Zaganjori me ekspertët e Venecias:Të garantohet pavarësia e sistemit gjyqësor

434
Xhezair Zaganjori nën cilësinë e Kryetarit e Gjykatës së Lartë dhe Konferencës Gjyqësore Kombëtare, ka pritur ditën e hënë, një delegacion ekspertësh të Komisionit të Venecias të cilët ndodhen në Shqipëri për të ofruar asistencë teknike lidhur me procesin e reformës në sistemin e drejtësisë.
Takimi i zhvilluar në Gjykatën e Lartë, është në vazhdën e takimeve që delegacioni i ekspertëve po kryen gjatë këtyre ditëve me përfaqësues të lartë shtetit, politikës dhe të institucioneve të drejtësisë dhe gjyqësorit. Në këtë takim, në fokus kanë qenë ndryshimet kushtetuese të hartuara nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe të përcjella për mendim tek Komisioni i Venecias. 
Gjatë takimit, Zaganjori si dhe anëtarë të tjerë të trupës së gjyqtarëve që merrnin pjesë në takim, i paraqitën delegacionit të ekspertëve, mendime dhe komente në lidhje me ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me pushtetin gjyqësor në përgjithësi dhe për Gjykatën e Lartë në veçanti. Zaganjori, u shpreh se procesi i reformës në drejtësi është ndjekur me vëmendje nga gjyqtarët dhe se Gjykata e Lartë ka përfaqësuesit e saj në grupet e punës të ngritura për këtë qëllim. Ai theksoi se ky proces është mëse i domosdoshëm për Shqipërinë, pasi ekzistojnë shumë probleme të cilat kanë nevojë që të adresohen në mënyrë shteruese, por duke gjetur mekanizma të afta që të garantojnë dhe sigurojnë pavarësinë e gjyqësorit, eficiencën si dhe rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit.  Përfaqësuesit e delegacionit të ekspertëve kërkuan mendime e komente lidhur me ndryshimet e pritshme Kushtetuese duke shkëmbyer gjithashtu eksperienca ndërkombëtare të ngjashme. 
Sigal