Xhorxh Soros nxit fushatën e lidhjeve proruse. E vërteta e lobimit të PD dhe shtetarët që fshihen pas kokainës

717
“Soros nxit fushatën e lidhjeve me Rusinë”
Ish-kryeministri Sali Berisha flet për financimet e PD-së, Kuvendin Kombëtar, kapjen e drogës dhe rolin e miliarderit të njohur
PD është nën akuzë për financime ruse gjatë fushatës elektorale. Duket sikur një kompani me dy pronarë rus, “Binniata”, e ka ndihmuar zotin Basha të lobojë në SHBA dhe ka bërë pagesa në emër të PD. A keni një koment për këtë çështje?
“Fushata për gjoja lidhje ruse elektorale të PD, është një trillim fund e krye i Ramës për të krijuar ngjashmëri me atë fushatë që është sot në SHBA kundër Trump, për të maskuar lidhjet e tij të cilat dora dorës do dalin në dritë, nafta dhe lidhje të tjera. Por qëndrojmë këtu. Ajo që mund të them unë për këtë pyetje është se u them shqiptarëve me përgjegjësi të plotë se PD nuk ka pasur asnjë kontratë me asnjë kompani ruse. PD nuk ka marrë asnjë qindarkë nga rusët. Dhe së fundi, PD nuk ka pasur asnjë kontakt me rus biznesmenë apo të çfarëdo lloji tjetër. Kjo është e vërteta. Tjetra është një zhurmë me të cilën Edi Rama kërkoi të mbulonte 613 kg kokainë të ardhur tek klani e shumë gjëra të tjera. Kush i fryn fushatës pro ruse? Është Soros një nga më kryesorët. Sepse Soros, për të justifikuar sulmet e egra që i bëhen thotë se këto mi nxit Putin. Nga i di unë këto? Po jua tregoj. Është një deputet gjerman që quhet Flickenstein. Kam pasur muhabet me të dhe prapë ruaj një lloj respekti. Ky vjen një ditë në Tiranë dhe deklaron se Berisha me këto deklaratat që bën për Soros është e habitshme, se ai është personalitet i fortë dhe jo i dobët që të bëjë deklarata të tilla. Ky kishte dalë në listën e konfidentëve të Soros në Parlamentin Evropian, dhe unë i përgjigjem dhe i them, se George mik mbaje, por mos e dëgjo. Ky thërret dhe bën një takim me pesë shoqata të shoqërisë civile, që të pesta sorosiane, dhe u thotë të mos bëhen merak se ato deklarata që bën Berisha kundër Soros e shtyjnë rusët. Pra çfarë kuptova unë me këtë. Kuptova që kjo ishte një stisje sorosiane për të mbuluar veprimtaritë e tij antidemokratike që ai zhvillon në vendet ish-komuniste”. 
Përtej stisjes sorosiane do të ketë një hetim federal për këtë dhe, nëse ky hetim nxjerr të kundërtën, a duhet zoti Basha të shikojë pozicionin e tij në parti?
“Hetimi federal është gjëja më e mirë. Edhe një herë them se PD nuk ka marrë asnjë qindarkë, rubël apo dollarë nga rusët kurrë”. 
I keni informacione personale këto?
“Këto derisa i them, ata që duan të besojnë, t’i besojnë. Nuk ka pasur asnjë kontakt me asnjë rus. Nuk ka kontratë me asnjë kompani ruse”. 
As me kompani me aksionerë rusë?
“Asnjë kompani ruse. PD nuk ka kontratë me asnjë kompani ruse. Unë kaq po them tani. Më vonë mund të dalin të dhëna të tjera të cilat do faktojnë të gjitha këtë fushatë të stisur nga Rama për të shpëtuar veten, që në të vërtetë e në thelb është kontingjent kryesor i politikës ruse në Shqipëri dhe rajon”. 
A duhet të dalë zoti Basha të bëj një sqarim zyrtar për t’u distancuar nga këto akuza që janë publikuar në mediat më prestigjioze të cilat sigurisht e afektojnë Shqipërinë?
“Problemi është se ‘Mother Jones’ është një gazetë e financuar nga Soros, e cila mendoj unë se duhet hedhur në gjyq. Duhet konsultuar me juristë të shquar amerikanë dhe në rast se rezulton se mund të paditet për shpifje, ajo meriton të shkojë në gjykatë. Byroja federale dhe prokuroria të bëjnë hetimet më të thelluara dhe do dalë prapë se PD nuk ka marrë asnjë qindarke nga kompani ruse, do dalë se PD nuk ka pasur asnjë kontratë apo kontakt me kompani ruse dhe shërbimet e tyre. Se çfarë mund të jetë thurur ato pastaj hetimi do i sqarojë dhe PD është e interesuar për hetimin”. 
Thoni që kjo zhurmë që është krijuar për çështjen e lobimit rus bëhet me qëllim për të shmangur debatin nga droga, por a nuk është kjo qeveri që po i kap ngarkesat me drogë? Pra një qeveri që e sjell drogën dhe e kap vetë nuk bën sens…
“Në mënyrë absolute droga nuk është kapur nga policia apo doganat dhe ky është mashtrimi më i madh që i është bërë shqiptarëve. Kjo do të thotë që policia dhe dogana bënë gjithçka që droga të mos kapej. Kjo do të thotë se droga u kap nga përfaqësuesi i kompanisë private amerikane Rapiskan, e kontraktuar nga qeveria e mëparshme. Kontrata e parë që anulloi Rama ishte ajo me Rapiskan, një kontratë e cila ishte e votuar në parlament dhe që ishte marrë për dy qëllime; armët dhe droga. kur e panë që mund të gjobiteshin jo më pak se 300 mln euro për anulimin e kontratës sepse kontrata ishte votuar në parlament dhe e bllokonte Briseida. Brisi dilte mbi parlamentin. Ky akt do i kushtonte Shqipërisë 300 mln dollarë gjobë. Kontraktuan zonjën Blair me 600 mijë euro për të mbrojtur Shqipërinë dhe ajo iu tha, lejojini të vijnë se rrugë nuk ka, jeni të humbur, se çdo gjë është konform ligjeve”.
Droga u kap ama..
“Nga kush u kap? Droga u kap vetëm nga skaneri, i cili, Rapiskan nuk është kompani e doganës shqiptare”.
Pra po thoni që nuk ka pasur operacion të koordinuar ndërkombëtar?
“Marina kolumbiane dhe ministria e mbrojtjes së Kolumbisë kanë deklaruar zyrtarisht dy ditë me radhë se i kishin dërguar autoriteteve shqiptare të gjithë informacionin mbi kontejnerin famoz. Droga u kap nga ora tre ose katër e mëngjesit. Ndodhi që Fatmir Xhafa nga Durrësi njoftoi se droga u kap nga policia shqiptare-doganat dhe partnerët ndërkombëtar. Rama nuk foli deri mbasdite. Mbasdite doli dhe përgënjeshtroi ministrin e tij. Tha se nuk ishte kapur në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar por vetëm nga ne. Jo vetëm që e përgënjeshtroi, por i nxori kartonin e kuq: Ose do bësh deklaratën që bëra unë ose do largohesh nga ministër dhe Agroni yt, brenda një jave do përfundojë në Itali ku është i dënuar 8 vjet e 4 muaj burg nga gjykata supreme e Italisë”.
Ka pasur presion nga Rama për të ndryshuar deklaratën?
“Ultimatum jo presion. Xhafa u largua me zotimin se nuk e bën kurrë atë deklaratë. Pas tij, siç thonë, don Agaçio, mik familje me Xhafën, e bindi Xhafën dhe ia hoqi sedrën dhe i tha mos harro, se Goni yt mund të bëhet i penduar dhe mund të dalin dhe gjëra të tjera dhe Xhafa lëpiu atë që kishte thënë në mëngjes. Çfarë ndodhi? Si është historia? Historia është kjo. Ajo që dihet 100% deri tani është se anija ka ndenjur dy ditë në ujë pa u shkarkuar, u shkarkua me datën 19. Pasi kishin marrë njoftimin nga Italia dhe Kolumbia, tashmë e dinin që floriri ishte aty, 180 milionë euro ishin në kontejner. Atëherë duhet ta bënin të paqenë. Bënë shkresën që nga kalata 4 të gjithë kontejnerët e shkarkuar atë ditë aty të kalojnë në kalatën 3, që është diku më tutje, larg, sepse atje mund të operohej më kollaj. Qirici, që ishte njëri i afërt me qeveritarët, refuzoi, sepse ai e kuptoi që kjo do mbante erë, sepse ishte një operacion ndërkombëtar ky, ndaj dhe refuzoi të firmoste shkresën. Qirici u shkarkua në vend sapo refuzoi shkresën. Kush erdhi? Konfidenti krysor i Gjushit, për të cilin gosipi i Durrësit thotë se, së bashku me Ardian Çelën janë pagatorët e kaparit. Pra, u gjet njeriu. Mirëpo pse nuk i çuan? Sepse Qirici kishte marrë shkresën vetë. U zhduk Qirici, kërkohej e s’dilte. Kjo ishte një dëshmi e tmerrshme e tij dhe e ndërprenë atë dhe nuk e dërguan kontejnerin, nuk thanë asgjë dhe bënë përpjekje se si të mund të dilte në dritë jeshile. Por drita ndizet nga sistemi atje. Edhe në momentin kur e ka zbuluar Rapiskan, sipas një burimi digjital, përfaqësues të doganave i kanë thënë ‘lëre të kalojë’, ndërsa ai i ka thënë jo. Atij fillimisht në ekran i ka dalë diçka flu, kur e ka përpunuar imazhin ka parë pakot e veçanta dhe ka thënë që nuk e lë të kalojë. Aty punon një ekip prej tre katër vetash dhe, kur kanë parë këtë, i kanë thënë të shkonte e ti thoshte drejtorit se çfarë kishin gjetur. Ky është pra zbulimi i policisë dhe doganës. Zbulimi është krejtësisht i Rapiskan dhe i duhet të jemi mirënjohës atij ekipi që është ndodhur aty, i pa kompromentuar, i përgjegjshëm në detyrë, që shpëtoi futjen e një paraje dhe helmi të tillë në Shqipëri, më i madhi që dihet deri sot”. 
Marrë shkurtime nga “Fax News”
Sigal