Zbulohet bilanci financiar i PD-së, ka arkëtuar miliona por ka shpenzuar miliarda lekë (Dokumenti)

528
“Dualajm.com” ka mundur sot të sigurojë ekskluzivisht një raport financiar të Partisë Demokratike ku sqarohen në detaje burimet e të ardhurave dhe shpenzimet e forcës kryesore opozitare.
Sipas raportit të siguruar nga “Dualajm.com” mësohet se për vitin 2016, PD-ja ka patur në total rreth 71 milion lekë të vjetra të ardhura, por habit fakti se për vitin e kaluar partia e parë në opozitë ka shpenzuar gati dyfishin e të ardhurave dhe respektivisht jo pak por gati 1 miliardë e 400 milionë lekë të vjetra.
Madje “DuaLajm.com” raporton se shuma e shpenzuar për vitin e kaluar është rreth 200 milionë lekë më shumë se sa raportohet të jetë pasuria neto e Partisë Demokratike që referuar bilancit financiar është rreth 1 miliard e 270 milionë lekë të vjetra.
Pikëpyetja e madhe që shoqëron këtë bilanc financiar është së pari se përse i janë dashur Partisë Demokratike të shpenzojë kaq shumë para vitin e kaluar dhe cili ka qenë burimi i këtyre parave që tejkalojnë gati me dyfish të ardhurat që kryesisht bazohen nga fondet e buxhetit të shtetit dhe kontributet që derdh anëtarësia e PD-së.
“DuaLajm.com” raporton gjithashtu se të ardhurat e Partisë Demokratike nga viti në vit kanë ardhur duke u ulur, veçanërisht kjo pas daljes në opozitë. Konkretisht deri në vitin 2014, PD e ka mbyllur buxhetin e saj me rreth 1.4 miliardë lekë të vjetra, vitin 2015 me rreth 700 milionë lekë të vjetra dhe afërsisht me rreth 20 milionë lekë më pak një vit më pas, pra në 2016.

Sigal