Zbardhet plani me FMN, si do të llogaritet taksa për shtëpitë e pronat

646
Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka paraqitur qeverisë raportin me metodologjinë e taksës së re të pronës.
Në raportin e hartuar nga departamenti Fiskal i Fondit Monetar Ndërkombëtar “Tatimi i pronës bazuar në vlerën e tregut: plani për zbatimin” rekomandohet se niveli më i arsyeshëm i taksës së pronës mund të jetë nga niveli minimal 0.075 për qind deri te niveli më i lartë 0.15 për qind i vlerës së tregut të pronës dhe do të paguhet një herë në vit.
Formula që rekomandon Fondi Monetar Ndërkombëtar përfshin llogaritjen e taksës mbi vlerën e apartamentit sipas tregut, por duke përfshirë edhe truallin mbi të cilin është ndërtuar pallati apo vila. Më shumë taksë do të paguajnë ata qytetarë që disponojnë shtëpi me sipërfaqe më të mëdha. Për tokën bujqësore FMN-ja propozon taksën 21 euro në vit, apo 1.1 për qind të të ardhurave minimale vjetore të fermerit.
1
“Për të siguruar njëtrajtshmërinë e taksimit, qeveria qendrore duhet të përcaktojë një nivel të zbatueshëm të tatimit të pronës. Për shembull, një nivel i arsyeshëm mund të jetë nga një minimum prej 0.075 për qind deri në 0.15 për qind të vlerës. Një nivel i tillë do të sigurojë që të arrihet objektivi për rritjen e të ardhurave për njësitë vendore”, thuhet në raportin e FMN-së.
SHEMBUJT
Formula që i propozohet qeverisë konkretizohet nëpërmjet shembujve, ku sipas FMN-së për një apartament në Tiranë me sipërfaqe 65 m2 do të paguajë 6842 lekë në vit apo 49 euro, ose 2.6 për qind të ardhurave minimale vjetore.
Sipas shembullit për apartamentin me sipërfaqe 65 m2 me çmim 88.200 lekë/m2, vlera e apartamentit llogaritet 5.773.000 lekë. Në formulën e llogaritjes së taksës përfshihet edhe trualli mbi të cilin është ndërtuar apartamenti. Për këtë pallat 10-katësh, ku banojnë 40 familje, llogaritet që sipërfaqja mbi të cilën është ndërtuar është 325 m2 me çmim 32.593 lekë m2. Në total vlera e truallit është 264.818 për familje.
Në total vlera e shtëpisë me sipërfaqe 65 metra katrorë, përfshirë edhe truallin, llogaritet 5.9 milionë lekë, ndërsa taksa që do të paguhet në vit do të jetë 49 euro. Ndërsa për një vilë me sipërfaqe 130 metra katrorë e ndërtuar mbi një truall prej 500 metrash katrorë llogaritet që taksa vjetore e pronës të jetë 31.671 lekë apo 226 euro në vit, ose 7.3 për qind e të ardhurave minimale vjetore.
Taksa është llogaritur mbi vlerën e çmimit të tregut, që për rastin konkret merret çmimi 88.200 lekë/m2. Për sipërfaqen e vilës vlera llogaritet 11.466.000 lekë, ndërsa vlera e truallit e llogaritur me çmim 32.593 lekë është 16.296.500 lekë. Në total, çmimi i vilës llogaritet 27.762.500 lekë, ndërsa taksa që do të paguhet do të jetë 226 euro në vit.
KADASTRA
Aplikimi i taksës së pronës mbi vlerën e tregut kërkon domosdoshmërisht përfundimin e kadastrës fiskale, e cila do të përmbajë të plota të dhënat për sipërfaqen e pronës dhe vlerën e saj. Në raport FMN-ja ngre si shqetësim që shumë prona në vend janë të paregjistruara.
“Para vitit 2005 në Shqipëri kishte mbi 1 milion pasuri të patundshme të paregjistruara. Pas vitit 2005 është bërë progres nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive, ku 85 për qind e pronave janë të regjistruara dhe shumë prej tyre janë në proces regjistrimi.
Edhe pse zyrat e Regjistrimit të Pasurive së Patundshme kanë luajtur një rol të rëndësishëm në verifikimin dhe regjistrimin e pronës, nuk ka më arsye pse të pritet përfundimi i regjistrimit për të kryer reformimin e taksës së pronës”, thuhet në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Sigal