Zbulohen dosjet korruptive të ministrave, roli i Qazim Sejdinit dhe kompania që fiton miliona euro

457
Basha-Ramës: Ja ministrat me dosje dhe kompania në Elbasan që fiton miliona euro 
Koncesionet, droga, krimi, përfshirja e ministrave në afera korruptive, ishin kryefjalë në punimet e Kuvendit të Shqipërisë, ku u diskutua buxheti i 2018-s
Seanca parlamentare ka prodhuar ditën e djeshme debate të shumta, mes liderit të mazhorancës Edi Rama dhe shefit të partisë Demokratike, Lulzim Basha. Për më shumë se dy orë, Rama-Basha, u përfshinë në debate të forta mes tyre, duke hedhur akuza të forta. Ndërsa u hap debati për koncesionet, Lulzim Basha gjeti momentin dhe i kujtoi Ramës një nga kompanitë më të famshme në Elbasan, që sipas tij për një periudhë të shkurtër ka fituar 90 tenderë me miliona euro. Ndërsa foli për një kompani, Basha nuk përmendi emrin, por i tha Ramës se ai e dinte shumë mirë kush ishte dhe në rast se donte të dinte më shumë të pyeste Qazon (Qazim Sejdini) kryetarin e Bashkisë Elbasan. Sipas Bashës kompania ka përfituar 90 tenderë me vlerë 20 milionë euro, ndërsa shumica e këtyre parave (15 mln euro) është marrë nga kompania në fjalë pa shpallje të tenderit. “Rrisqet e koncesioneve të dhëna nga qeveria e mëparshme e ka privati. Koncesioni prodhon energji dhe shteti përfiton. Ti çfarë do t’i lësh shtetit? Pajisjen që ka përdorur muratori i Ilir Beqajt? Ke një përfitim ti nga krimi. Cila kompani në qarkun e Elbasanit ka fituar 90 tenderë, 20 mln euro nga të cilat 15 me negocim pa shpallje, dy tenderë në muaj, çdo javë nga një tender. Kush e ka këtë kompani? Pyete Qazon se ta thotë. Kjo kompani është pjesë e hetimit ndërkombëtar, sepse përbën një nga nyjet e infrastrukturës së heroinës. E di? Po raportin e Këshillit të Evropës? Apo e nxori Top-Kazani dhe nuk merresh më.”-tha Basha
Dosjet e ministrave të Ramës që janë gati 
E ndërsa debati mes Ramës e Bashës u ndez ashpër, lideri i PD-së, nuk ngurroi t’i përmendë edhe emrat e disa prej ministrave të përgojuar për afera korruptive, për të cilët ekzistojnë edhe disa dosje. Ja si i drejtohet Basha –Ramës: “Mos u bëj merak se e ke një dosje. Ku e ke Damianin, e ke fshehur. Do t’ia ndjeni këngën shumë shpejt”. Por ndërhyrja e Ilir Beqaj e ka detyruar Bashën të kthehet sërish: “Ilir Beqja ti e di se ku do shkosh. S’e kam fjalën për gjyqin civil, por ti e di mirë se ku e kam fjalën. Prit se do të vijë ora”. Kthehet sërish nga Rama: “Shikojeni, shkon në Bulqizë dhe u thotë bulqizakëve, mashtrojnë italianët, atje bulqizakët punojnë si skllevër. Ky është njeriu që i thotë vetes, kryeministër. Vjen flet si llogaritar, ky s’është llogaritar, ka ngelur në matematikën e klasës së katërt, ky është llogaritar vetëm për drogën”. Nga salla ndërhyn Sadri Abazi. “Sadri mos ndërhy, pusho, shiko hallin tënd se e ke boll të madh, merru me hallin tënd”. 

Kundërpërgjigja e Ramës për koncesionet
Pasi opozita e ka kundërshtuar me forcë në Kuvend, Buxhetin e paraqitur nga qeveria sidomos për koncesionet, Kryeministri Edi Rama është fokusuar ta mbrojë pr.ligjin në këtë pikë ku u sulmua më shumë. Pasi Basha ia quajti projektin “1 miliard euro” me koncesionet PPP, si Pastrim i Parave të Pista, Rama ia ktheu me fyerje se PD është “Partia e Djathit, djathit kaçkavall mbetur pa shitur”.

“A e dini ju se ku është ndryshimi i koncesioneve të dhëna nga ju dhe nga ne?! Keni dhënë koncesione përmes të cilave keni futur duart në xhepin e qytetarëve, ndërkohë që ne nuk kemi dhënë koncesione ku futen duart në xhepin e qytetarëve. Po heq pjesën e koncesioneve në energji, sepse janë për zhvillim ekonomik përmes investimeve në sektorë strategjikë. Këtu Flori (Mima) bën sikur është kundër meje, sepse ia do puna.

Koncesionet në rastin e shërbimeve, janë për të dhënë një shërbim më të mirë qytetarëve. Shteti nuk i ka këto para, ndaj thërret privatin dhe ia shlyen në vite.

Në portin e Durrësit u bënë investime nga qeveria dhe investimi i gatshëm iu dha privatit që të fitonte – dhe asnjë ndryshim nuk pati në cilësinë e shërbimit! Privati shfrytëzoi investimin e shtetit për të marrë paratë nga çdo qytetar që i kalonte përpara! 

Vijmë tek skanimi: Çfarë përfitoi qytetari nga skanimi? Jo 40 euro për kamion, por për një faturë – se një kamion mund të ketë shumë fatura- dhe ne u detyruam të ndërhyjmë për të shpëtuar industrinë fason. E di z. Naço. Po ju jeni partia e djathit kaçkavall të mbetur pa shitur, ne ndërkohë ftojmë sipërmarrjen për të ecur më shpejt. Ne me paratë e Buxhetit shlyejmë investimet e privatëve që ndihmojnë qytetarët falas si me hemodializën. Në Tiranë paguanit 90 euro për një seancë ku njerëzit vinin nga Korça, nga Malësia e Madhe, nga Tropoja…Jo, tani është ndryshe: çdo seancë hemodialize paguhet 10 euro më pak dhe nga shteti dhe shërbimi ofrohet nga privati e pas dhjetë vjetësh, investimi i mbetet shtetit.”
Sigal