Ylli Manjani: Partitë të sqarojnë pozicionet. Janë në opozitë apo në qeveri?

490
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shprehet se situata aktuale e qeverisë, kur partitë janë edhe në pushtet edhe në opozitë ka krijuar paqartësi. Pavarësisht deklarimeve të kryetarave të partive opozitare, Manjani shprehet se PD, LSI dhe PDIU duket të shprehen qartë për pozicionin e tyre në lidhje me Partinë Socialiste dhe Kryeministrin Edi Rama.
Ai thotë se PD duhet të saktësojë çështjen e marrëveshjes me Ramën dhe të tërheq ministrat. Nga ana tjetër, ish-ministri i LSI-së kërkon që edhe partia e tij të deklarohet qartë lidhur me bashkëpunimin ose jo me PS në Këshillat Bashkiak të pushtetit vendor.
Ndërsa për PDIU-në, Manjani shprehet se deputetët e kësaj partie deklarojnë që janë më Ramën, ndërsa partia zyrtare është kundër Ramës.
“Vetëm pas këtyre sqarimeve i hapet rruga bashkëpunimit ndërpartiak opozitar dhe qeveritar! Kjo do të sqaronte rolin e secilit në sistemin politik. Deri sa të sqarohet kjo nuk ja vlen të harxhojmë kohë për asgjë tjetër!”,- shkruan Ylli Manjani.
Shkrimi i plotë në Facebook i ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani:
Paqartësi…——
PS është e vetmja parti qartësisht fituese. Përveç 74 mandateve nën siglën e vet, ka edhe një mandat nën siglën e PDIU (të paktën deri tani) me vete. Pra 75 mandate të sigurta, të mjaftueshme për të ngritur e mbajtur në këmbë qeverinë.
Partitë e tjera ende nuk i dimë se ku saktësisht janë! Kjo ka krijuar një kaos që ose ushqen shpresa ose i vret ato. Konspiracioni bën punën e tij! Çdo kush ka prirje të besojë çdo gjë!
Situatë ideale kjo për një politikan si Rama që të sundojë i qetë!
PD, tashmë e zhytur në një cikël normal politik ripërtëritje është paqartësia kryesore e sistemit politik (përveç fatit të saj politik). PD zyrtare pas humbjes ngriu dhe ashtu e ngrirë nuk ka përgjigje as për pozitën e saj politike (është apo jo në opozitë) e as për fatin e marrëveshjes së majit që çoroditi sistemin politik në favor të sundimtarit të vetëm. Ndërkohë PD bashkëqeveris ende me PS e LSI.
Pa i sqaruar këto momente PD kaosi do vazhdojë dhe shpresa do vijojë të vritet.
LSI nxitoi e para të deklarohet në opozitë. Pozicion politik i qartë në deklarim, por ende kaotik në dy aspekte: së pari në raport me qeverinë aktuale, ku LSI ka ende 4 ministra; dhe së dyti në marrëdhënie më pushtetin vendor, ku LSI bashkëqeverisë me PS.
Sqarimi sa me shpejt i këtyre momenteve do sqaronte çdo paqartësi në statusin e saj politik në vijim.
PDIU ka një situatë edhe më të paqartë. Kjo sepse para zgjedhjeve është deklaruar se do jetë më cilëndo qeveri në funksion të çështjes çame. Pas zgjedhjeve, të paktë një deputet ka deklaruar se është me PS. Gjasat janë që të tre deputetët e saj të rreshtohen me qeverinë. Ndërkohë partia zyrtare është në betejë me PS, jo pa të drejtë! Pra kaos edhe këtu.
Pra përballë qartësisë së partisë së Rilindjes e gjithë pjesa tjetër që duhet të ishin opozita e bashkuar janë ende të paqartë…
Kjo paqartësi duhet të sqarohet sa më parë! Si fillim me një deklarim janë apo jo në opozitë?
Në vijim, kush është në opozitë tërhiqet nga qeveria, të paktën politikisht. Kjo do të thotë që ministrat dorëhiqen dhe sipas kushtetutës presin të zëvendësohen nga pasardhësit. Por politikisht s’kanë më asnjë lidhje me qeverinë. Mund të qëndrojnë vetëm për çështje emergjencash apo burrokracie, që sidoqoftë këto kohë është thuajse zero.
PD duhet të bëjë të ditur pozicionin e saj në raport me marrëveshjen me Ramën.
LSI duhet të bëjë tē ditur pozicionin e saj me pushtetin vendor.
Vetëm pas këtyre sqarimeve i hapet rruga bashkëpunimit ndërpartiak opozitar dhe qeveritar!
Kjo do të sqaronte rolin e secilit në sistemin politik. Deri sa të sqarohet kjo nuk ja vlen të harxhojmë kohë për asgjë tjetër!
Sigal