Zbulohen zyrtarë shqiptarë me prona të blera jashtë shtetit

493
Sigal

Apartamente në Itali, dyqane në Selanik e Athinë, konto bankare në Qipro. Mister burimet financiare, INTERPOL nis hetimet

Strukturat e INTERPOL-Tirana kanë zbuluar prona të disa ish-zyrtarëve në Elbasan, të cilat janë blerë nga ata përgjatë viteve 2010-2013, si apartamente në Itali, apo edhe dyqane në Selanik e konto bankare në Qipro. Burime tepër të sigurta policore thane për “Telegraf” se “bëhet fjalë për hetime intensive të agjentëve të INTERPOL-Tirana dhe homologëve të tyre në pothuajse të gjitha vendet e tjera të Europës, nga ku kanë dalë emra zyrtarësh me prona të blera në disa qytete italiane, apo edhe greke, si në Bolonja, Torino, Bari, Selanik, e Athinë, apo edhe qytete të tjera të rajonit”. Por e veçanta ishte se në listën e këtyre “pronarëve” kanë dalë edhe emra zyrtarësh nga Elbasani, ish-drejtorë institucionesh, e deri njerëz të organeve të drejtësisë. Kështu i njëjti burim tha se, “një ish-zyrtar nga Elbasani, kishte blerë në 2011 një apartament në Bolonja me vlerë 228 mijë euro, një tjetër në Torino me vlerë 180 mijë euro, po ashtu ka prej tyre që kanë në Selanik dyqane të cilat i vizitojnë çdo muaj dhe paguajnë menaxherë për tu kujdesur. Edhe blerja e tyre varijon nga 350 deri 400 mijë euro.

INTERPOL-Tirana ka nisur verifikimet dhe hetimet për të  mësuar origjinën e parave me të cilat janë blerë këto prona të cilat padyshim kërkojnë vite pune apo biznese të tjera fitimprurëse, për të arritur blerje të tilla. Në të gjitha rastet blerja e këtyre pronave është bërë me para në dorë, dhe me veprime të rregullta noteriale. Strukturat policore të INTERPOL-Tirana tashmë kanë në duart e tyre dokumentacionin e duhur për të listuar veç dhjetëra e dhjetëra të tjerëve, edhe dhjetëra zyrtarë e ish-drejtues nga Elbasani. Qyteti që mban rekordin e numrit të personave të papunë (rreth 38 mijë)  me numrin më të madh të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike (mbi 10 mijë) dhe me nivel varfërie në rritje, ka milionerët e vet. Ka pronarët e apartamenteve dhe dyqaneve jo vetëm në Elbasan e Tiranë, por edhe jashtë shtetit. Babëzia ndaj parasë së pistë, duket se nuk i ka ndalur ata të shkelin ligjin, të shpërdorojnë detyrën, dhe të bëhen të pasur me para e prona qyl. Tashmë duhet ti mbetet organeve të drejtësisë, të hetojnë e gjykojnë mbi veprimtarinë e tyre, mbi korrupsionin dhe pasuritë e tyre të pista. Nuk duhet të kthehet në normalitet ky fenomen negativ, që sa here zyrtarët vjedhin e pasurohen me para të pista, i vetmi ndëshkim ndaj tyre të mbetet shkarkimi apo ulja në detyrë. Ka dhjetëra zyrtarë në Elbasan që edhe pse janë me dosje hetimore nga Krimi Ekonomik, apo edhe pse janë në proces gjykimi, ata sërish kanë mbetur në institucione, duke u fshehur pas postit të ri, apo duke paguar nën dorë miliona për ti shpëtuar ndëshkimit ligjor.