Zbulohen dy patentat e ish-ministrit Saimir Tahiri

774
Zbulohen dy patentat e ish-ministrit Saimir Tahiri, u gjetën në makinën e një të arrestuari
Një tjetër skandal del në dritë, ku i përfshirë është sërish emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Policia nxori njoftimin duke fshehur të vërtetën
Pas publikimit të dosjes ‘Habilaj’, ku dyshohet të jetë i përfshirë në trafikun e drogës ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, vazhdojnë të dalin në dritë të tjera informacione që shtojnë dyshimet rreth tij. Publikohen dy foto të dy lejeve të drejtimit për mjet lundrues që disponon Saimir Tahiri. Burime thonë se këto patenta për mjet lundrimi, ku Tahiri ka nivelin ‘Skipper’ (kapiten) u gjetën në makinën e një personi me emrin Orest Sota, i cili u arrestua nga policia e Elbasanit dy ditë më parë. Sotës iu gjetën në makinë edhe 800 mijë euro. Për këtë ngjarje denoncoi i pari kreu i PD-së, Lulzim Basha. Sipas tij Policia e Shtetit me urdhër të Edi Ramës e mbajti të fshehtë ngjarjen. Pak pas këtij denoncimi të Bashës, ka reaguar Policia e Shtetit përmes një njoftimi për media, ku konfirmohet ngjarja, por nuk përmenden fare dy lejet e drejtimit në emër të Saimir Tahirit që u gjetën në makinën e shtetasit Orest Lefter Sota dhe as shuma prej 800 mijë eurosh. Policia thotë vetëm që iu gjet një shumë e madhe parash, por pa bërë publike vlerën e saktë. I marrë në pyetje nga policia, biznesmeni Orest Sota ka dhënë këtë version për ngjarjen. “Paratë ishin të babait tim për një pagesë për blerje hekuri në Elbasan. Ndërsa për sa iu përket patentave në emrin e ish-ministrit, ato i harroi shoferi i tij, që është mik i imi. Ne lëvizim shpesh bashkë”. Ato ndryshojnë nga njëra tjetra tek tonazhi i lejuar i mjetit. Nuk është e qartë ende, se çfarë donte në makinën e Orest Sotës patentat e Saimir Tahirit dhe shuma prej 800 mijë eurosh. A është në dijeni ish-Ministri i Brendshëm se këto patenta i kishte Orest Sota? Kujtojmë që në deklarimet e ditëve të fundit, Saimir Tahiri është shprehur se nuk kishte pasur mjet lundrues, por pa saktësuar, nëse kishte apo jo leje drejtimi për këto mjete.
Reagon Policia: Ja për çfarë akuzohet
Lidhur me publikimin e kryetarit të PD Basha, se Policia e Elbasanit kishte fshehur një ngjarje, sqarojmë se: Policia e Elbasanit arrestoi shtetasin O. S. dhe veprimet janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Elbasan. Në procesverbalin e mbajtur në vendngjarje, është pasqyruar çdo dokument apo provë e bllokuar në cilësinë e provës materiale. Si çdo procedim tjetër, njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit. “Më datë 02.11.2017 nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. S., 25 vjeç banues në Tiranë, administrator i një subjekti privat pasi më datë 01.11.2017 në rrugën nacionale në fshatin Balldren u kap pa leje drejtimi me mjetin “Land Rover” dhe gjatë kontrollit të mjetit iu gjetën dhe bllokuan një sasi e madhe eurosh, të cilat do t’i përdorte për likuidimin e faturave, por të pashoqëruar me dokumentin e origjinës. Nenet 291, 242 dhe 180 të Kodit Penal”. Policia e Elbasanit fton kryetarin e opozitës, të mos përdorë burime anonime lajmi duke çuar në keqinformimin e publikut, por ta gjejë të vërtetën tek faqja zyrtare e Policisë së Shtetit. Biznesmeni mësohet se u kap me 800 mijë euro dhe dy dëshmi aftësie për drejtim mjeti në emër të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Raportohet se ai ka rrëfyer në polici se paratë ishin të babait të tij për një pagesë. Në lidhje me dy patentat e Tahirit, biznesmeni ka thënë se i kishte harruar shoferi i tij, që ishte mik me të.
Sigal