Zbulohet plani: Si do të kontrollohen 10 mijë policë

85
Zbulohet projekti: Si do të kontrollohen 10 mijë policë
Prej janarit 2018, uniformat blu do të kalojnë në sitë. Një komision i posaçëm do të analizojë integritetin, pasurinë dhe profesionalizmin. Kush nuk kalon vetingun, largohet
Ministria e Brendshme po përgatit një proces të veçantë kontrolli për 10 mijë punonjësit e Policisë së Shtetit. Duke filluar nga janari 2018, të gjithë uniformat blu do t’i nënshtrohen një skaneri të plotë, që pritet të largojë shumë prej tyre nga detyra. Sipas burimeve, ky kontroll do të bazohet në 3 shtylla, si integriteti, pasuria dhe profesionalizmi. Të gjithë punonjësit e policisë do të përfshihen në një proces të deklarimit të pasurisë, që më pas do të jetë pjesë e kontrollit të ekspertëve përkatës. Pamundësia për të justifikuar pasurinë, veçanërisht për drejtuesit e lartë të policisë, do të një element ndëshkues për ta. Gjithashtu, për secilin prej oficerëve dhe policëve do të bëhet shqyrtimi i dosjes përkatëse për të parë aftësitë profesionale dhe integritetin që ata gëzojnë. Burimet sqarojnë se bashkimi i të tre këtyre komponentëve (pasurisë, integritetit dhe profesionalizmit) do të japin një vlerësim për secilin nga pjesëtarët e Policisë së Shtetit. Ky vlerësim pritet të përcaktojë nëse punonjësi i kaluar në procesin e vetingut do të mbetet ose jo në radhët e uniformave blu. 

Me urdhër të ministrit Xhafaj, një grup i posaçëm pune në Ministrinë e Brendshme po përgatit procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme e Ankesave në Ministrinë e Brendshme. Ky grup pune ka për objekt kryerjen e analizave sa më të plota të situatës aktuale dhe evidentimin e problematikave. Gjithashtu, sipas urdhrit, grupi i punës do të bëjë edhe hartimin e një dokumenti për objektivat e procesit të vetingut, si dhe vlerësimin e mënyrës së organizimit dhe mekanizmat e veprimit të këtij procesi brenda muajit nëntor. Përfaqësues të misioneve të asistencës së Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara do të përfshihen në këtë proces. Megjithatë, jo gjithçka do të përfundojë këtu, pasi për të realizuar vetingun në polici do të jenë të nevojshëm shumë ndryshime ligjore dhe të vendimeve të qeverisë. Pasi kjo paketë të jetë plotësuar, atëherë një komision i posaçëm do të nisë procesin e verifikimit. 

Një proces i ngjashëm me atë që pritet të nisë për punonjësit e policisë është duke u zbatuar tashmë për prokurorët e gjyqtarët. Megjithatë, numri i uniformave blu është disa herë më i lartë se ai i punonjësve të drejtësisë, ndërsa akuzat ndaj tyre janë bërë së fundmi pjesë e debatit politik. Sipas hetimeve të prokurorisë, shumë prej punonjësve të policisë kanë rezultuar të përfshirë në lejimin e mbjelljes dhe trafikimit të kanabisit në vitet e fundit. Bashkëpunimi i strukturave policore me elementët kriminalë është duke u hetuar nga prokuroria. Gjithashtu nën hetim është vendosur edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili akuzohet ndër të tjera edhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, me synim trafikimin e sasive të mëdha të drogës drejt Italisë. Në vitet e fundit, Shqipëria u shndërrua në një prodhues masiv të kanabisit, duke sjellë shumë shqetësim edhe për vendet fqinje, ku kjo lloj droge dërgohej për t’u shitur. Ishin pikërisht hetimet e anti-mafias italiane, ato që i dhanë edhe startin zyrtar hapjes së dosjes “Tahiri”, që ka mbërthyer politikën.