Zamira Çavo: Deri tani nuk ka reforma, shpresoj, por jam kritike për drejtimin e duhur

396
Prof. Asoc. Zamira Çavo, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se evazioni fiskal po asfikson të ardhurat e buxhetit të shtetit, ngaqë nuk ka ndryshuar asgjë në 2 vjetët e qeverisjes, dhe shkaku janë klientelizmi, makutëria, paaftësia. Më e këqja, sipas politologes Çavo, është se ministritë përkatëse, ende nuk reagojnë. Prof. Çavo thotë se ende akoma nuk ka regorma, por demagogji. Rilindja, sipas bindjes së politologes Çavo, ka dëshirën ta luftojë korrupsionin, por nuk e gjen dot “rrugën”.
 
-Zonja Çavo mendoni se mosrealizimi i të ardhurave të qershorit e korrikut janë probleme të castit?

– Nëse ka problem, ai kurrë nuk mund të jetë spontan, sepse do të quhej incident. Por mosrealizimi i të ardhurave është një plagë që po gangrenizon ekonominë shqiptare prej vitesh. Informaliteti prej 25 vjetësh është ulur këmbëkryq dhe jo vetëm ka shkatërruar ekonominë, por ka rrënjosur edhe psikologjinë e vjedhjes, mashtrimit, mungesës së përgjegjësisë tek shqiptarët. Evazioni fiskal është në majë. Mjafton të shëtisni një ditë në çdo lokal qyteti, (caktojeni vetë se ku) dhe do bindeni se çfarë evazioni fiskal ka. Dhe fola vetëm për lokalet. Po për biznesin e madh?? Akoma më shumë. Sinqerisht unë prisja, që të paktën doganat dhe tatimet, do kishin mundur të hynin në rrugën e mbarë të Rilindjes. Por jam e zhgënyer, sepse u bënë 2 vjet dhe nuk besoj se gjendet më justifikim. Shkaku vazhdon të mbetet i pandryshuar si 25 vjet më parë: klientelizmi, makutëria, paaftësia.

– Ju si e shpjegoni që deklaratat e kryeministrit në fundkorrik, në analizën e 600 ditëve të qeverisjes bilancet për sukseset e të ardhurave. të rritjes së ekonomisë, u përgënjeshtruan të nesërmen nga FMN, nga Ministria e Financave? Thjesht Lapsus?

– Kryeministri është shqiptar. Mos kërkoni një lider që është jashtë nesh. Dhe ai është si ne, ndaj përpiqet të japë dozën e optimizimit që na duhet të gjithve. Pse nuk e keni vënë rë se ne shqiptarët “vdesim” të mashtrohemi??? Po kështu është, ndryshe nuk do ishim kaq indiferentë ndaj situatës ekonomike. Por ne preferojme të rrimë indiferentë, e të komentojmë deklaratat sipas midesë sonë.

– Papunësia rritet, bizneset asfiksohen, investimet mungojnë, ndërkohë që nga qeveritarët dëgjojmë se ekonomia jonë është në rritje, sipas parashikimeve. Keni ndjesinë që ekonomia monitorohet drejt nga qeveria?

– Nuk është punë ndjesie, është çështje ekonomie “budalla”, do të thoshte Klintoni. Ka disa indicie që më bëjnë të kuptoj se situata jonë ekonomike është në gjendje të vështirë: e para janë investimet, e dyta është fuqia punëtore, e treta është realizimet në të ardhura dhe e fundit është konsumi. Në mendimin tim asnjë nga këta faktorë nuk tregon rritje reale, për të mos thënë që ndonjë faktor shënon rënie të dukshme. Nuk e di nëse e ka këtë ndjesi Ministria e Ekonomisë, apo edhe ajo e Financës.

– Duhet akoma më shumë kohë që reformat e ndërmarra nga qeveria për përmirësimin ekonomik të japin frytet, apo ato kanë dështuar?

– Nuk e di çfarë përcaktoni ju me reforma. Unë ende nuk kam parë ndonjë të tillë. Unë pres që kapitalizmi shqiptar të mos vazhdojë të ecë kuturu, sipas indicieve spontane, që krijon vetë ekonomia e tregut. Unë pres të shikoj reforma që nuk fukosohen në llafollogjitë e demagogjitë e pafundme për “aksione”, që fillojnë me bujë dhe përfundojnë në dënimin e varfanjakëve, që s’kanë bukë të hanë. Kemi parë “aksione” që fillojnë me bujë, vazhdojnë disa javë e më pas harrohet gjithçka. Unë pres që të ketë reforma që janë studiuar mirë në afate të afërta, të mesme e madje dhe afatgjata. Jo, deri tani nuk ka asnjë reformë. Eshtë e njëjta situatë si në kohën e Berishës.

– Ju keni ndjesinë se kryeministri do reflektojë?

– E keni fjalën për ekonominë? Unë besoj se kryeministri e di mirë dhe situatën dhe mundësitë reale që egzistojnë për ta ndryshuar. Unë besoj se z Rama do të fokusohet shumë në ekonominë e vendit dhe jo në makiazhin e tij. Por të mos harrojmë atë që i ka bërë sistemi berishian ekonomisë së vendit; e ka shkatërruar vendin, aq sa nuk e kanë shkatërruar pushtuesit! Dhe askush nuk mban përgjegjësi.

– Edhe pse u premtua nga Rilindja për luftë kundër korrupsionit, asgjë nuk është bërë. Fajësohet vetëm sistemi i drejtësisë?

– Jo, unë mendoj se është bërë diçka. Por është luftë e vështirë që kërkon të ndryshojë ekonomia, drejtësia, mentaliteti. Kur dy të parat janë në nivele “akullnajore”, si mund të presim që dhe psikologjikisht shqiptarët të çlirohen nga korrupsioni? Sepse unë mendoj se dy faktorët e parë e kanë shndërruar në model të menduari këtë punën e korrupsionit. Besoj e keni të qartë që nuk po bëj fjalë për rryshfetin, por për KORRUPSIONIN, që nuk e bëjnë njerëzit e thjeshtë, por ata që kanë diçka në dorë. Ndiqni procedurat tenderuese, apo ato koncesionare, apo emërime e ku e di unë çfarë dhe do ta kuptoni që korrupsioni është shndërruar në “psikologji” drejtimi. Unë besoj se Rilindja e ka qëllimin e mirë për ta luftuar korrupsionin, por nuk po gjen dot “rrugën”. 

– Kryeministri Rama në një deklaratë në një revistë amerikane deklaroi se Ballkani është lodhur nga vonesa procesit të integrimit në BE. Nuk na do BE, apo demokracia jonë ende është larg standarteve europiane? 

– Nuk e kam lexuar këtë deklaratë të z Rama, por është një qëndrim i njohur i tij. Unë jam me këtë qëndrim të kryeministrit! Pra, e përkrah këtë dhe pse e di mirë se demokracia jonë nuk është demokraci, por nuk ka qënë e tillë as demokracia greke, apo rumune, kur u pranuan në BE. Ne kemi nevojë për Europën, por Europa e sotme është në kohën e saj më të keqe. Ajo e ka po kaq të domosdoshme zgjerimin e saj, ndryshe do të shkojë drejtë fundit.

– Ju e shikoni që qeverisja është në drejtimin e duhur?

– Kam akoma shpresë, edhe pse jam shumë kritike.

Faleminderit!
Sigal