Zbulohet korrupsioni i Haxhinastos me kromin

451
Sigal

“Fiks Fare” zbulon si vidhet kromi,nga një rrjet i ngritur korrupsioni që nis që nga METE

Një investigim i “Fiks Fare” ka treguar se si vidhet çdo ditë kromi në minierat legale dhe ilegale në veri të vendit nga një rrjet i tërë i ngritur mbi korrupsion që nis nga instancat më të larta të METE-s, e deri policët e thjeshtë.  Në disa edicione rresht Fiks Fare denoncoi mënyrën se si punohet pa leje dhe licencë në galeritë e Bulqizës dhe minerali transportohet për në Durrës me dokumente false apo duke përdorur dokumentet e firmave të tjera.  E gjitha kjo ndodh në mes të ditës dhe asnjë institucion shtetëror nuk ka reaguar edhe pasi “Fiks Fare” denoncoi me pamje, fakte dhe emra rastet e kësaj vjedhje. METE, duke heshtur, ka përgjegjësinë kryesore dhe heshtja e saj mund të shpjegohet me lidhjet nepotike të drejtuesve të saj me ata që vjedhin kromin. Në Bulqizë firmave të vogla të shfrytëzimit të kromit u janë kërkuar deri në 100 mijë euro për licencim e në pamundësi për t’i paguar disa prej tyre punojnë ilegalisht vetëm sipas ligjit të më të fortit. Një rast konkret është denoncuar nga “Fiks Fare” në Has. Një firmë e licencuar për kërkim dhe nxjerrje kromi pengohet nga dy efektivë të policisë, ndërsa ilegalisht kromi merret pa asnjë leje, depozitohet e më pas transportohet me dokumente false në Kosovë apo edhe në Durrës. Denoncimi është bërë me fakte, filmime konkrete dhe me emra. Disa ditë pas këtij denoncimi asnjë organ shtetëror nuk ka reaguar duke nisur nga ministria, drejtoritë përkatëse të burimeve natyrore dhe as policia e prokuroria. Kjo është situatë që ka kalbur në korrupsion pothuajse të gjitha instancat shtetërore dhe që vazhdimisht shkakton tragjedi të rënda duke e kthyer kromin, nga një pasuri e madhe kombëtare në një mallkim për disa njerëz. Nga ana tjetër, në minierat, qoftë legale, qoftë edhe ilegale, gjendja e punëtorëve, e minatorëve është si në kohën e skllavërisë, pasi qëllimi i fitimit maksimal, nga pronarët, kanë bërë që punëtorët e minatorët të trajtohen si skllevër, qoftë në pagesat e vogla që i shpërblejnë, duke mos u dhënë asnjë lloj sigurimi shoqëror. Këto probleme, ndonëse janë të njohura, ndonëse vetë minatorët, herë pas here protestojnë, METE, dhe organet e tjera shtetërore i injorojnë, pasi, drejtuesit kryesorë, që nga vetë ministri Haxhinasto heshtin, sepse, ndoshta mbrojnë interesat e punëdhënësve, të pronarëve të minierave. Nëse, nuk është kjo, le të shprehin arsyen vetë ministri Haxhinasto dhe drejtuesit e tjerë të METE-s, përse heshtin, përse nuk kërkojnë zbatimin e ligjit, sipas Kodit të Punës, për të mbrojtur të drejtat e minatorëve. Si të mos mjaftojë kjo, nëpër miniera, qoftë ato që janë legale, qoftë edhe në ato që janë ilegale, të përditshme janë aksidentet vdekjeprurëse, ku minatorët, duke punuar, duke u përpjekur që të nxjerrin  bukën e mbijetesës së familjes së tyre, pësojnë aksidente për shkak të mosmarrjes së masave të sigurimit. Në këto raste, përgjegjësia është e drejtpërdrejtë e METE-s, e cila nuk mbikëqyr fare minierat, ose bën syrin qorr, për të mos denoncuar pronarët e këtyre minierave dhe mbi ata të mos veprojë ligji. Mosveprimi, me dashje, apo me shpërfillje, nga ana e ministrit Haxhinasto, e zv/ministrave të METE-s, për mosmbikëqyrjen e masave të sigurimit në miniera është shpërdorimi i detyrës me pasoja vdekjeprurëse, dhe përgjegjësia është penale. Prandaj, me të drejtë, faktet e “Fiks Fare”, për korrupsionin në miniera, për vjedhjet e mineralit është dëshmia më e qartë, e pakundërshtueshme që të gjitha këto vijnë nga një rrjet i tërë i ngritur mbi korrupsion që nis nga instancat më të larta të METE-s. Organet e prokurorisë duhet të fillojnë menjëherë hetimet, provat janë të gjalla, aksidentet vdekjeprurëse të përditshme  të minatorëve, janë dëshmitë e përgjegjësisë penale të drejtuesve të METE, që nga vetë ministri Haxhinasto dhe më poshtë piramidës drejtuese shtetërore.