Zbulohen “sekretet” e para të qeverisë së re

472
Kryeministri paralajmëron ndryshimin e ministrit të Jashtëm dhe një ministri Shteti për shqiptarët në botë. Bashkohen tatimet me doganat, të dielën lista e plotë
Kryeministri Edi Rama nisi dje të zbulojë detajet e para nga qeveria që do të kryesojë në mandatin e dytë. Në një fjalim me kritika të ashpra për ambasadorët e Shqipërisë, të cilët nuk nguroi t’i cilësonte “të leshtë”, Rama paralajmëroi një qeveri të vogël, ndërsa la të kuptohej se do të ndryshonte edhe ministrin e Jashtëm. “Po si ka mundësi që keni qenë kaq të avashtë, ose për ta thënë shqip, kaq të leshtë, për të ndjerë urgjencën e domosdoshmërisë, për të gjetur mekanizmat e duhur, për të ndërtuar platformat, për të hartuar formulat, skicuar rrugët e nevojshme, në mënyrë që realiteti ynë, ky vend që ndryshon me muaj dhe me javë, të pasqyrohet me zhdërvjelltësinë e duhur, angazhimin e vazhdueshëm, aftësinë dhe shprehitë e nevojshme, jashtë kufijve tanë, ku na njohin pak, s’na njohin fare ose më keq akoma, na njohin keq”, tha Rama. Ai shtoi se menjëherë pas shpalljes së qeverisë së re ditën e diel, do t’i kërkonte “ministrit të mandatit të ri që të organizojë një takim treditor me të gjithë” ambasadorët për të draftuar një projekt të ri të diplomacisë ekonomike. “Qeveria e re do të ketë dhe një ministër shteti ekskluzivisht për shqiptarët jashtë atdheut”, tha Rama, duke premtuar edhe votimin e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme.

Tatimet bashkohen me doganat
Qeveria e re, që pritet të shpallet nga kryeministri, do të ketë më pak ministri, ndërsa reformim të thellë do të pësojnë edhe disa agjenci kryesore. Kështu po shqyrtohet mundësia e krijimit të Ministrisë së Thesarit, duke bashkuar pjesën e mbetur të Ministrisë së Financave me atë të Ekonomisë. Gjithashtu, Drejtoria e Tatimeve mund të bashkohet me atë të Doganave, duke krijuar në këtë mënyrë një agjenci unike të të ardhurave. Kjo do të jetë një strukturë gjigante, që do të garantojë të gjithë të ardhurat në buxhetin e shtetit. Sipas propozuesve, bashkimi i dy drejtorive të administratës fiskale synon uljen e korrupsionit, rritjen e kontrollit me një staf më të specializuar dhe shkurtimin e procedurave për biznesin. Pikërisht buxheti i shtetit do të preket nga ndryshimet në strukturën e qeverisë, pasi do të jetë e nevojshme një rishpërndarje tjetër e fondeve. Efektet e qeverisë së re do të zgjaten edhe në hartimin e buxhetit të vitit 2018, që ka nisur tashmë të konceptohet. Por mënyra e re e ndërtimit të dikastereve do të bëjë të detyrueshme prekjen e projektit dhe parashikimeve edhe për periudhat afatgjata. Strukturimi i drejtorive më të rëndësishme në një të vetme pritet të prekë edhe atë të Departamentit të Tenderëve dhe Prokurimeve Publike që ka çdo institucion, të cilët mund të kalojnë në një njësi të posaçme. Një tjetër reformim që pritet të ndodhë është edhe ai i bashkimit në varësinë e një ministrie të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, zyrave të hipotekës dhe ALUIZNI-t.
Sigal