Zana Zhuka, molla e sherrit në seancën e sotme

432
Sigal

TIRANE- Debate të ashpra në sallën e Kuvendit, në lidhje me shkarkimi ne Zana Xhukës, nga detyra e kryeinspektores së ILDKP-së. Debatet kanë përfshirë deputetët e opozitës dhe ata të mazhorancës, në lidhje me ligjshmërinë e rrugës së futjes në rendin e ditës të kësaj çështjeje.Debate dhe përplasje kishte mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta, për ligjshmërin e procedurave. Berisha tha se, kjo që po ndodh sot ishte një puç për institucionet e pavarura. Ndërsa Meta tha se, ka qenë gjithmonë kundër mënyrës se si është zgjedhur ajo.Përplasje e ashpër edhe mes deputetëve Jozefina Topalli dhe Fatmir Xhafaj. Ky i fundit akuzoi Topallin se e kishte kthyer Kuvendin në shtojcë të PD-së, ndërsa për Topallin, Xhafaj është shumë qesharak në ata që deklaroi në podiumin e Kuvendit.

SEANCA E KUVENDIT MINUTE PAS MINUTE

ORA 11:45 TOPALLI: PO E SULMONI XHUKËN SEPSE NUK ËSHTË SI JU
“Meqë ju jeni në pushtet mendoni se mund të zhbëni çdo gjë të miratuar në legjislaturat e kaluara. Nuk e bëni dot. Hapni procesverbalet kur janë miratuar kandidaturat dhe ju nuk keni pasur asnjë ankesë”, tha Topalli.“Sot ishit qesharak, jo vetëm për atë që keni nxjerrë nga goja, por jeni i pari i kreut të Komisionit të Ligjeve, që krijoni një grup hetimor me oficerë të Policisë së Burgjeve. Ajo nuk është e pasur, ajo jeton me rrogën e saj dhe prandaj ju po kërkoni që ta hiqni. Kjo është fundi i shtetit dhe është fundi juaj”, tha deputetja e PD-së, Jozefina Topalli.

ORA 11:37 XHAFAJ: XHUKA KA SFIDUAR KUVENDIN DHE JU PO E MBRONI
“Kjo zonjë që foli para meje nuk duhet të flasë ndonjëherë për rregulla në Kuvend, sepse e kishte kthyer parlamentin në një shtojcë të PD dhe kryeministrit të tyre. Komisioni i ka kërkuar seancës që të votojë për dekretet e Presidentit të janarit 2013. Ky është i njëjti rast si ai i AKEP, pavlefshmëri e aktit të Kuvendit. Është një rast i njëjtë. Kuvendi është përballur me kërkesat e komisionit”, tha në fjalën e tij, deputeti socialist, Fatmir Xhafaj.“Ne atë zonjë e kemi thirrur 3 herë dhe ska denjuar të vijë. E kemi thirrur në komisionin e Ligjeve por nuk ka denjuar të vijë. Ajo zonjë e ka sfiduar Kuvendin e Shqipërisë dhe ju po i dilni në krah. Ju po i dilni në krah një vendimi të jashtligjshëm që keni marrë në janar 2013. Dhe tani për marrëdhëniet e tua personale (i drejtohet Topallit) ju e mbroni. Ka perënduar koha jote kur ju e bënit Kuvendin si të donte qejfi”, tha gjatë fjalës së tij, deputeti Xhafaj.

ORA 11:31 TOPALLI: JU DONI TË MBRONI MILIARDAT E PADEKLARUAR
“Ajo që po ndodh sot është e paprecendetë. Këto kanë miliarda dhe meqenëse nuk i kanë deklaruar këta duan të vejnë ata njeriun e tyre që të mos i deklarojnë dhe kjo është arsyeja kryesore”, tha ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

ORA 11:25 RUÇI: DONI TË MBANI XHUKËN, BËJINI VOTAT
“Të gjithë e di se çfarë lufte ka zhvilluar opozita e djeshme, mazhoranca e sotme për zbatimin ligjit. Nëse do i referoheshim asaj se çfarë është shkruar në rendin e ditës nuk ka lidhje me atë që ka tha kreu i grupit të PD. Ne sot nuk kemi aspak qëllim të uzurpojmë të kapim kreun e ILDKP-së. Tradicionalisht në drejtim tuaj është shkelur procedura parlamentare, pretendimet e kandidatëve.Në asnjë rast dekretet e presidentit, për emërime, shkarkime, etj, për të cilat jep pëlqimin parlamenti, asnjëherë nuk kanë ndjekur rrugën program, kalendar, seancë, por hyjnë automatikisht. Sipas rregullores thuhet për të rivotuar atë dekret të presidentit me të dy emrat. Këto janë rregullat e demokracisë, krijoni lobingje, kërkoni vota dhe e votojmë. Paligjshmërinë ta bëjmë të ligjshme, shkeljen e rregullores ta vejmë në shinat e rregullores”, tha kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi.

ORA 11:15 BERISHA: RAMA PO HAKMERRET PER PALLATIN E LINDES
Ish-kryeministri Sali Berisha në seancë tha se, “kjo seancë bën një puç të vërtetë për institucionet”. “Kryekreu i socialistëve i cili udhëhiqet vetëm nga udhëheqja e psikikës së tij është tërbuar me zonjës vetëm sepse ajo guxoi ti dërgojë një letër zonjës Basha dhe zotit Rama që të paraqiteshin dhe të jepnin shpjegime për pallatin 5 katësh. Ajo u kërkoi konform ligjeve të shtetit që të paraqesin pasurinë”, tha Berisha.Sipas tij, “sapo erdhi në pushtet ju vërsul me tërbim për ta hequr, kjo është historia e turpit dhe e juaja, ndërsa ne na lind e drejta që të marrim çdo vendim, ndaj këtij parlamenti që s’mund të quhet më i tillë. Ky është një turp kombëtar që përdoret në mbrojtje të interesave të krimit, trafikantëve që lajnë paratë”.“Çdo ditë e më shumë faktohet se ti je parti e disintegrimit. Ju vërtetë sakrifikoni Zana Xhukën për pallatin e bashkëkryetarit, por ju po sakrifikoni statusin e vendit kandidat. Ne presim që të ecim drejt standardeve, kurse ju në parlament shkelmoni ligjet.Në BE nuk ka asnjë qëndrim armiqësor, por vetëm miqësor ndaj nesh. Por ajo që kërkojnë ata janë standardet. Këto janë interesi jetik i qytetarëve, pasi i bëjnë të lirë, të begatë, pasi këto standarde kufizojnë pushtetet, që sjell edhe respektimin e njëri-tjetrit. Ne do të flasim, të themi të vërtetat dhe ne do të lobojmë për integrimin.Pretendimi është që ju të respektoni rregulloret. Ju sot keni zgjedhur të bëni kamikazin, por ju po ndëshkoni Shqipërinë dhe veten. Ky është një akt i shëmtuar. Opozita ka fjalën dhe rregulloren këtë ka në dorë opozita”, deklaroi Berisha.

Debati mes Berishës dhe Metës
Meta: Ju kërkoni që të mbledh konferencën e kryetarëve:
Berisha: Jo jo
Meta: Ju pretendoni se është bërë skandali? Po është bërë që në momentin kur ju nuk e keni marrë e parë dekretin e presidentit të datës 16 janar 2013.
Berisha: Rrugëdalja e vetme nga ky qorrsokak është heqja nga rendi i ditës i kësaj. Nëse nuk e hiqni, sepse ju nuk e do e hiqni pasi siç e keni nisur me vrull, pasi kryekreu i është sulur me tërbim sepse ajo kërkoi thjeshtë llogari se me cilën pasuri ndërtove pallatin dhe vilën.

Meta: Duhet të keni parasysh se këtu vërtetë ka ndodhur një problem i madh, kur pikërisht në seancën ku do të votohej për dekretin e presidentit për ILDKP-në, ku neni 1 thuhet se, Zana Xhuka dhe Shkëlqim Ganaj, është votuar për një kandidaturë dhe Kuvendi nuk është shprehur për kandidaturën tjetër dhe njëkohësisht kjo kandidaturë është propozuar në kundërshtim me ligjin dhe këtë ua kam thënë edhe kur kam qenë në koalicion dhe nuk kam votuar për këtë kandidaturë. Ju ngrini shqetësimin se është futur në rend dite pa u diskutuar në konferencën e kryetarëve. E doni, unë e mbledh menjëherë.

ORA 11:10 SHKARKIMI I ZANA XHUKES, PALOKA: AS NE GJYQET E ENVERIT S’NDODH KESHTU 
Kreu i grupit PD thotë se përfshirja në rend të ditës e shkarkimit të kryetares së ILDKP-së është bërë në kundërshtim me të gjitha rregulloret.“Kjo është një procedurë që ka nisur me shkelje që në Komisionin e Ligjeve.  As në gjyqet e Enver Hoxhës nuk vepronte kështu, pasi kjo zonja që do të shkarkohet nuk është thirruar as të mbrojë veten kështu. Por në 20 shkurt vetëm në këtë mënyrë mund ta kujtonin diktatorin. Në shkresën e sjellë, kërkohet jo vetëm shkarkimi i Zana Xhukës, por kërkohet që të votohet edhe dekreti i atehërshëm i presidentit, që është dhe një emër tjetër (Shkëlqim Ganaj) që sot ju intereson ta kenë në krye të këtij institucioni.”- tha Paloka.Kryetari i komisionit të Ligjeve do të lexojë raportin e këtij komisioni “Për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të Kuvendit nr.1/2013 për Inspektoren e Përgjithshme të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ”PD pritet të jetë në seancë deri rreth orës 13:30 dhe më pas do të largohet për tu bërë pjesë e marshimit protest para qeverisë, e organizuar për tu mbajtur sot në ditën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës.Rendi i ditës i parlamentit parashikon dhe ratifikimin e dy marrëveshjeve, mes qeverisë shqiptare dhe Unicredit  Bank Austria A.G. për financimin e projektit mbarëkombëtar të radioterapisë.Po ashtu, deputetët pritet të diskutojnë dhe një shtesë në ligjin ”Për Partitë Politike”, si dhe pr/vendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare(AKEP).