguruar nga ky institucion, pasi mund të flaken nga puna. Sipas të njëjtit burim mësohet se “disa prej mësuesve sapo morën lajmin, janë nisur drejt Drejtorisë Tatimeve në Elbasan, për të mësuar të vërtetën, por atje ata mësuan se për këtë fakt sapo kishin shkarkuar drejtorin e komanduar nga Tirana, i cili kishte urdhëruar hetim të plotë”. Realisht dega e Tatim-Taksave Elbasan, ka mbetur pa kokën drejtuese, ndërkohë që numri dosjeve me probleme ligjore atje ka vajtur në mbi 3160 të tilla, duke akumuluar një ngarkesë të madhe, e cila kërkon kohë për zgjidhje ligjore. Të 47 mësuesit e shkollave të Librazhdit, i bëjnë thirrje “Ministrisë Arsimit e Sporteve, zonjës Nikolla të sqarojë me urgjencë situatën dhe problemin e tyre, të nxjerrë autorët para ligjit, pasi është abuzuar me paratë e rrogave të tyre”. Një prej mësueseve u shpreh se “përgjegjësia kryesore duhet të bjerë mbi drejtoreshën e Zyrës Arsimore Librazhd dhe mbi degën e Financës, e cila duhej ta kishte denoncuar skandalin qysh muajin e parë, dhe të mos kishte heshtur, pasi ne kërkojmë të drejtën tonë, të na paguhen sigurimet deri në qindarkën e fundit, ndryshe do ti drejtohemi organeve gjyqësore”. Sikur të mos mjaftonin firmat dhe bizneset private, të cilat janë sot më të akuzuarat për fshehjen e sigurimeve dhe mosmagepsat e tyre ndaj punëtorëve që kanë, së fundi skandali ka prekur edhe mjaft institucione të shtetit, dhe ato arsimore nuk janë të vetmet. I takon organeve kompetente, duke nisur nga Ministria Arsimit dhe Sporteve, Tatim-Taksat, dhe organet e drejtësisë të vërtetojnë me fakte vërtetësinë e skandalin të denoncuar nga një prej zyrtarëve të ZA Librazhd, dhe të ndalen gjatë në marrjen e masave administrative dhe ligjore. Më tepër se kurrë, çdo qytetar i punësuar në institucionet e shtetit, duhet ta ndjejë vehten të sigurtë dhe të mbrojtur nga mashtrimet dhe abuzimet e çdo drejtuesi, në rast të kundërt duhet thënë se shtetin e kanë marrë peng zhvatësit e pangopur që shkelin çdo ditë ligjet kushtetuese.
Sigal