Zamira Çavo:“Politika jonë është moçal që pjell mushkonja”

429
Sigal

* analiste dhe pedagoge

Zamira Çavo, me këndvështrimin e saj analitik të fenomeneve dhe ngjarjeve politike të ditëve të fundit, në intervistën për “Telegraf” pohon se, ne shqiptarët, me këtë klasë politike që kemi, do të na duhen dekada për të kuptuar se në demokraci vepron Ligji, ndërsa te ne, veprojnë dëshirat e individëve! Por, zonja Çavo, pret edhe nga ndërkombëtarët, që më në fund, të kuptojnë se me Berishën, nuk mund të bisedojnë më si një faktor politik i Shqipërisë së nesërme demokratike. Njëkohësisht, ndaj zërave, nëse opozita duhet të bojkotojë Kuvendin, sidomos pas dorëheqjeve të 2 anëtarëve të KQZ-së, zonja Çavo shpjegon se, opozita nuk duhet të bjerë në kurthin politik të bojkotit, që është ngrehur, pikërisht, nga veprimet antiligjore të Berishës.

– Duke qenë se kërkesa e PD-së për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së, ndryshoi disa herë, cili ishte motivi politik i debatit për ndryshimin e KQZ-së?

– Së pari, doja të thosha se nuk mund të ketë demokraci në një vend, ku ligji shkelet me të dyja këmbët nga ata që vetë e votojnë. Sa për kërkesën e PD-së, ajo kishte vetëm një qëllim: futjen në KQZ të një militanti të sajin. Motivimet e shkarkimit të Muhos janë përpjekje foshnjarake për të arritur qëllimin. Kjo tregon edhe njëherë se në Shqipëri dhe institucioni më apolitik, sikundër duhet të jetë KQZ-ja, është thjeshtë politik. Me këtë klasë politike që kemi, do na duhen dekada për të kuptuar se, në demokraci vepron Ligji dhe jo individi! Më thjeshtë akoma, kjo do të thotë që, në Shqipëri nuk ka as demokraci e as liri, sepse një vend që nuk mbështetet mbi ligje, nuk siguron dot as lirinë minimale.

– Cila është përshtypja e parë që mbërrin si mesazh, nga mënyra sesi u zhvillua debati dhe votimi në Kuvend për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së?

 – Nuk është thjeshtë përshtypje, është kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare! Politika jonë është një moçal që pjell vetëm shushunja, e në rastin më të mirë, mushkonja që gjithsesi na thithin gjakun! Kuvendi i Shqipërisë parmbrëmë ka treguar për të disatën herë se, një racë individësh pa moral, pa dinjitet e pa asnjë lloj lidhjeje me demokracinë, shohin vetëm ngjyrën e parave që sjell pushteti dhe jo hallet e një populli që i ka vajtur thika në palcë. E dini që  shqiptarët mbase nuk e ndjejnë akoma rrezikun që i pret dhe ky rrezik e ka emrin EKONOMI?

 – Si e gjykoni dorëheqjen e anëtarëve të KQZ-së, Biba dhe Shtylla?

– Dorëheqja e anëtarëve të KQZ-së, sipas tyre, është personale për arsye integriteti. Në mendimin tim, nuk mund të mos i konsideroj arsyet politike. Gjithsesi, procesi zgjedhor tashmë është krejtësisht i kompromentuar. Por shpresoj shumë që të gjendet gjuha e mirëkuptimit, që në rastin më të keq, të paktën të mos ndëshkohemi nga ndërkombëtarët.
– Si rrallë herë ndërkombëtarët ishin më të drejtpërdrejtë me mesazhet që dhanë për debatin e ndryshimit të KQZ-së. Sipas jush, përse ata u detyruan që të ishin kaq të hapur e troç në ndërhyrjet e tyre?

– E kam thënë me dhjetëra herë se ndërkombëtarët janë aty për të na treguar rrugët, por jo për të kaluar  ata. Konica thoshte se: “I huaji s’mund veçse të pranojë çmimin që një komb i vë vetes dhe kur vendasit e Shqipërisë, me gojën e levatinëve, të cilët  takohen më shumë me të huajt, e vënë çmimin më të ulët se një 0, qysh mund që të huajt, ta venë më lart?” Pra, kur ne vetë, pozita dhe opozita bashkë, kanë kaq kohë që nuk merren vesh, kanë kaq kohë që vetëm shajnë njëri- tjetrin dhe nuk ulen dot për të gjetur gjuhën për vendin, kur politika vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen, sigurisht që, të huajt do përdorin gjuhën e drejtpërdrejtë, jo për politikën, por për shqiptarët, që të kuptojnë se nga ç’racë politikanësh qeverisen! Por, unë personalisht, nuk shpresoj se ata do të zgjidhin ndonjë gjë. Ajo që pres unë nga ndërkombëtarët është shpresa se, më në fund e kanë kuptuar se njerëz si Berisha nuk duhet të konsiderohen më faktorë politikë, të Shqipërisë së nesërme.

– A mund të ketë pasoja politike prekja e KQZ-së, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor?

–  Pasojat politike do t’i shohim vetëm në 23 Qershor! Sa për Kuvendin e Shqipërisë, unë them se, e mbaroi misionin e vet me turp! Një Kryeministër, gati histerik në fjalën e tij, një kryeparlamentare,  që  në sjellje e fjalor, është e krahasueshme vetëm me një adoleshente injorante dhe ca socialistë, që pasi e kanë “mjelë” partinë e tyre në përfitime, i kthejnë shpinën për një të “ardhme” tjetër politike. Nuk është hera e parë që shikojmë të tilla shfaqe… Unë dëshiroj vetëm që njerëzit të binden e të kuptojnë se, çfarë rrezikojnë në xhepat e tyre me këtë model qeverisës që kemi. Nuk shkojmë dot gjatë me borxhe për të larë borxhet! Kjo për mua është pasoja më e rëndë që do të na godasë nëse kjo paloprocedurë do mbajë gjallë këtë model qeverisës!

– Ndryshimi në KQZ, a do të ketë ndonjë ndikim në imazhin e perceptimin që kanë faktorët ndërkombëtarë për procesin e integrimit të Shqipërisë?

 – Sigurisht që, do të këtë ndikim. Baronesha Ashton e dha paralajmërimin e saj, duke treguar se, me sa dyshim e vëmendje njëkohësisht e shikon Europa Shqipërinë. Sigurisht, që ky dyshim shton kohën për integrimin e vendit në Europë.

– Mendoni se me votat e majta u mbajt jo vetëm Qeveria, por edhe KQZ-ja? A tregon kjo se, lideri i opozitës nuk ka ditur të drejtojë mirë brenda partisë?

– Për mua nuk ka fare rëndësi se çfarë bën Rama në partinë e tij. Për mua ka rëndësi që në këtë politikën tonë imoraliteti është shndërruar fatkeqësisht në normë. Këtë duhet të zhdukim. Kapërcimet, sa nga njëra parti në tjetrën, duke mos pyetur fare për votat e elektoratit, më duket se i ka sjell vetëm dëm këtij vendi. Ndaj dhe jam skeptike në mundësitë që do ketë opozita për të qeverisur. Kjo varet nga njerëzit, të cilët kjo opozitë do t’i sjellë në Parlament, pra nga integriteti i tyre dhe, nga ana tjetër, sa do të jetë në gjendje të  ndryshojë modelin që LSI-ja ka patur në qeverisje.

– Mendoni se procesi zgjedhor do të vijimësojë në normalitet dhe do të respektohen standardet demokratike të zgjedhjeve?

 – Ka 22 vjet që ne gjithnjë zhvillojmë zgjedhje, por gjithnjë jashtë standardeve. Pra, unë nuk pres që këto zgjedhje të jenë më standarde, aq më tepër me një fillim të tillë absurd dhe antiligjor.

– A mendoni se deri tani opozita në përgjithësi dhe PS-ja në veçanti kanë ofruar në elektorat një program bindës për rotacionin politik?

–  Programi është sigurisht i denjë për një parti të majtë dhe unë e kam mbështetur këtë program. Por për mua me shumë rëndësi janë dy probleme: E para :sa  do të dojë, apo do të mund zoti Rama, t’i bëjë “gjyqin” modelit Berisha. Kjo do të thotë: a do të mbajë njeri përgjegjësi për këtë gjendje të mjeruar dhe për  arkat bosh të shtetit, për privatizimet pa as më të voglin mendim  ekonomik, por vetëm klientelist? E dyta: Cila do jetë reforma e parë që do të bëjë opozita, kur të vijë në pushtet? Nga këto të dyja them unë do të varet suksesi i opozitës në të ardhmen. Për mua nuk ka rëndësi  kush  qeveris, mjafton që të mos jetë ky model që është sot!

Në politikë bllokimi nxit autoritarizmin dhe ushqen konfliktin

– Ka mendime që opozita sot të bojkotojë Kuvendin, për të protestuar ndaj procesit të manipulimit të  zgjedhjeve, sikurse pretendojnë. Cili duhet të jetë reagimi opozitar, pa u  kompromentuar në politika të skajshme?
– Praktika e bojkotit, e bllokimit është një praktikë politike primitive. Berisha e ka aplikuar gjithnjë. Por edhe PS-ja nuk ka mbetur pas. Nuk zgjidh asgjë me politikë bllokuese. Në politikë bllokimi nxit autoritarizmin dhe ushqen konfliktin. Nuk kemi luksin që në këtë kohë kur dhe Serbia me Kosovën nuk po gjejnë gjuhën, të kalojmë në konflikte të kësaj natyrë. Opozita duhet t’i masë forcat me votën e lirë dhe të ngulmojë në zbatimin e ligjit. Kryesorja, të bëjë kujdes të mos mbjellë frymën e armiqësisë dhe bojkotit kudo e në çdo gjë, sepse, në të gjitha rastet, harxhet do t’i paguajë me votë nesër. Urtësia dhe zbatueshmëria ligjore janë mjeti më i mirë i daljes nga kjo situatë e ngatërruar politike. Berisha është i dashuruar pas konflikteve, sepse me to mbetet faktor. Kështu ndodhi në ‘97-n dhe këtë po kërkon dhe tani. Ndaj, opozita nuk duhet të bjerë në këtë kurth.

– Faleminderit!