Zbulohet letra pas marrëveshjes/ Edi Rama i shkruan Xhorxh Sorosit

448
Kryeministri informon multimiliarderin për lëshimet që i bëri opozitës

Fort i dashur dhe i nderuar Xhorxh

Jam i bindur se deri aty tek Ju kanë mbërritur zërat se unë, njeriu Juaj besnik në Tiranë, bëra këto ditë një marrëveshje me të singjashmit e Gruevskit në Maqedoni, Orbanit në Hungari dhe Kazinskit në Poloni, që ne këtu në vendin tim i quajmë thjeshtë çadristë dhe që janë njësoj armiq të lirisë dhe shoqërisë të hapur që Ju promovoni prej kaq vitesh në shtetet që kanë dalë nga bota e errët komuniste dhe që unë si një nxënës i juaji i bindur jam munduar t’i zbatoj pikë për pikë.

E di, jam i sigurtë se deri aty ku gjendeni në këto momente kanë mbërritur fjalët se ai pikrori bohem nga Shqipëria që e takuat së bashku me një aradhë intelektualësh të mykur në një tryezë të përbashkët, po, po, ai mbi të cilin Ju vutë gishtin për të thënë se do të jetë lideri i ardhshëm i Ballkanit perendimor, i ka zhgënjyer shpresat tuaja.

Jam gjithëashtu i ndërgjegjshëm se Ju kanë informuar që unë, Edi Rama, i shita gjithë shokët e mij, të gjithë ministrat e drejtorët, duke i hapur rrugë fanatikëve të Sali Berishës, madje duke pranuar indirekt se republika që unë kisha ndërtuar është e prekur thellë nga narkortrafiku, korrupsioni dhe keqqeverisja e kështu me radhë.

Jam në djeni se nga zyra e fondacionit Tuaj në Tiranë Ju kanë informuar tashmë se strategjia për ta bërë vendin tim shembull për të gjithë rajonin, që sot ndihet i kërcënuar nga influenca ruse dhe nga paqartësia që po mbjell Donald Tramp, që të dy e kemi quajtur si rrezik për botën, pra se kjo strategji është vënë në rrezik.

Po mundohem të mar diçka nga koha Juaj e vyer, i dashur dhe i nderuar Xhorxh, për t’iu vënë në djeni se asgjë nga plani fillestar nuk ka ndryshuar.

Lëshimet që kemi bërë sot, janë thjeshtë një manovër për të fituar më shumë nesër.

E di se një dorëheqje e tillë nga parimet, nga ajo që Ju dhe unë kemi mbrojtur është e vështirë të kuptohet nga idealisti që ka shpenzuar miliona për promovimin e vlerave në këtë vend. Por, prandaj këtë radhë po Ju drejtohem jo si filantrop illuminist, por si spekullant bursaash që këni shkëlqyer po aq shumë sa edhe si njeri i shoqërisë së hapur.

Atë që gjysma juaj e angazhuar do ta përbuzte, jam i sigurtë se gjysma tjetër brej biznesmeni të aftë do ta kuptonte. Atë bëra dhe unë: zgjodha parimin se qëllimi justifikon mjetin.

Dhe Ju siguroj se në fund të kësaj loje plani ynë i përbashkët do të jetë shumë më pranë qëllimit. Ja sepse.

Sepse duke bërë këto lëshime të mëdha unë arrita ta nxjerr atë kukullën e Saliut nga çadra ku qe ngujuar drejt e në një palë zgjedhje për të cilat i kemi marrë të gjitha masat që mos kenë asnjë surprizë. Unë kështu shmanga çdo lloj rreziku që Shqipëria të konsiderohej nga bota si një vend në krizë. Kjo do të thoshte siç e kuptoni edhe Ju që sytë e oponionit dhe mediave botërore të bëheshin katër për të vëzhguar në Tiranë. A na interesonte kjo në për realizimin e qëllimit tonë final? A na duhej kjo vëmendje e ekzagjeruar dhe e tepruar? Unë mendoj se jo. Prandaj nxitova ta mbyll këtë gurgule qoftë edhe me çmim të lartë.

Suksesi i dytë, sipas meje, është se me anë të kësaj lëvizjeje arrita të nxjerr nga penxherja e pushtetit atë që Berisha ma kishte futur nga dera. E kuptoni për kë bëhet fjalë. Për atë që ka një llogari të përbashkët me WMRO-në nga e cila paguhen ata kongresmenët që duan të hetojnë veprimtarinë tuaj në Ballkan. Pra edhe këtë punë e zgjidhëm. Partisë së Ilir Metës ia pamundësuam të bëjë koalicione dhe do t’a reduktojmë ndjeshëm në shifra. Të paktën kështu besoj, sepse atij djalli politik nuk i dihet asnjëherë. Fuqia e tij korruptive te zgjedhësit është ku e ku më e paimagjinushme se çdo manovër politike. Por gjithësesi unë mendova se ky aventurier që paguan për të lobuar kundër jush më mirë të shpenzojë paratë me votuesit shqiptar, sesa me kongresistët amerikanë.

Pasi ju informova për arritjet, duke dashur të jem krejtësisht i sinqertë, po Ju them se këto lëshime u bënë edhe si pasojë e pozitës jo fort të volitshme në të cilën ndodhesha.

Pa dashur t’ua rikujtoj pozicioni i vështirë në të cilin më vendosët, duke më kërkuar të ndërhyj drejtpërdrejt në zgjedhjet amerikane, duke folur si një lider i Europës së re, drejtpërdrejt në CNN kundër Donald Trumpit, më ka kushtuar jo pak në marëdhëniet me administratën e re amerikane. Po është e vërtetë që ambasadorin e këtushëm e kam krejtësisht me vete, madje ai edhe listat e gjykatësve për heqje vizash i harton sëbashku me njerëzit e mij, por më tepër e kam vështirë të çaj. Kemi paguar dhe lobuar shumë, por pa sukses deri më tani. Me sa duket jemi ende shumë larg nga koha e artë kur Berisha që blente Xhonatan Murin dhe Kantrimenin, mundohej kot se Ju e zhbënit gjithë politikën e departamentit të shtetit vetëm një një letër që i dërgonit personalisht Hillarisë.

Pra që mos zgjatemi në histori, mbështetjen nga Uashingtoni nuk e kisha të plotë.

Ehhhh…! jam nostalgjik për ato kohëra kur mjafton që ju të luanit gishtin dhe atë Lajçakun e dërgonin urgjent në Tiranë.

Po le të kthehemi te vështirësia e dytë. Nga kriza rrezikohej e gjithë platforma që kemi ngritur për të kontrolluar që nga dita e parë reformën në drejtësi. Ai plaku i vjetër që Ju nuk e honepsni dot e kapi lojën që çarku po ngrihej rreth të birit. Nuk e votonte që nuk e votonte Vettingun. Gjithçka mund të shkonte për dreq. Po unë që nga dita e parë e vura si kusht: nuk ka marrëveshje pa votuar vettingun. Dhe duhej bërë ndonjë kompromis për ta arritur atë.

Jam i sigurtë se do të dalim të fituar nga kjo lojë. Ju si ideator që pastaj mund t’a shisni patentën e reformimit të drejtësisë shqiptare si një model të lavdisë personale në të gjithë vendet ish komuniste dhe unë si nxënësi juaj besnik që qëroj edhe ndonjë hesap politik këtu brenda përbrenda falë idesë suaj gjeniale.

Por, vështirësitë nuk mbarojë këtu. Era e re që po frynte filloi të diskreditojë të gjithë ata që konsiderohen si shoqëri civile. Po, po, ata që siç e dini I nxorrëm në sheshe për të organizuar tubime pro refrormës. Të njëjtët që i bëmë të ngrejë antiçadra kundër çadrës së opozitës. Po u dilte tymi se ata paguheshin nga Ju dhe shfrytëzoheshin nga unë. Prandaj edhe për të ruajtur këtë kategori që do na duhet edhe për beteja të mëvonshme, kriza duhej ndërprerë.

Duhej ndërprerë edhe sepse këta idhtarët e Viktor Orbanit në Tiranë iu vunë me bukë në trastë (Nuk e di si mund t’ua përkthejnë Juve saktë këtë shprehje të popullit tim) universiteteve të mia, njësoj si atij që kemi Ju në Budapest. Unë kam këtu një Henri, Henri që është i barazvlefshmi i Mikael Ignatievit në orbitën tuaj. Natyrisht të mos ngatërrohemi, nuk ku qenë as lider në Kanada, nuk ka as botime ndërkombëtare, por ai ka bërë më të mirën për t’i shërbyer ideve tona. Më ka furnizuar me petagogë për të mbrojtur idetë tona, qoftë edhe për atë planin e mbushjes së Shqipërisë me plehra, apo për të dhënë koncesione për njerëzit e mi dhe kjo e bëri që ta vinin në syrin e ciklonit.

E njëjta gjë ndodhi edhe me një pronar të madh mediash që e kam furnizuar me leje ndërtimi nga bregdeti deri tek liqeni artificial vetëm për t’u bërë megafoni i shoqërisë së hapur dhe planit perspektiv që kemi. E mbani mend, besoj e keni dëgjuar, është fajala për atë të cilin e burgosi Berisha i parë (atëherë kur fondacioni juaj protestoi fort) dhe që u kthye më pas në krahun e armatosur të Saliut. Ai tani është vënë me besnikëri në shërbim të projektit tone, që i përlqen po ashtu edhe biznesmenëve të mëdhenj lokalë.

Ja pra të gjithë këta që pata rekrutuar me shumë sakrifica rrezikoheshin të demaskoheshin nga zgjatja e krizës që shkaktoi çadra. Ata mund të bëheshin viktima të erës pro Orban, pro Kazinski, pro Gruevski që filloi të frynte edhe në Tiranë.

Ajo erë duhej ndalur me çdo çmim. Ajo duhej ndërprerë me çdo lloj sacrifice.

Kjo qe edhe arsyeja që unë u detyrova të bëj këtë marrëveshje me kosto të lartë për imazhin tim. Të shes bashkëpuntorët e mij me rradhë, të dorëzoj ministrat dhe drejtorët. Të pranoj dështimet me trafikun e drogës, korrupsionin dhe administratën jo funksionale.

Po, po, fort i dashur dhe i nderuar Xhorxh,

sakrifikova shumë, dhashë aq sa nuk e mendonte kërkush, vetëm për të ruajtur një gjë më të madhe.

Për të mos lënë që të krijohej frymë kundër jush në vendin tim. Për të ruajtur njerëzit që I shërbejnë kauzës sonë. Për të mbajtur kështu edhe postin tim si kusht i domosdoshëm për realizimin e projektit final.

Kështu pra i nderuar udhërrëfyesi im,

pavarësisht se çfarë thonë ne kemi fituar. Le të gëzohet mendja e shkurtër e Lulzim Bashës dhe ambiciet e tij fëmijënore, me postet e ministrave që do kenë për një muaj. Llogaria e tyre është me javë. Projekti ynë është me dekada.

Unë mendoj se jemi në rrugë të mbarë. 

Me respekt dhe përunje

Gjithmonë i yti

Edi Rama
*Kjo letër ka shumë elemente dhe ngjarje që përkojnë me realitetin

marë nga Lapsi.al
Sigal