Ylli Manjani replikon me Rexhep Qosen: Ja si lindin diktatorët në Shqipëri

531
Ish-ministri Ylli Manjani ka komentuar deklaratën e akademikut Rexhep Qosja mbi prirjen diktatoriale të politikanëve shqiptare. Qose thotë se janë servilët ata që prodhojnë diktatorë. Ndërkohë, Manjani shprehet se janë drejtuesit skizofrenikë ata që afrojnë rreth vetes servilët.
Komenti i plotë i Ylli Manjani:
Akademiku Rexhep Qosja thotë në tekst:
“Studiuesit e rendeve politiko-shoqërore dhe juridiko-kushtetare e thonë se tiranët, despotët, diktatorët nuk lindin të tillë, por të tillë i bëjnë kushtet dhe servilët e shumëllojshëm politikë e çerekintelektualët, i bëjnë të tillë “miqtë”, por edhe kundërshtarët e armiqtë. Enver Hoxha nuk kishte lindur diktator, por diktator e bënë kushtet, të këqijat e shumta që prodhuan njerëzit me sjellje e qëndrime të dënueshme, vrasësit, gjakmarrësit, hajnat, plaçkitësit, armiqtë e të tjerë dhe sidomos servilët e panumërt politikë dhe intelektualë.”…
Duke ruajtur respektin më të thellë për punën dhe veprën e Akademik Rexhep Qoses në shërbim të Kombit Shqiptar e kam të vështirë të bindem në vërtetësinë e kësaj teze.
Despotët, autokratët apo diktatorët nuk vijnë në pushtet nga servilët as nga çerekintelektualët. Përkundrazi servilët ftohen nga Autokrati i radhës për t’i shërbyer atij. Detyra e tyre klasike është të kolliten sa herë udhëheqësit i shpëton ndonjë pordhë….
Kështu populli dëgjon vetëm kollën manipulative të servilit dhe krijon bindjen e rreme se udhëheqësit punojnë shumë, aq sa po “ftohen” në punë…
Autokratët janë të lindur ose të sëmurë nga skizofrenia. Të dyja këto janë shkaqe të njohura në psikologji, që motivojnë aftësinë manipuluese të këtyre njerëzve.
Bota ka shembuj plot autokratësh që janë të tillë sepse janë lindur leader ose janë prekur nga sëmundja e skizofrenisë.
Me ç’kemi dëgjuar e lexuar, modestisht, drejtuesit autokratë janë provuar si të prekur nga sëmundja e skizofrenisë ose në biografinë e tyre njihen si leader të lindur (natyral born leader).
Sa i takon pjesës tjetër të tezës që janë hajnat, gjakmarrësit e armiqtë ata që “justifikojnë” bërjen diktator të dikujt, thellësisht mendoj se kjo është pjesë e manipulimit të njerëzve.
Zakonisht publikut i hidhet për konsum një “hajni” apo një “armik”. Këtu fillon manipulimi! Leaderi dhe servilët e tij, marrin pamjen e gjykatësit, policit e prokurorit dhe krijojnë një fabul. Ushtria e mediave të paguara e fryjnë fabulën dhe kështu lideri merr fuqinë absolute!
Qëllimi i autokratit nuk është goditja e “hajnit” por marrja e territorit ku ai plaçkiste…
Sa i takon armiqve, autokrati i quan të tillë të gjithë ata që mendojnë, flasin dhe kërkojnë rregulla e standarde.
Këto ide autokratit nuk i lindin rrugës as ja japin servilët, por e ka të ngulitur thellë në kokën e tij/saj.
Kjo është bindja ime për këtë tezë, e cila prej vitesh qarkullon midis nesh si një “justifikim” për çdo autokrat, despot apo diktator. Ideja që udhëheqësi është i mirë se nuk e di se ç’ndodh është kryekëput e gabuar!
Në fund fare një leader i mirë nuk ka pse të mbajë servilë e çerekintelektualë! Po i mbajti ato nuk është më i mirë, por është thjesht një autokrat që i duhen këto “fjalëpakë” e “punëmbaruar”, të cilën e kanë të ndaluar të mendojnë dhe të flasin…
Unë këtë bindje kam.
Sigal