Zbarkojnë në Athinë, Ministria e Jashtme dhe ajo e Drejtësisë

521
Sigal

Shpëtim Zinxhiria, gazetar i “Telegraf” në Athinë


Ambasadori shqiptar në Athinë ka lënë pushimet në mes dhe i është kthyer punës për të ndjekur nga afër hetimet mbi vdekjen e shqiptarit, ndërsa përfaqësuesi i policisë shqiptare në Greqi, që nga zbulimi i kësaj vdekje ka filluar pushimet, duke mos lënë asnjë mundësi për komunikim. Nga ana tjetër dy dikastere shqiptare zbarkojnë në Athinën e nxehtë…
Ambasadori Dashnor Dervishi në një bisedë për gazetën “Telegraf”, u shpreh se ‘personalisht po ndjek nga afër këtë çështje dhe se shteti shqiptar e ka marrë seriozisht këtë radhë. Kjo çështje po ndiqet me prioritet nga ana jonë, për këtë lash pushimet dhe personalisht po e ndjek nga afër këtë tragjedi. Në këto moment duhet të presim që të mbarojnë hetimet nga drejtësia greke. Është një ngjarje e rëndë që askush nuk do ta dëshironte. Përgjegjësia më e madhe bie mbi organet e policisë që nuk ishin në gjendje që të parandalonin këtë vdekje”, përfundon Dervishi.
Pushime të mbara përfaqësuesit të policisë shqiptare në Greqi!

Një tablo të kundërt na shfaqet kur vjen fjala për përfaqësuesin e policisë shqiptare, i cili edhe ky paguhet nga shteti shqiptar. Jemi të sigurt se ai e ka të ndaluar nga ministri i Rendit z. Tahiri, që të komunikojë me gazetarët, po pak punë na prish, por kur kemi të bëjmë me raste të tilla të jashtëzakonshme, nga ana morale ky punonjës e ka për detyrë të informojë e të ndihmojë. Po megjithatë detyra jonë nuk është të bëjmë moral, se duhet apo jo që ky punonjës policie të lërë në mes pushimet, të na informojë apo të na ndihmojë, në një kohë kur ambasadori është rikthyer punës vetëm për këtë ngjarje, kemi të drejtë të themi se edhe ai duhet të ishte në krye të detyrës. Ka mbi 10 ditë që po e kërkojmë për tu informuar se deri ku kane vajtur hetimet, por më kot. Nëse ky përfaqësues nuk gjendet sot në krye të detyrës, atëherë kur do të na duhet? Më në fund nga një punonjës të ambasadës mësuam se po shijon pushimet e verës dhe se nuk gjendet në punë. Kjo ngjarje mesa duket ka venë në lëvizje shtetin shqiptar si asnjëherë tjetër. E themi këtë se drejtues të Ministrisë së Jashtme kanë zbarkuar në Athinë. Arsyeja tashmë dihet, ka të bëjë me ngjarjen e shëmtuar të 3 gushtit 2016. Po mbrapa nuk mbetet Ministria e Drejtësisë, që këto ditë pritet që të zbarkojë në Athinë vetë Ministri i Drejtësisë për t’u takuar me homologun e tij z. Nikos Paraskevopoulos, ky i fundit ende nuk është prononcuar mbi ngjarjen e fundit. Mësohet se vizita e Manjanit lidhet pikërisht me ngjarjen e fundit.
Vazhdojnë hetimet, java e katërt

Hetimet janë futur në javën e katërt, ku familja dhe shteti shqiptar pret me padurim përfundimin e hetimeve. Por, duhet pasur parasysh se rrjedhja e ngjarjes që nga momenti i paraqitjes të viktimës në ambientet e policisë, e deri në momentin që ndaj tij do të merreshin masa parandaluese, ose lirimin e tij me kusht, vë para përgjegjësisë vetë policinë. Rajoni i policisë në Patisja mban përgjegjësi të plotë për sigurimin e jetës së personit brenda ambienteve të saj. Që nga momenti që viktima u paraqit vullnetarisht brenda ambienteve të këtij rajoni, është dhe mbetet prioritet nga të gjithë policitë e BE, që të krijohen kushte të përshtatshme për çdo rast emergjence, të sigurimit të jetës së personit që paraqitet pranë këtyre ambienteve të policisë. Kjo është e ligjëruar edhe në Kushtetutën e Greqisë. Mesazhi është i qartë nuk ka asnjë dyshim që policia greke ka të gjithë përgjegjësinë duke lënë mënjanë gjerat e tjera të shëmtuara…
Info:
Pëllumb Nikoll Marnikollaj quhet 29-vjeçari nga Lezha, i cili humbi jetën në mënyrë të mistershme në Greqi. Autoritetet Helene reagojnë, duke u shprehur se: “I riu shqiptar nga Lezha, emigrant në Greqi është hedhur nga dritarja, nga kati i katërt i komisariatit të policisë”. I riu nga Lezha ishte arrestuar për vjedhje, duke bërë 8 vite burg. Por kishte 4 muaj që gjykata i kishte dhënë një masë lehtësuese me detyrim paraqitjeje. Hera e fundit që Pëllumbi ishte paraqitur në rajonin e policisë nuk ka dal më i gjallë. Pas kërkimit të familjarëve gjendet trupi i pajetë i 28 vjeçarit me shenja dhune barbare në trup. Çka dyshohet se dhuna i ka sjell vdekjen. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes, pasi kjo nuk është hera e parë që ndodh me emigrantët shqiptarë në Greqi. Një rast i përsëritur, i cili duhet të çojë para drejtësisë personin apo personat përgjegjës për këtë ngjarje. 
Ambasadori i Britanisë në Shqipëri: Politikanët duhet të bëhen bashkë për interesin kombëtar 
Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe i ka paraqitur letrat kredenciale dje presidentit Nishani. Gjatë prezantimit të tij para mediave, Duncan Norman ka thënë se marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve mbeten të forta. Ambasadori u bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të bashkohen për hir të interesit kombëtar. “Marrëdhëniet tona diplomatike mbeten të forta. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe ekstremizmit do të vazhdojë të jetë një sfidë për të gjithë, – tha Norman. – Do të punojmë me qeverinë shqiptare për sigurinë. Jam krenar që jam ambasador në Shqipëri. Do të kërkoj mbështetje nga qeveria shqiptare për bashkëpunim”. Ambasadori i ri ka folur gjithashtu edhe për reformën në drejtësi, ku tha se problem vazhdon të mbetet çështja e korrupsionit: “Shqipëria ka përparuar shumë vitet e fundit. Ndryshimet kushtetuese janë të rëndësishme sa i takon reformës në drejtësi. Është e rëndësishme të shihet zbatimi i reformës. Politikanët duhet të bëhen bashkë për interesin kombëtar. Bashkimi i palëve u tregua me votimin e reformës në Parlament. 5 prioritetet janë një kusht për integrimin në BE, edhe pse Shqipëria po përballet me çështjen e korrupsionit”. Duke iu referuar ‘Brexit’, Norman mes të tjerash shtoi se Britania është larguar nga Bashkimi Europian, por jo nga Europa.