Zbardhet takimi/ Basha ua thotë në sy zyrtarëve të SHBA: Nuk tërhiqemi nga qeveria teknike

531
Zbardhen detaje nga takimi i kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës me ambasadorin e SHBA-ve, Donald Lu dhe ish-ambasadorin Aleksandër Arvizu. Në një deklaratë për mediat, selia blu bënë me dije se biseda e tyre u përqendrua tek çështjet e aktualitetit politik, në kushtet kur Departamenti i Shtetit dhe EUROPOL raportuan muajin e kaluar se gjatë vitit 2016 Shqipëria është kthyer në prodhuesin dhe shpërndarësin kryesor të marijuanës në Europë dhe në një vend kyç për trafikun e heroinës, pastrimin e parave të krimit dhe në një bazë rajonale për krimin e organizuar.
Kryetari i opozitës vuri në dukje se raportet e qeverisë amerikane dhe të Bashkimit Europian janë konfirmim i kriminalizimit dhe kapjes së shtetit nga krimi, që Partia Demokratike ka paralajmëruar këto vite si rrezikun kryesor që i kanoset politikës, ekonomisë dhe të ardhmes së Shqipërisë.

Basha theksoi se gjendja dramatike që po kalon vendi është rezultat i drejtpërdrejtë i akteve të vetëdijshme të kryeministrit Rama, i cili përzgjodhi në Kuvend, në krye të bashkive dhe në poste të larta shtetërore persona me të shkuar kriminale, kryesisht në fushën e trafikimit ndërkombëtar të drogës.

“Për shkak të kapjes nga krimi dhe dështimit në qeverisje, kryeministri Rama minoi procesin e dekriminalizimit, projektoi kanabizimin e vendit, nuk luftoi krimin dhe nuk ka bashkëpunuar me organizmat ligjzbatuese të vendeve partnere. Prandaj kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë as vullnet dhe asnjë mundësi të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Interesi i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij është ruajtja e pushtetit me çdo kusht.

Në këto kushte, rruga e vetme për të siguruar zgjedhje të lira është krijimi i një qeverie teknike, me një mandat të qartë për zbatimin e menjëhershëm të ligjit të dekriminalizimit, parandalimin e rikanabizimit të vendit dhe luftën kundër drogës dhe parave të drogës, si dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, theksoi kryetari i opozitës në takimin me zyrtarët e lartë amerikanë.”, citohet në njoftimin e PD-së.
Sigal