Zbardhen emrat e kryebashkakëve të qyteteve kryesore

503
Sigal

Përballjet interesante/Në Tiranë, Pandeli Majko-Halim Kosova. Në Vlorë: Saimir Tahiri-Bujar Leskaj. Në Durrës: Vangjush Dako-Agron Duka. Në Elbasan: Qazim Sejdini-Aurel Bylykbashi. Në Fier: Fate Velaj-Krinko Mema. Në Shkodër: Keti Bazhdari-Gjokë Uldedaj. Në Lezhë:Viktor Tusha-Pashkë Gjoni, ose Aldo Bumçi. Në Gjirokastër: Auron Tare-Igli Kokalari…

Ndarja e re administrative, duke e ulur numrin e njësive vendore në 61, qëllimi për të fituar në sa më shumë prej tyre pasi ky rezultat pritet të japë ndikim dhe në zgjedhjet parlamentare që pasojnë, kanë angazhuar si asnjëherë në këto 25 vite të demokracisë partitë e grupimet politike për të përzgjedhur kandidatë sa më përfaqësues. Këtë përzgjedhje dhe angazhimin total të forcave politike, e dikton dhe fakti i uljes së ndjeshme të numrit të votuesve të mundshëm, i cili, sipas sondazheve të fundit, pritet të ketë një rënie të ndjeshme. Kështu, sipas statistikave zyrtare, në zgjedhjet e qershorit 2013, nga 2 milion e 171 mijë banorë me të drejtë vote, votuan vetëm 1 milion e 72 mijë persona. Sipas sondazheve të fundit, për shkak të pakënaqësive lidhur me premtimet e mbajtura e shkaqe të tjera, nëse ballafaqimi elektoral do të bëhej në këto momente, në votime do të dilnin vetëm 1 milion e 490 mijë persona. Dhe pse në dukje të jepet përshtypja se ka kohë ende deri në ditën e shkuarjes tek kutitë e votimit më 21 qershor, në fakt, kryesisht në rrethe të ngushta të forumeve vendim marrëse partiake, janë bërë e po bëhen takime, konsulta, e bile në jo pak rrethe, kryesisht ata të mëdha, janë përcaktuar kandidaturat e mundshme e që aktualisht mbahen ‘nën mëngë’.

SKENAT DHE PRAPASKENAT

Burime konfidenciale për ‘Telegraf’ pohojnë se java që shkoi ka qenë e ngjeshur me takime e konsulta në shtabet më të larta partiake të majta dhe të djathta, ku mësohet se janë diskutuar kandidatura për disa njësi vendore kyçe. Ka pasur drejtues të partive si ajo e kreut të Partisë Republikane Fatmir Mediu që e kanë publikuar hapur në media se përfaqësues i së djathtës në zgjedhjet vendore, për qytetin e Durrësit, si përfaqësues i së djathtës do të jetë Agron Duka. Sigurisht, publikimi i një kandidature, në rastin konkret, i së djathtës në qytetin nr 2 në vend, Durrësin, sipas burimeve konfidenciale të ‘Telegraf’, ka ardhur pas diskutimeve të liderëve të së djathtës, ku janë marr dhe disa projekt-vendime e vendime për kandidatë përfaqësues në njësitë e tjera vendore. ‘Emrat e vendosur, më saktë të paravendosur, janë zgjedhur si më të mirët PËR SHUMË ARËSUE. Së pari, për të fituar sa më shumë njësi vendore, por dhe për shkak të kompetencave që do kenë këta të zgjedhur në emërimet e zëvendësve të tyre (deri dje të zgjedhur) në komunat e bashkitë e shkrira’= shtojnë burimet e rezervuara për ‘Telegraf’. Një takim i rëndësishëm të krerëve vendimmarrës të së majtës, sipas burimeve të mësipërme, është zhvilluar dhe në fundjavën që shkoi. ‘Në këtë mbledhje, janë piketuar kandidatura të rëndësishme si ajo e ministrit të brendshëm ën Vlorë dhe e një ish-ministri e dy grave ministre aktuale, për Tiranë’-shtojnë burimet e mësipërme.

KUSH DO PËRBALLEN NË ZGJEDHJE

Po cilat janë emrat e të përzgjedhurve dhe kush do jenë përballë në bashkitë kryesore të vendit në zgjedhjet vendore të këtij viti? Gjithmonë, referuar burimeve të mësipërme konfidenciale, disa nga përballjet interesante do të jenë si më poshtë. Dihet, që interesi për mbajtjen e bashkisë së kryeqytetit, është i lakmueshëm dhe synim për dy kampet, të djathtët për ta mbajtur dhe një mandat, ndërsa të majtët për t’ ia marrë Lulëzim Bashës, kreu aktual i bashkisë dhe njëkohësisht lideri i opozitës në vend. ‘Pas shumë debatesh, paraprakisht, për kandidim për bashkinë e Tiranës, është ish-Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko. Kandidatura të mundshme nga e majta, janë dhe ministret aktuale Mimi Kodheli e Lindita Nikolla. Ndërkohë, Monika Kryemadhi deklaroi se nuk do të ejtë kandidate për Tiranën. Ndërsa nga e djathta, kandidatë janë mjeku i njohur, deputeti Halim Kosova dhe anëtarja e forumeve të larta të PD-së Grida Dume. Ballafaqimi më i mundshëm pritet të jetë Pandeli Majko-Halim Kosova’- shtojnë burimet e mësipërme. Ndërsa interesant dhe ndoshta surprizë, mund të jetë kandidimi i Saimir Tahirit në Vlorë. Burimi i mësipërm shton se ky kandidim, ‘është shoqëruar dhe me disa masa paraprake lëvizjesh e emërimesh, me qëllim qenien e tyre në shtabet elektorale.  Dhe nga e djathta, kryesisht nga faktorë vendas me peshë, sipas burimeve konfidenciale, pritet të jetë kandidimi i mundshëm i Bujar Leskajt, kreut aktual të KLSH-së Bujar Leskaj për bashkinë e Vlorës. ‘Kandidatura e diskutuar dhe më parësorja e së majtës është Saimir Tahiri. Kandidaturë tjetër është dhe ajo e Arben Isarajt. Ndërsa nga e djathta, surprizë pritet të jetë Bujar Leskaj, i cili, sipas faktorëve vendas, garanton mbështetje masive jo vetëm tek e djathta. Në Elbasan, përfaqësues i së majtës, pritet të jetë përsëri Qazim Sejdini, kreu aktual i bashkisë. Ndërsa rivali i tij, përfaqësues i së djathtës, pritet të jetë deputeti Aurel Bylykbashi. Në Durrës, përfaqësues i së majtës pritet të jetë kreu aktual i bashkisë, Engjëll Dako, dhe pse, përflitet që në kupolën e majtë në qendër, sikur nuk e ka mbështetjen e plotë. Ndërsa qenia përballë tij e Agron Dukës, me lidhje të forta familjare me të majtën, të lë përshtypjen e ‘shitjes’ së tij nga e majta. Në Korçë, kandidatura e së majtës pritet të jetë kreu aktual, Sotiraq Filto, i përfolur se ka mbështetjen e fortë të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi. Nga e djathta, kandidat për këtë bashki, pritet të jetë Gjergji Mero, rektori i Universitetit të Korçës, me reputacion në komunitetin vendas.  E majta, në qytetin e Fierit, nuk do e kandidoj më Z. Zeqo, kreun aktual por një përzgjedhje e pritshme së shpejti midis Fate Velajt, këshilltar i kryeministrit të vendit dhe deputeti Armando Subashit. Ndërsa përfaqësues të së djathtës përfliten Krinko Mema ose një deputet i njohur i së djathtës. Edhe në Berat, kreu aktual i bashkisë, nuk pritet të gëzojë besimin e qendrës për rikandidim. I përzgjedhur i së majtës, në këtë bashki në zgjedhjet e ardhshme lokale do të jetë Stavri Ceta, Lefter Maliqi, ose Bujar Hoxha, ish-prefekt i Qarkut. Nga e majta, në këtë qark, PS do të kandidoj përfaqësuesit e saj në emër të së majtës në Berat, Ura Vajgurore dhe në Poliçan. Ndërsa në Kuçovë dhe Çorovodë, kandidatë të së majtës, do të jenë përfaqësuesit e LSI-së. Interesante pritet të jetë përballja  në bashkinë e Shkodrës. Përballë njëri-tjetrit, për fonin e qytetarit nr 1 të veriut të vendit, do të jenë Keti Bazhdari, përfaqësues e së majtës që vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë dhe Gjokë Uldedaj, përfaqësues i së djathtës. Ndërsa për kryebashkiak i qytetit të Lezhës, i besuari i së majtës do të jetë kreu aktual i bashkisë, Viktor Tusha, ndërsa përfaqësues të së djathtës e përballë tij pritet të jetë Pashkë Gjoni. Nuk përjashtohet dhe mundësia që përfaqësues i së djathtës në këtë bashki të jetë deputeti i PD-së Aldo Bumçi. Në Malësinë e Madhe, pritet që të pëballen për kryetar bashkie Anton Kola, si përfaqësues i PD-së e forcave të djathta me Tonin Marinën, përfaqësues i së majtës. Po ashtu, interesante pritet të jetë gara dhe për bashkinë e qytetit të gurtë, Gjirokastrës. Dy janë përfaqësuesit e së majtës për këtë bashki, përkatësisht Auron Tare dhe Zamira Rama, prefektja aktuale e qarkut. Ndërsa përfaqësuesi i së djathtës do të dalë nga katërshja Igli Kokalari, Ilir Lluri, Roland Bejko e Ilia Kuro’- shtojnë burimet konfidenciale për ‘Telegraf’.

PIKËPYETJE TË PËRBALLJES

Ndonëse përfaqësuesit-kandiadtë për në bashkitë kryesore të vendit, në një farë mase, sipas burimeve të mësipërme, janë piketuar, ende në të dy kampet e politikës, ka shumë probleme që ende nuk janë zgjidhur, ose më saktë nuk janë saktësuar apo publikuar. Kjo nis që nga përcaktimi i aleancave zgjedhore, e deri tek kontradiktat apo qejf mbetjet brenda grupimeve. Burimet konfidenciale për ‘Telegraf’ shtojnë se që në piketimet e para të kandidatëve përfaqësues në zgjedhjet vendore të këtij viti, kanë nisur qejf mbetjet, si pjesë e klaneve të interesave të përfolura jo pak, veçanërisht kohët e fundit. Gjithë se si, forcat politike të të dy kampeve, tashëm i akne ndezur ‘motorët’ e fushatës, për një rrugë që pritet të jetë aq sa e vështirë, por dhe me shumë të papritura.

 DISA NGA PËRBALLJET

-Në Tiranë: Pandeli Majko, Mimi Kodheli ose Lindita Nikolla të së majtës, me Halim Kosovën ose Grida Dumën të së së djathtës.

-Në Vlorë: Saimir Tahiri ose Arben Isaraj të së majtës, me Arben Leskajn e së djathtës.

-Në Elbasan: Qazim Sejdini, përfaqësues i së majtës me Aurel Bylykbashin, përfaqësues të së djathtës.

-Në Durrës: Vangjush Dako, përfaqësues i së majtës me Agron Dukën, përfaqësues i së djathtës

-Në Korçë: Sotiraq Filto, përfaqësues i së majtës me Gjergji Meron, përfaqësues të së djathtës

-Në Fier: Fate Velaj ose Armand Subashi, përfaqësues të së majtës me Krinko Memën, përfaqësues të së djathtës

-Në Berat: Stavri Ceta, përfaqësues i së majtës me Lefter Maliqin ose Bujar Hoxhën, përfaqësues të së djathtës

-Në Shkodër: Keti Bazhdari, përfaqësuese e së majtës me Gjokë Uldedajn, përfaqësues të së djathtës

-Në Lezhë: Viktor Tusha, përfaqësuese i së majtës me Pashkë Gjonin, ose Aldo Bumçin, përfaqësues të së djathtës

-Në Malësinë e Madhe: Tonin Marina, përfaqësuese i së majtës me Anton Kolën, përfaqësues të së djathtës

-Në Gjirokastër: Auron Tare ose Zamira Rama, përfaqësues të së majtës me një nga katërshja Igli Kokalarin, Roland Bejko e Ilia Kuro, përfaqësues të së djathtës.

 Agron LIKU