Zamira Çavo:“Fushata elektorale shndërrohet në tregun më të madh të dinjiteteve njerëzore”

512
Sigal

INTERVISTA/Zamira Çavo, analiste: “Dëshira për të qenë deputet, është nevojë  për përfitim personal”

Fushata elektorale e zgjedhjeve të 23 Qershorit ka filluar me akuza dhe kundërakuza të palëve politike, sesa zbardhja dhe qasja e alternativave për elektoratin. Kësisoj, të ndodhur përballë këtij realiteti politik, vetë elektorati vihet përballë së vetmes dilemë: Të votojë  atë palë politike për të cilën beson se është më pak e…akuzuar. Analistja, Zamira Çavo, në intervistën për “Telegraf”, duke iu referuar këtij aktualiteti politik, shpjegon se cila është ajo nevojë e sotme për t’u bërë deputet, por edhe përse PD-ja nuk është shprehëse e së djathtës shqiptare.

Zonja Zamira, si e gjykoni fillimin e fushatës elektorale?

– Është një arenë e një lufte midis palëve politike dhe, njëkohësisht, një Pazar për përfitime personale. Nuk besoj se ka vend  tjetër në Europë, ku një parti i shikon kundërshtarët  e vet si armiq, sikurse ndodh me partitë në Shqipëri. Kjo është fryma e politikës shqiptare, e cila fatkeqësisht ka zënë vendin e vet dhe  në popull. Militantët e PD-së, konsiderojnë “komunist” çdo individ që shpreh një mendim pozitiv për Ramën, ose PS-në. Nga militantët e PS-së shikohet si ‘tropojan” çdo individ që shpreh apo mbron një ide të Berishës dhe pse mund të mos jetë fare anëtar i PD-së. Kjo frymë, gati urrejtjeje patologjike, e ngjizur në 22 vite të post-diktaturës është dëmi më i madh që i është bërë këtij populli. Por nga ana tjetër, sot fushata elektorale padyshim është shndërruar dhe në tregun më të madh të dinjiteteve njerëzore. E them me bindje këtë. Madje, dikush më tha se dëshira për të qenë deputet, është gati barazuar me dëshirën për të patur një master! Pra, si një nevojë për t’u certifikuar  për të siguruar  një përfitim personal!

– Si e gjykoni sjelljen politike të PD-së? A shpreh ajo interesat e së djathtës shqiptare?

– Unë mendoj se sot ka ardhur koha  për një të djathtë shqiptare. Nën këndvështrimin tim e djathta shqiptare në politikë nuk ka ekzistuar, për shumë arsye. Tradita, është njëra prej tyre. PD-ja lindi si revoltë popullore ndaj regjimit të Enver Hoxhës dhe mblodhi në gjirin e saj kundërshtarë të këtij regjimi. Por jo të djathtë të vërtetë. Kur në krye të kësaj partie doli z Berisha, një ish -anëtar i Partisë së Punës, është e kuptueshme që dhe drejtimi i saj  në perspektivën politike, nuk do të ishte i djathtë. Por ka një veçori që dikton sjelljen politike të PD-së. Në këtë parti bëjnë pjesë grupe të ndryshme të persekutuara nga regjimi komunist, por bëjnë pjesë dhe persekutorë, ish- anëtarë të Partisë së Punës, intelektualë, biznesmenë të rinj, etj.. Kjo përbërje kaq e çuditshme sociale  ka diktuar një sjellje politike të kësaj partie sa majtas aq djathtas, duke  sjellë modele të çoroditura politike, por edhe qeverisëse. Prandaj reformat që ndërmerr PD-ja, kur është në pushtet, janë reforma që asnjëherë nuk shkojnë dot deri në fund, për shkak të mungesës së vizionit të tyre. Pra, dhe nëse diktohen nga nevoja për të qenë djathtas, sigurisht tërhiqen nga mentaliteti komunist për t”qenë pranë popullit! Prandaj, PD-ja dështoi dhe me KOP-in e famshëm, i cili me të rinj të arsimuar dhe me kulturë vërtetë liberale, u përpoq t’i jepte një frymëmarrje djathtiste kësaj partie .Prandaj përgjigja ime është  e thjeshtë: PD-ja nuk është parti që shpreh interesat e së djathtës në Shqipëri!

– Si e shpjegoni qëndrimin kaq gjatë në politikë të z. Berisha?

– Z.Berisha ka një energji të jashtëzakonshme fizike, por edhe mendore. Nuk them dot nëse është punëtor ose jo, por them me bindje se ka ditur mjeshtërisht të përdorë të gjitha defektet e mangësitë e njerëzve për t’i bërë të rrinë “SUS” në politikë. Shkurt, ka qenë mjeshtër i gjetjes së gabimeve, për t’u bërë shantazh miqve e bashkëpunëtorëve të tij. Sa për politikën, mendoj se  është një politikan që e ka mbështetur karrierën e tij politike në agresivitet, kundërshti dhe mungesë vizioni. Por s’ka si të ishte ndryshe, pasi edukimi i tij profesional dhe politik nuk ja mundësonte një sjellje tjetër.  Vizioni dhe sjellja politike e z.Berisha kanë qenë e keqja e madhe e demokracisë shqiptare.

–  Mendoni se ka ardhur koha që PD-ja të ndryshojë lider?

Koha ka kaluar. Në demokraci lideri ndryshon dhe duhet të ndryshojë, por kam frikë se kjo nuk ka për të ndodhur në rastin e PD-së. Nuk kanë forcën e duhur për ta bërë këtë. Por nëse ndodh që Berisha të tërhiqet ( gjë e cila më duket e pabesueshme) do të mendoja  se klanet në PD-në do të dilnin në sipërfaqe me agresivitetin e mbledhur gjatë gjithë këtyre viteve. Personalisht do dëshiroja shumë që në krye të Partisë Demokratike të ishte z.Topalli. Si grua dhe si një figurë që i afrohet më shumë se djathtës. Sa për z. Basha, nuk besoj se e përballon një ngarkesë të tillë politike.

– Po koalicionet  që po përgatit PD-ja, mendoni se janë aleanca fituesish?

– Është gati e pakundërshtueshme ideja se demokracia është matematikë. Kush fiton numrat, ai dhe qeveris.  Në Shqipërinë e varfër, është shumë e vështirë të flasësh për demokraci, pasi votën mund ta blesh me një thes miell, ose me një fshirje nga lista e borxheve në dyqanin e fshatit apo lagjes. Por ka dhe një arsyetim tjetër: kur koalicionet mbështeten mbi pazare, vetëm demokraci nuk ka! Një parti me 2 e 3 deputetë të bën shantazh për katër vjet në pushtet! Ja pse mendoj se z. Berisha do mendojë shumë për të krijuar koalicione të qëndrueshme dhe jo të shantazhueshme. Për rrjedhojë do punojë më shumë me FRD-në.

– Do të ketë rol FRD-ja në zgjedhjet e 2013-s?

– Po ta marrim si proces, nuk është hera e parë që PD-ja ndahet në pjesëza që më tej i janë ribashkuar sërish. Kjo ka ndodhur pasi çdo parti tjetër që ka dalë prej saj, nuk ka mundur të gjejë vizionin e vet politik, për arsye se liderët e saj janë “gatuar” me të njëjtin “brumë” politik, sikurse Berisha. Personalisht, shpresoj shumë që FRD-ja të jetë një parti e djathtë në Shqipëri. Dhe kam besim se do ia dalë mbanë, pasi mendoj se do përçojnë një model tjetër sjelljeje politike në vend.

PD-ja, nuk është shprehëse e së djathtës shqiptare

PD-ja lindi si revoltë popullore ndaj regjimit të Enver Hoxhës dhe mblodhi në gjirin e saj kundërshtarë të këtij regjimi. Por jo të djathtë të vërtetë. Kur në krye të kësaj partie doli z Berisha, një ish -anëtar i Partisë së Punës, është e kuptueshme që dhe drejtimi i saj  në perspektivën politike, nuk do të ishte i djathtë.

– Faleminderit!