Xhufi: Deklarata në Prishtinë, Rama e bëri si “lopa, bajgën”

626
Historiani dhe diplomati, Pëllumb Xhufi, u shpreh se deklarata e kryeministrit Rama për një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë është një e metë e përsëritur. Duke folur në “Ora News”, Xhufi tha se të flasësh për një President të përbashkët Shqipëri-Kosovë, në një kohë që je nën reflektorët e të gjithë Bashkimit Evropian dhe të fqinjëve, do të thosha se e ka bërë si ‘lopa, bajgën’”. “Në këtë moment hidhet kjo deklaratë, kur nuk është realizuar as ajo që është deklaruar në vitin 2013. Rama ka mbajtur një fjalim që na ka entuziazmuar në Parlamentin e Kosovës kur shkoi për herë të parë. Mirë çfarë ke realizuar? Ti ke hapësira të jashtëzakonshme për t’u integruar ‘de facto’ dhe jo me fjalë. Të integrosh sistemet ekonomike, energjetike, por edhe kulturën, albanologjinë që ka filluar të integrohet që në vitet ’70 të shekullit të kaluar”, u shpreh historiani. Ai shtoi se ky është një provokim. “Unë u mundova ta lexoj dhe të kuptoj ndonjë gjë, por nuk kuptova. Të them të drejtën nga fjala që ka mbajtur, nuk e zbërtheva dot”, tha Pëllumb Xhufi, ndërsa përjashtoi mundësinë që ajo të ishte një deklaratë emocionale e shefit të qeverisë. “Nuk e di se çfarë e ka shtyrë ta thotë një gjë të tillë dhe realisht pati reagime të panevojshme, në vend që të reflektohet përse nuk kemi arritur gjë”, u shpreh Xhufi, ndërsa përmendi shembullin e Akademisë së Shkencave ku mund të bashkëpunohet shumë mirë. Në të njëjtën kohë, Xhufi e cilësoi të papranueshëm justifikimin e Ramës se bëhej fjalë për diçka të ëndërruar prej tij. “Qeveria shqiptare është qeveria e një vendi që ka mbi 100 vjet i pavarur dhe duhet të jetë më serioze dhe të marr një rol, pa qenë nevoja në mënyrë deklamative. Kryeministri të dalë e të thotë ëndrrat!? Kush e ka bërë këtë. Nuk e di. Unë njoh kryeministra që janë kokulur, që nuk flasin apo flasin rrallë dhe që mbahen në Evropë ndër krerët e Evropës”, deklaroi Pëllumb Xhufi.
Sigal