Zbardhet intriga që do të manipulonte KQZ-në

469
Sigal

Zbardhet e vërteta e shkarkimit të anëtarit të KQZ-së të propozuar nga LSI-ja

 Skenari i së Djathtës: Me Kalin e Trojës marrin vendimmarrjen e KQZ-së!

2 anëtarët e KQZ-së, të cilët janë propozuar nga PS-ja, Denar Biba dhe Albana Shtylla kanë dhënë dorëheqjen, për shkak të procedurës që ndoqi Kuvendi për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho, i propozuar nga LSI-ja. Tashmë në KQZ-në e mbetur, janë 2 anëtarët e propozuar nga PD-ja, anëtari i ri që u votua në Kuvend, i propozuar nga PR-ja dhe anëtari Jani Jani, i cili është propozuar nga PBDNJ-ja, si partia e dytë opozitare.

Roli i anëtarit të KQZ-së, të propozuar nga PBDNJ-shi

Jani Jani, edhe pse i propozuar nga PBDNJ-shi, si parti opozitare, kohët e fundit e ka bashkuar votën e tij më maxhorancën e KQZ-së, në vendimet  e  fundit dhe ka bërë që të prishet raporti 4:3, duke u bërë pjesë e maxhorancës. Të kuptohemi, Jani Jani, me votën që bashkoi me maxhorancën e KQZ-së, nuk veproi se e ndjeu veten i paanshëm dhe i pavarur, e ca më pak, të ketë gjykuar si specialist i çështjeve, duke patur parasysh se profesioni i tij është pedagogjia. Jani Jani e bashkoi votën e tij me maxhorancën, që nga momenti që Dule u shkëput nga opozita me PS-në. Dhe Dule, edhe pse nuk është shprehur publikisht  për koalicionin parazgjedhor, de facto, i është bashkuar, të paktën në KQZ, maxhorancës së djathtë.

  E Djathta, me ndihmën e PBDNJ-it, ka maxhorancën në KQZ

 Mosdorëheqja  deri tani nga KQZ-ja e anëtarit Jani Jani, e parë kjo edhe  me  votën që ai i ka dhënë maxhorancës kohët e fundit,  bën të mundur zbardhjen e skenarit të së djathtës për të marrë tërësisht në kontrollin e saj, shumicën e cilësuar, pra, 5 votat e KQZ-së. 2 anëtarët që ka propozuar KQZ-ja, si edhe vota e Kryetares së saj, Lefterie Lleshi, së bashku me anëtarin e propozuar nga PR-ja, bëjnë 4. Vota e Jani Janit, që i është bashkuar maxhorancës së djathtë, bëjnë aritmetikisht, 5, pra, shumicën e cilësuar. Kështu që, si të jenë 2 anëtarët e propozuar nga PS-ja, të cilët, duhet të zëvendësohen, pas dorëheqjes së Bibës dhe Shtyllës, edhe të mos jenë në KQZ, e djathta e ka të siguruar shumicën e cilësuar. Kjo do të thotë, ndryshe, që e djathta e ka marrë tërësisht në kontroll, vendimmarrjen e KQZ-së dhe opozita nuk ka më asnjë forcë ligjore që të balancojë kontrollin, sikurse është përcaktuar edhe në Kodin Zgjedhor. Sepse, sipas skenarit të së Djathtës, për zaptimin e KQZ-së,  këtej e tutje, vendimmarrja e KQZ-së do të arrihet me 5 vota, jo në bazë të konsensusit politik të maxhorancës dhe opozitës, por në bazë të 5 votave që kontrollon tërësisht e Djathta. Kështu që, sipas këtij skenari të hartuar me shumë zgjuarsi e inteligjencë, e djathta, me shkarkimin e anëtarit të propozuar ngaLSI-ja, Ilirjan Muho, nuk kërkoi thjesht që të balanconte baraspeshën politike në KQZ dhe, ca më pak, nuk mund të ishte ligjor motivimi që u etiketua në momentin e fundit të shkarkimit, CV e Muhos si prokuror. E Djathta, me shkarkimin e anëtarit të KQZ-së,  të propozuar ngaLSI-ja, kërkonte ta zëvendësonte me një njeri të së Djathtës, për të marrë shumicën e cilësuar të KQZ-së, duke llogaritur edhe votën e Jani Janit, të PBDNJ-it.  E Djathta, me ndihmën e Vangjel Dules, që edhe në këtë rast është Kali i Trojës së KQZ-së, ka pushtuar vendimmarrjen e KQZ-së. Ndaj, edhe sikur të zëvendësohen 2 anëtarët e tjerë, të ardhurit e rinj do të jenë thjesht numri plotësues, ose një dekor politik në KQZ.  Sipas këtij skenari të së Djathtës, ata, duke marrë edhe votën e përfaqësuesit të Vangjel Dules në KQZ, do të kishin shumicën absolute. Mirëpo, ikja e LSI-së nga maxhoranca dhe bashkimi me PS-në, mbas garancive që dhanë edhe ndërkombëtarët dhe krerët e Internacionales Socialiste, bënë që këto skenare  të së Djathtës, të digjeshin, ndaj PD-ja vuri në zbatim planin “B”, atë të shkarkimit të anëtarit të LSI-së në KQZ. Burime tepër konfidenciale nga PS-ja, bëjnë me dije për “Telegraf”, se Opozita e Bashkuar do të bëjë të gjitha përpjekjet politike, që i jep ligji dhe Kodi Zgjedhor, për  ta bërë të pamundur zbatimin e këtij skenari të së Djathtës, e cila synon të pushtojë vendimmarrjen e KQZ-së, me qëllim që ta ketë më të lehtë manipulimin e procesit të votimit në 23 Qershor.

  Dorëheqja e Shtyllës nga KQZ-ja

Anëtarja e KQZ-së e propozuar nga PS, Albana Shtylla paraqiti dje  dorëheqjen nga KQZ-ja, si anëtare e saj. Dorëheqjet e dy komisionerëve, Shtylla dhe Biba vijnë në reagim të vendimit të Kuvendit për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar ngaLSI-ja.

 Albana Shtylla

Pasi depozitoi kërkesën për dorëheqje në KQZ, Shtylla argumentoi para mediave arsyet që e çuan të ndërmerrte këtë vendim.  “E kam thënë që zbatimi i ligjit, integriteti profesional dhe paanësia politike më ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës time të gjatë në administratën publike. Në këtë kontekst, kushdo të ishte në vendin tim, do të konstatonte se gjatë ushtrimit të një detyre të caktuar në një funksioni publik, i cenohet integriteti, i cenohet garancia ligjore që është shumë e rëndësishme për ushtrimin e mandatit, do të bënte të njëjtën gjë”. Më tej, Shtylla theksoi se vërtet kandidaturat propozohen nga partitë, por në momentin që betohen, nuk i përkasin asnjë partie.

Topalli-Ruçit: Sillni propozimet e reja!

Pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të nënkryetarit të KQZ-së Denar Biba dhe anëtares Albana Shtylla, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i kërkoi kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, që të depozitojë brenda afateve propozimet për zëvendësimin e dy vendeve vakante në KQZ.