Zbardhen vendimet e qeverisë, ja disa prej tyre

417
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e të mërkurës vendosi miratimin, në parim, të programit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, rinisë dhe sportit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, për vitet 2015-2018. Qeveria vendosi gjithashtu miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, për bashkëpunim në fushat e shëndetit e mjekësisë. Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Ndërtimi i linjës së re të ujësjellësit të Durrësit”. Gjithashtu, qeveria vendosi miratimin e Profilit Kombëtar të Zgjeruar të Migracionit, për vitin 2014. Qeveria vendosi lejimin e Policisë së Shtetit për përdorimin e fondit prej 98 400 000 (nëntëdhjetë e tetë milionë e katërqind mijë) lekësh, nga fondi i pagave, të planifikuar për vitin 2015, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Qeveria vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës, “Mbi reciprocitetin e godinave ku akomodohen përfaqësia diplomatike e Republikës së Shqipërisë, në Pekin, dhe përfaqësia diplomatike e Republikës Popullore të Kinës, në Tiranë”, nënshkruar më 10.4.1960. Në mbledhjen e qeverise u vendos shpronësimi, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i infrastrukturës së bllokut 61, që kufizohet nga rruga “Qemal Stafa” dhe rruga e “Planit rregullues”, si dhe “Ndërtimi dhe mobilimi urban i sipërfaqeve të zonës 61/1”, në Bashkinë e Tiranës.
Sigal