Zaganjori vizitë zyrtare në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, në Luksemburg

45
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, zhvilloi në datat 21-22 tetor një vizitë zyrtare në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED) në Luksemburg. Zaganjori është pritur në një takim të veçantë nga Presidenti i ri i GJED, Koen Lenaerts.  Lenaerts i uroi mirëseardhjen delegacionit shqiptar duke shprehur kënaqësinë e tij për prezencën e tyre në këtë gjykatë. Ai theksoi se tashmë Shqipëria, sidomos pas marrjes së statusit të vendit kandidat, i përket akoma dhe më shumë familjes evropiane. Si e tillë ajo është pjesë e sistemit dhe e drejta komunitare është bërë e prekshme dhe për gjyqësorin shqiptar.  Lenaerts shprehu vlerësimet e tij për progresin që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës, zhvillimit dhe progresit ekonomik si dhe përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarit. Sipas tij, drejt këtyre standardeve ecet me politika të përbashkëta të cilat përfshijnë edhe vendet kandidate, por gjithmonë duke ruajtur vlerat kombëtare si pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit. Megjithatë ai theksoi nevojën e forcimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, rritjen e besimit të publikut tek drejtësia, rritjen e transparencës dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. 
Lenaerts vuri në dukje se Gjykata e Drejtësisë garanton zbatimin e të drejtës së B.E. dhe barazinë e të gjithë shteteve anëtare të BE-së përpara ligjit. Në këtë drejtim, ajo bashkëpunon me gjykatat kombëtare dhe për këtë arsye, këto të fundit duhet të bashkëpunojnë me këtë gjykatë veçanërisht në paraqitjen e çështjeve paragjykimore. Por zbatimi i të drejtës së B.E., vlen jo vetëm për sistemin gjyqësor, por edhe pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv duhet të marrin masat e nevojshme për implementimin e tij.  Nga ana e tij, Kryetari Zaganjori falenderoi për pritjen e ngrohtë që iu rezervua delegacionit shqiptar, duke vënë theksin tek sfidat me të cilat përballen sot gjykatat shqiptare. Sipas tij në kuadër të detyrave të progres raporteve të BE-së, Shqipëria ka vijuar reformat jo vetëm për të realizuar pritshmëritë e Bashkimit Evropian, që kanë të bëjnë me forcimin e pavarësisë, eficiencës së sistemit gjyqësor si dhe realizimin e një shërbimi cilësor ndaj publikut. Gjykatat shqiptare kanë filluar të njihen dhe të përvetësojnë të drejtën e B.E., e cila po behet gjithnjë e më e prekshme. Në këtë drejtim një rol pozitiv, përkrah vizitave studimore dhe asistencës ndërkombëtare, ka luajtur edhe Shkolla e Magjistraturës e cila i ka kushtuar vëmendje trajnimeve fillestare dhe vazhduese të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në vendin tonë, si Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, në disa vendime të tyre i referohen standardeve të GJED-së si dhe standardeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Sipas Z. Zaganjori, në të ardhmen do ti kushtohet një vëmendje më e madhe respektimit dhe zbatimit të këtyre standardeve. Delegacioni shqiptar i cili kryesohej nga Z. Xhezair Zaganjori, përbëhej nga gjyqtarët Z. Ardian Dvorani, Znj. Arjana Fullani, Znj. Evelina Qirjako dhe Z. Mehdi Bici.