Zbardhen prapaskenat, si e zëvendësuan demokratët Rudina Hajdarin

580
Sigal

Pavarësisht se nuk ka pasur asnjë pakënaqësi të shprehur publikisht kundër Rudina Hajdarit, kryetare e grupit parlamentar demokrat, lajmi i djeshëm për zëvendësimin e saj bëri jo pak bujë.

Në një postim në rrjetet sociale, Korab Lita lajmëronte se ishte zgjedhur kryetar i Grupit Parlamentar, duke siguruar se do të çonte më tej detyrën e këtij grupi.

Ai shpërndau edhe firmat e kolegëve të tij, që pas një mbledhje jo zyrtare, kishin vënë firmat për kreun e ri.

Nje falenderim te veçante per koleget e mi te cilet verdiktin e tyre ne lidhje me kryesimin e Grupit e dhane jo vetem me vote por edhe me firmë”, shkruante Lita.

Por pas tij reagoi deputeti  Halit Valterit, i cili tha se tërhiqej nga ky vendim. Ai i drejtonte një kërkesë kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, duke i thënë se tërhiqej nga firma e dhënë.

Nga ana tjetër reagoi edhe Rudina Hajdari, e cila rrëzoi fjalët e Litës, duke u shprehur se qëndronte në krye të detyrës.

Ju siguroj se unë jam në krye të grupit Demokrat që ndërkohë po zgjerohet dhe forcohet edhe më shumë. Vendosmëria jonë për të çuar deri në fund reformimin e sistemit është detyrim ndaj çdo demokrati dhe opozitari që kërkon ndryshimin në Shqipëri. Shihemi të enjten!”, shkruante Hajdari në rrjetet sociale.

Në mes të një paqartësie të tillë, mes dyshimeve se çfarë po ndodhte brenda demokratëve të Kuvendit, erdhi akti final që sqaroi njëherë e mirë se çfarë po ndodhte mes tyre.

Deputeti Korab Lita, i shoqëruar nga deputetët Alban Zeneli, Fatjona Dhimitri, Halil Jakimi, Arben Elezi dolën në një deklaratë për mediat, ku sqaruan gjithë prapaskenat shkarkimit të Hajdarit.

Lita tha se kishin pakënaqësi ndaj Hajdarit dhe prandaj i kishin kërkuar dorëheqjen dhe ajo e kishte panuar.

Është diskutuar për funksionimin e grupit parlamentar ku pasi janë bërë prezentë nga të gjithë anëtarët e grupit të gjitha problematikat e hapura deri tani, i është kërkuar zonjës Hajdari të tërhiqet nga drejtimi i grupit dhe të vazhdojë me detyrat e tjera mjaft të rëndësishme që ka në mbështetje të grupit. Pas bërjes prezent të shpërdorimit të besimit tonë prej 6 muajsh si në aspektin organizativ, politik dhe deri në atë ligjor, zonja Hajdari në mënyrë verbale deklaroi dorëheqjen e saj në mënyrë verbale përballë grupit. Pas këtij momenti grupi kaloi në procesin zgjedhor të zgjedhjes së kryetarit të tij.

Për këtë arsye u propozuan tre kandidatura z.Alban Zeneli, z.Halit Valteri dhe Korab Lita. Z.Alban Zeneli u tërhoq nga gara dhe në garë ngelën dy kandidatura. Halit Valteri dhe Korab Lita. Zoti Valteri kërkoi kohë për të takuar kolegët me qëllim lobimin për vota nga kolegët për këtë detyrë. Me unanimitet grupi vendosi që t’i jepet kohë zoti Valteri deri ditën e nesërme datë 11 tetor 2019. Në këtë mbledhje pasi kishte bërë lobim dhe nuk gjeti mbështetje nga kolegët për këtë detyrë, zoti Valteri deklaroi se tërhiqet dhe më mbështet mua në këtë garë. Për këtë u votua në mënyrë të hapur dhe u përpilua procesverbali i mbledhjes dhe u vendos nga të gjithë të pranishmit në mbledhje, në mënyrë unanime. Pas këtij momenti në respekt të rregullores së Kuvendit, neni 16, pika 2 është bërë procedura për të njoftuar kryetarin e Kuvendit për ndryshimet e bëra. Kjo procedurë është firmosur nga 7 anëtarët e grupit, përfshirë edhe zotin Valteri, procedurë e cila u dërgua në protokollin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Kjo është e gjitha ajo çka ka ndodhur, në respekt të informimit të opinionit publik”, tha Lita.

Korab Lita tha se grupi parlamentar nuk rrezikon të shpërbëhet pasi ka 9 anëtarë në total.

“Zonja Hajdari ka qenë në mbledhje dhe ka dhënë dorëheqjen. Nëse tërhiqet zoti Valteri mbetemi 8 deputetë, nuk ka asnjë problem”, tha Lita.

Aktualisht grupi parlamentar “Demokrat” ka në përbërje 9 deputetë, Myslim Murrizi, Alban Zeneli, Fatjona Dhimitri, Halil Jakimi, Arben Elezi, Arlind Çarçani, Korab Lita, Rudina Hajdari, Halit valteri.