Zamira Rami: Do të bëjmë një Gjirokastër më të mirë, do jem në shërbim të qytetarëve

612
Zamira Rami në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet e sigurtë se si kryebashkiake e re, do t’i jap një model të ri menaxhimi bashkisë, për të bërë një Gjirokastër më të mirë. Zonja Rami e mbështet besimin e fitores së saj, në njohjet dhe komunikimin që ndërtoi me qytetarët dhe banorët e bashkisë së re të Gjirokastërës, duke njohur çdo problem të të gjitha zonave, dhe mbi këto, janë hartuar edhe zgjidhjet konkrete, të cilat do të jenë afatshpejtë, afatmesëm dhe afatgjatë. Sipas zonjës Rami, që t’u fitosh besimin gjirokastritëve, lunxhiotëve, lazaratasve, lebërve, vllehëve që janë njeërz të mënçur, më parë duhet t’u fitosh zemërë, e këtë e bën kur u flet me sinqeritet 
– Zonja Rami, çdo të thotë që ju personalisht, të fitoni votbesimin e qytetarëve gjirokastritë për t’u bërë kryebashkiake?
– Do të thotë realisht shumë. Është privilegj i madh, po njëherazi një përgjegjësi po kaq e madhe. Gjirokastritët, lunxhiotët, lazaratasit, lebërit, vllehët janë njerëz të mençur, fisnikë e bujarë dhe t’u fitosh besimin do të thotë t’u fitosh zemrën. Kjo është e mundur vetëm nëse u flet konkretisht, duke i parë në sy, duke dëgjuar me vëmendje dhe duke folur me sinqeritet.
– Ju vetë, çfarë më shumë nga rivali politik u garantoni qyytetarëve që ata tju votbesojnë?
– Unë nuk di se çfarë garancish u jep rivali im politik. Mund të flas për vete dhe marrëdhënien time me komunitetin në këtë periudhë dymujore, të fushatës paraelektorale si dhe të asaj elektorale. Ju garantoj vëmendje për të gjithë, duke filluar nga Golemi e Tërbuqi, Saraqinishta e Lazarati. Kam një projekt konkret, të cilin banorët e kanë në duar dhe ku sqarohet me detaje se çfarë ne do të bëjmë gjatë 4 viteve të ardhshme. Njoh çdo problem të zonave dhe fshatrave, që nuk janë të paktë në bashkinë e re dhe kam zgjidhjet për to, që mund të jenë afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Kam vullnetin dhe dëshirën për të punuar për një Gjirokastër më të mirë, por mbi të gjitha për mua njeriu është vlera më e madhe që bashkia jonë ka dhe si e tillë do të jetë në focus të çdo projekti dhe të vizionit tonë.
– Për ju, cilat do të jenë prioritetet, si kryebashkiake e re e Gjirokastrës?
– Prioritetet janë të shumta, sikurse janë të shumta edhe problematikat. Megjithatë, dy janë shtyllat kryesore të programit tim, turizmi dhe bujqësia, si sektorët që do t’i japin hov zhvillimit ekonomik të bashkisë së Gjirokastrës. Në funksion të turizmit do të vendosim trashëgiminë tonë kulturore, materiale e jomateriale, kulinarinë e artizanatin. Ndërsa investimet, që do të kryhen në fshatra, do të sjellin shtimin e prodhimeve vendase dhe si rrjedhojë edhe më shumë të vetëpunësuar. Nxitja e këtyre sektorëve do të thotë më shumë të ardhura për komunitetin. Ndërkohë nuk mund të lë pa përmendur si prioritete edhe ndihmën e mbështetjen për shtresat në nevojë, komunitetin rom, personat me aftësi të kufizuara, apo ringritjen e artit dhe kulturës.
– Nëse bëjmë një balancë të premtimeve tuaja, me mundësitë dhe burimet konkrete fianciare të bashkisë tuaj, a mund të jenë plotësisht të mundhsme të konkretizohen premtimet që ju jepni në fushatë?
– Çdo projekt që kam premtuar është plotësisht i realizueshëm. Ne jemi me këmbë në tokë, e njohim realitetin nga do nisim punën, si njohim edhe problemet dhe mundësitë. Në programin tim për çdo projekt shprehet qartë edhe mënyra sesi do ta realizojmë. Përveç të ardhurave të bashkisë, kemi mbështetjen e qeverisë shqiptare, por do të lobojmë edhe me partnerë ndërkombëtarë, institucione e fondacione në mënyrë që pas 4 vitesh të jemi krenarë për atë çka kemi bërë.
– Ju shpesh herë jeni shprehur, se do të jepni një profil të ri menaxhimi dhe administrimi të bashkisë. Kokretisht, si do ta konkretizoni këtë?
– Sigurisht që bashkia do të ketë një profil menaxhimi, ku njeriu do të jetë në qendër të saj. Së pari do të ngremë këshillat konsultativë për të gjitha fushat, duke filluar nga urbanistika e arkitektura, trashëgimia kulturore, arti e kultura, shtresat në nevojë etj. Do të jenë këta këshilla, pjesë të të cilëve do të jenë ekspertë, që do të japin ide e mendime për projektet dhe njëkohësisht do të jenë oponentët më të fortë të Këshillit Bashkiak. Shoqëria civile dhe mediat do të jenë bashkëpunëtore të përditshme të bashkisë, si në drejtim të thithjes së sa më shumë fondeve për projekte në dobi të komunitetit, por do të jenë edhe promovues të fuqishëm. Për çdo investim që do të kryejmë në fshatra të ndryshme, do të ulemi të flasim paraprakisht me banorët dhe do të jenë ata që do të përcaktojnë prioritetin e tyre. Bashkia do të jetë plotësisht në shërbim të komunitetit dhe herë pas here mbledhjet e Këshillit Bashkiak do të dalin nga muret e sallës për të qenë pranë tij.
– Si mendoni, që në bashkinë e re, për shkak edhe të ndarjes territoriale, të njehësoni edhe ishkomunat e fshatrat, që të mos ndodhë që ato të jenë një realitet i shëputur?
Absolutisht po. Në vizionin tonë Gjirokastra, Lunxhëria, Lazarati, Antigonea, Odria, Picari e Cepo do të jenë një në syrin e investimeve dhe projekteve që do të zbatojmë. Do të ndërtojmë infrastrukturë bashkëkohore në të gjitha zonat, për të zbutur çdo dallim urban. Prodhimet bio të zonave rurale do të kenë kënde të posaçme në supermarketet e Gjirokastrës dhe në qytet do organizohet tregu i lëvizshëm i këtyre prodhimeve. Njehësimi i plotë është një projekt afatgjatë, por do të nisim menjëherë me projektet afatshkurtra për të arritur në objektivin final.
Sigal