Zbatimi i rregullave demokratike është zgjidhja e krizës

496
Sigal

Presidenti Meta: Reforma në Drejtësi e orientuar drejt emrave të përveçëm, jo drejt standardeve demokratike

Presidenti i Republikës Ilir Meta në një intervistë televizive mbrëmë analizoi aktualitetin politik, krizën e madhe politike, problematikat, reformën në drejtësi.

Meta: Ja cila është zgjidhja e krizës kushtetuese

Nuk kam asnjë instrument kushtetues për t’ju imponuar zgjidhjen palëve. Palët janë pak a shumë të testuara. Një palë thotë do ta çojmë opozitën për skrap. Pala tjetër thotë që ne nuk ulemi të flasim me kryeministrin. Kështu që duhet të tregojnë vullnet dhe është e rëndësishme të dialogojnë. Unë kryetarin e opozitës e kam takuar me kërkesën time për të sqaruar një çështje që ishte raportuar nga media. Qëndrimi im është ai që mbetet. Mesazhet e mia kanë qenë të qarta prej kohësh. Të dyja palët nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën dhe duhet të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve shqiptarë. Nuk ekziston asnjë arsye politike, ideologjike, familjare apo personale që ndikon në vendimet dhe në sjelljen time si President i Republikës. Për mua rëndësi ka stabiliteti i vendit dhe interesi publik. Zgjidhja është zbatimi i rregullave demokratike, zbatimi i reformës në drejtësi me transparencë dhe sipas ndryshimeve konsensuale kushtetuese dhe përmes zgjedhjeve gjithëpërfshirëse.

Meta: Nga një demokraci parlamentare kemi kaluar në një liderizëm arbitrar

Kemi bërë hapa prapa sa i takon demokracisë parlamentare dhe kemi bërë hapa para drejt një liderizmi arbitrar. Pa ndryshuar sistemin zgjedhor është e vështirë të ndryshosh liderët. Mos harrojmë që jemi një vend që kemi një trashëgimi autoritare dhe për shkak të këtij graviteti çdo hapësirë që mund t’i lihet liderit e çon atë drejt autoritarizmit. Kjo gjendje duhet të marrë fund. Jemi në kohë për të mos shkuar drejt një konfrontimi që do të ishte i pafalshëm për të gjithë. Nuk duhet të rrezikojmë arritjet e vendit nga viti 1997 dhe në këtë drejtim duhet një reflektim nga të gjithë për të rikthyer vendin në një normalitet kushtetues.

Presidenti Meta: Reforma në Drejtësi, jo drejt standardeve demokratike

Zbatimi i reformës në drejtësi u orientua drejt emrave të përveçëm dhe jo drejt standardeve demokratike. Unë të vërtetës i them të vërtetë. Unë nuk jam President ambasadash. Ndonjëherë ambasadorët më shumë krijojnë kaos se sa thonë të vërtetën. KE duhet të sjellë ekspertë nga Brukseli për të parë se si është zbatuar reforma në drejtësi. Presidenti ka bërë çdo gjë për parandalimin e një krize të tillë. Përpjekja ka qenë e qartë, jo vetëm për të parandaluar këtë krizë dhe për të nxitur një dialog midis shumicës dhe opozitës por edhe për të dhënë mesazhe shumë herë më të forta për çështjen e integrimit evropian.

Presidentit Meta: Kriza është kushtetuese dhe e thellë, rrënjët i ka në ndryshimet kushtetuese të 2008-s

Kriza është kushtetuese dhe e thellë. Rrënjët i ka të hershme e burojnë që nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe vazhdojnë me ndryshimet kushtetuese të para 2 viteve. Kriza aktuale kushtetuese dhe e thellë. Nuk është një zhvillim i ri në Shqipëri mungesa e dialogut midis mazhorancës dhe opozitës. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese funksionale dhe paraliza në tërësi e sistemit gjyqësor do të shohim se kriza është më e thellë, fillon që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Aty mund të gjejmë rrënjët e kësaj krize në tërësinë e saj që është ashpërsuar në këto dy vite dhe sidomos në dy muajt e fundit pas këtij akti të opozitës. Ka pasur një nxitim nga të dyja palët për të përshkallëzuar krizën.

Presidenti Meta pret delegacionin e Konferencës Konsultative Politike të Popullit kinez, të kryesuar nga zoti Zhang Qingli

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti delegacionin e Konferencës Konsultative Politike të Popullit kinez, të kryesuar nga Nënkryetari zoti Zhang Qingli, që po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri me ftesë të Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve, si dhe shprehu kënaqësinë për vizitën e delegacionit të lartë kinez. Presidenti Meta vlerësoi intensifikimin e shkëmbimit të vizitave në nivele të ndryshme politike, parlamentare dhe akademike në vitet e fundit.

Presidenti Meta dekoron Batalionin shqiptaro-amerikan “Atlantiku” me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi dje me anë të një ceremonie të veçantë, kontributet dhe sakrificat heroike të anëtarëve të Batalionit shqiptaro-amerikan “Atlantiku”, të cilët dolën vullnetarë para 20 vitesh duke luftuar për lirinë e Kosovës, si dhe për t’i dhënë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik të makinerisë ushtarake të Millosheviçit, ndaj popullsisë së pambrojtur civile të shqiptarëve kosovarë. Presidenti Meta dekoroi Batalionin “Atlantiku” me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Me mirënjohje për ndjenjat më të larta atdhetare; si dhe në vlerësim të kontributeve të jashtëzakonshme të vullnetarëve shqiptaro-amerikanë të këtij batalioni, të cilët bënë sakrificat më sublime për çlirimin e Kosovës, dhënien fund të gjenocidit e spastrimit etnik në trojet shqiptare”.