Zamira Çavo: Vetingu, buxheti e kryeprokurori, fasadë e radhës. Taksat na kanë vënë me shpatulla pas murit

Çavo: Vetingu, buxheti e kryeprokurori fasadë e radhës, taksat na kanë vënë me shpatulla pas murit

“Uroj që shqiptarët të kuptojnë gjithnjë e më mirë se Berisha apo Basha, Rama apo Meta nuk kanë asnjë synim të përmirësojnë jetën tonë apo imazhin e vendit”

Zamira Çavo, Profesore e Shkencave Sociale, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, komenton situatën aktuale në vend. Përmbytjet që shkaktuan probleme të mëdha, Vetingu, buxheti 2018, varfëria, arsimi, zgjedhja e kryeprokurorit, taksat e larta, i kanë vënë shqiptarët me shpatulla pas murit, thotë Çavo. Gjithçka që bëhet nga politika, sipas saj, është vetëm fasadë. Të tilla i quan edhe deklaratat e fundit të lëshuara nga liderët politikë, pas përmbytjeve. E konsideron paradoks të madh faktin që Shqipëria vuan nga një mijë probleme dhe qeveritarët festojnë përvjetore dhe bëjnë falënderime sikur gjithçka të shkonte vaj. 

Zj Çavo si do ta përkufizonit situatën në të cilën ndodhet vendi? 
A nuk ju duket paradoksale që nga njëra anë përmbytjet kanë lënë në qiell të hapur me qindra familje e nga ana tjetër festojmë përvjetorë, bëjmë paradë suksesesh, dekorojmë…Në një këndvështrim kjo është jeta: diku ka dhimbje e diku ka gëzime. Por, paradoksi që ju thoni qëndron, sepse ka të bëjë me sjelljen e politikës sonë. Unë them se ky paradoks do vazhdojë të na shoqërojë edhe në të ardhmen pasi modeli ynë politik i 27 viteve të ashtuquajturës demokraci, është modeli i neoliberalizmit, që do të thotë një shtet që nuk do t’ia dijë për askënd, një shtet që në dukje siguron liritë e individit e që mbulohet pas këtyre lirive. Me pak fjalë shteti ynë investohet për “paranë” dhe atë që e zotëron këtë para. Kjo do të thotë se qeverisja investon aty ku paratë i kthehen politikës në forma të ndryshme dhe ndihmon ata që kanë pasuri të pasurohen edhe më tej. Dhe të gjithë këtë e bën nën një slogan : jeni të lirë të veproni, të mësoni, të fitoni e të jeni të lumtur! Ndërkaq shteti nuk ka asnjë punë me të gjitha këto që përmendëm. Ndaj investon në drita e shkëlqime, në fasada e në luks dhe jo në nevojat tona të përditshme.

Në shumë artikulime sot konsiderohen fajtor njerëzit që kanë ndërtuar afër lumenjve apo zonave të rrezikuara. Ju si mendoni?
Në asnjë mënyrë nuk mund të jenë fajtorë njerëzit. Prandaj duhet shteti që njeriu të kufizohet në zgjedhjet që bën e që dëmtojnë atë apo edhe të tjerët. Pra edhe në këtë rast është përgjegjës i vetëm Shteti, i cili legalizon aty ku individi ka ndërtuar pa kriter, që nuk vepron për pastrimin e kanaleve kulluese, që nuk nxjerr para përgjegjësisë tenderuesit dhe ndërtuesit që ndërtojnë si me karton ura apo argjinatura. Nëse jeni pak të vëmendshëm do vini re se si tentohet në emër të shtetit serioz, të rriten taksat tek populli por të favorizohen bizneset që bëjnë më shumë investime !!!!.E vini re tendencën që të kalohet nga tenderimet drejt partneritetit publik/privat? Sepse tendenca shkon drejt shndërrimit të gjithçkaje publike në private. Dhe këtij privatit që pasurohet duke futur duart në pasuri publike apo para publike, nuk u kërkohet llogari. Ata favorizohen edhe në rastin e përmbytjeve. Kjo e ka rritur varfërinë, por ka rritur me ritme galopante edhe pabarazinë. Në këtë çerek shekulli ka vetëm 30 familje në Shqipëri të cilat konkurrojnë me pasuri edhe miliarderët evropianë. Dhe shumica e këtyre janë në politikë! Dhe pastaj thonë se fajin e kanë njerëzit e gjorë që kanë ndërtuar afër lumenjve! Hipokrizi!

Po bizneset e mëdha e kanë siguruar fitimin e tyre me punë dhe sikundër thuhet sepse kanë qenë më të aftë e kanë punuar më shumë…???
Pikërisht këtë mundohen të na e thonë çdo ditë. Kjo është mbrojtja që u bëhet tendencave për rritje të pabarazisë dhe rritje të varfërisë. Të na mbushin mendjen se ata janë pasuruar sepse kanë më shumë mend e aftësi se të tjerët! Kjo mënyrë e të justifikuarit çon pastaj në idenë se të varfrit janë të tillë sepse nuk dinë, nuk kanë profesione, sepse ka punë por jo profesionistë! Dhe kështu faji i varfërisë, i përmbytjeve, i xhepave bosh është faji i individit që nuk është i aftë! Ja këtë po mundohen të na thonë çdo ditë !

Po nëse e pyesim z Rama sa investime publike ka bërë dhe sa ka ndihmuar për ta ulur papunësinë, me siguri do na përgjigjej : Ka ikur koha kur qeveria gjente punë!!! Dhe ka të drejtë sepse qeveritë tona nuk kanë punë me ne, kanë punë me veten e tyre! Sepse Rama, por edhe të tjerë para tij, tenderojnë paratë tona duke ia dhënë privatit investimet dhe privatin nuk e “urdhëron” dot për të punësuar apo për ta detyruar të japë paga të mira. Jo vetëm kaq, por shteti as nuk ka vënë ujin në zjarr për të verifikuar se sa skllavërisht punojnë sot njerëzit në këto kompani private që financohen edhe nga fondet tona!

Kohët e fundit kryeministri në shumë tryeza konferencash ka deklaruar se në vitin 2018 shumë gjëra do të ndryshojnë pozitivisht, madje për të dëshmuar edhe angazhimin e tij në realizmin me sukses të luftës kundër kanabizimit dhe Vettingut po i kërkon bashkëpunim në emër të Shqipërisë edhe opozitës. Si e shihni këtë lëvizje të tij?
Show! Nuk mund të mos ketë pasur, e mos të ketë edhe në të ardhmen një bashkëpunim mes Ramës e Berishës apo Bashës, apo Metës. Është foshnjarake të mendosh të kundërtën. Elita politike shqiptare është bërë njësh në interesat e saj. Ndaj janë bashkë kur u duhet të mbrojnë këto interesa. Harrojeni që kërkojnë apo duhet të jenë bashkë për interesat tona! Ja, ju si media mësuat gjë, se çfarë u tha për Buxhetin e çfarë do bëhet? Asgjë nuk morët vesh, sepse seanca e parlamentit ishte programuar që ne të mos merrnim vesh asgjë, ndërsa ata të vazhdonin teatrin e tyre me sharje individuale. Kështu do bëjnë edhe me vettingun. Sa për konferenca duhet të jeni mësuar tashmë. Neoliberalizmi “merr frymë” nga këto konferenca, apo fondacione, apo projekte ku derdhen me mijëra euro pa asnjë rezultat konkret, por që shfrytëzohen mirë për publicitet e për të treguar se sa mirë bashkëpunojmë me të huajt. Këta të fundit kanë gjetur parajsën në këtë vendin tonë të tejvarfër!

Po problemi i prokurorit të përgjithshëm si mendoni se do zgjidhet? A ka shkelje kushtetute në qëndrimin e maxhorancës?
Personalisht mendoj se e kanë bërë marrëveshjen më parë dhe do bëjnë si gjithnjë shfaqjen e radhës. E kuptoni që demokracia është shndërruar në një teatër të madh ku populli është thjesht spektator? Ne vazhdojmë te merremi me hamendësimet tona, se cili do zgjidhet apo se cili do fitojë, por nuk shikojmë se si shtimi i taksave nga pak por në mënyrë të vazhdueshme, privatizimet, shpenzimet në rritje për shëndetësinë, për arsimin, na kanë vënë me shpatulla pas murit. 

Së fundi, a mund të na thoni diçka edhe për arsimin? A mendoni se brezi i ri po formohet për të qenë i aftë në tregun e punës?
Ky model që po e theksoj se nuk është model shqiptar por ndërkombëtar, e ka çuar problemin e arsimimit në ngrërç. Askujt nuk i intereson një shoqëri me dije, por i intereson një shoqëri mediokre, ku antivlera paraqitet si vlerë e ku të joshin duke reklamuar “ ekonomi dije”, apo i përshtatemi kërkesave të tregut! Arsimi është kthyer kështu në mall që shitet e blihet. Po se mos vetëm arsimi! Sot shitet e blihet çdo gjë.

Sërish dua të tërheq vëmendjen në një tendencë të qeverisjes sonë 27 vjeçare. Liri dhe sa më shumë liri. Liri pa kufizime. Dhe në dukje është atraktive për njerëzit. Por e dini ç’po ndodh në realitet? Pasi një të vetëquajture poete, ministria e arsimit i jep një çmim vlerësues për një vëllim poetik skandaloz medikokër dhe i pacipë në fjalor (për të mos thënë banal në çdo germë) tashmë autorja na “gostit” me një tjetër qasje “poetike” ku përveç shprehjes në mënyrë krejtësisht banale të dëshirës së saj seksuale, na dëshmon se hera herës mund ta pranojmë edhe incestin!!! Dhe pastaj poetja apo të tjerë “vlerësues” të kësaj çmendurie e disekulibri social, shkojnë në konferenca dhe mbajnë referime kundër dhunës, kundër incestit apo ku e di unë se çfarë! Ja pra paradokset e kulturës dhe arsimit në Shqipërinë tonë hallemadhe. 

Si e parashikoni vitin 2018 për shqiptarët? A do mund të çelim negociatat me BE-në sikundër u tha në Bruksel?
Unë uroj më të mirën për shqiptarët, dhe sinqerisht uroj e shpresoj të hapin sytë e të kuptojnë se sa më indiferent ndaj njëri tjetrit, sa më shumë individualist të jemi, sa më pak të bëhemi bashkë, aq më shumë do zgjasim agoninë tonë e do vazhdojmë të shpresojmë me sytë nga ekranet. Ama them se edhe 2018 nuk do ketë ndryshim nga ato që kemi kaluar, do kemi rritje ekonomike, por xhepat tanë do jenë gjithnjë bosh, do kemi më shumë rrugë të bukura, por çmimet e karburantit apo taksat e rrugës do na i reduktojnë mundësitë që të udhëtojmë, do kemi më shumë hotele luksoze që vetëm do t’u marrim fotografitë, por jo t’i shikojmë për shkak të çmimeve të tyre e do vazhdojmë t’i gëzohemi “lirisë” se ekraneve ku do shikojmë edhe më shpesh kallashë e karabina, e ku askush nuk interesohet nëse je duke vdekur në spital. Uroj që shqiptarët të kuptojnë gjithnjë e më mirë se Berisha, apo Basha, Rama apo Meta nuk kanë asnjë synim të përmirësojnë jetën tonë apo imazhin e vendit. Sa për Evropën, më mirë të presim e të shikojmë.