Xhisiela është pasqyra e realitetit, ku politika është mbi ligjin. Strehojeni dhe mbrojeni nga krimi

538
Sigal

Dr. Ina Zhupa, Zëdhënësja e Partisë Demokratike i dërgon letër të hapur ambasadorit të BE në Tiranë

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa i ka nisur një letër ambasadorit të BE-së në Tiranë, italianit Luigi Soreca. Zhupa i ka shkruar ambasadorit të BE-së për rastin e Xhisiela Malokut nga Fushë Kruja, e cila është përdhunuar nga Rexhep Rraja, djali i deputetit të PS-së për Krujën. Më poshtë letra e plotë e Ina Zhupës:

 

Drejtuar: Shkëlqesisë së tij, Ambasador, Z. Luigi Soreca.

Delegacioni i Bashkimit Europian. Aba Center, Rr. Papa Gjon Pali II.

 

Fort i nderuar Shkëlqesia juaj, Ambasador Soreca,

Ju drejtohem me këtë letër si qytetare e këtij vendi, si një vajzë, si një pedagoge e shqetësuar për ngjarjen e fundit në Shqipëri në dhunimin e një vajze Xhisiela Maloku. Jemi njohur, ashtu si edhe ju besoj, nëpër medias me një dëshmi të tmerrshme dhune ndaj një vajze. Por ndryshe nga raste të ngjashme, ku për viktimën gjendet drejtësi në polici dhe në prokurori e më pas në gjykatë, në këtë rast nuk është kështu, sepse dhunuesi rezulton të jetë djali i një deputeti, që përfaqëson partinë në pushtet. Dhunuesi, Rexhep Rrahja, djali i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rrahja u arrestua vetëm dy muaj më vonë, pasi u desh dëshmia publike e një nënkomisari që është në azil pas presioneve të personave politike që do ta vrisnin, po të merrej me zbardhjen e çështjes. Duke mos dashur të bëj asnjë grimcë politikë me këtë çështje dhe pse çështja është thelbësisht e veshur me pushtet politik, dua të mbështetem në njohuritë tuaja të thella për standardet e vendeve të Bashkimit Evropian duke ju sjellë në vëmendje këto pyetje:

-Në cilin vend të Bashkimit Evropian vajza shoqërohet në komisariat nga dhunuesi kur merret në pyetje?

-Në cilin vend të Bashkimit Evropian vajzës nuk i merret dëshmia për dhunë nëpër komisariate?

-Në cilin vend të Bashkimit Evropian dhunuesi nuk arrestohet në kushtet e flagrancës sipas ligjit menjëherë sapo vajza bën dëshminë?

-Në cilin vend të Bashkimit Evropian kryeministri kërcënon hapur një nënkomisar apo qoftë edhe një qytetar se “nuk do i ndahemi këmba këmbës atij horri”?

-Në cilin vend të Bashkimit Evropian dhunuesi në kërkim policor dhe me precedentë penal hyn e del i lirë nga komisariati i policisë?

-Në cilin vend të Bashkimit Evropian dhunuesi arrestohet 2 muaj më vonë, vetëm pasi është bërë çështja publike?

-Në cilin vend të Bashkimit Evropian vajza e dhunuar detyrohet të shfaqet në studiot televizive dhe të deklarojë se është vetë djegur me cigare?

-Me siguri Ju ashtu si edhe unë e dini që në asnjë vend me standarde evropiane dhe me shtet ligjor funksional nuk ndodh kjo.

I nderuar Ambasador,

Në këtë rast dhune duket qartë përfshirja e shtetit dhe presioni i madh politik mbi çështjen. Shteti nuk funksionoi në dëshminë e saj të parë, as në dëshminë e saj të dytë, por duket sikur lëvizi diçka e vogël vetëm në presionin e madh publik, pasi çështja u bë e njohur mediatikisht. Babai deputet i djalit po tregon që ka shumë pushtet politik që mbron djalin e tij dhe bën presion mbi vajzën. Sipas dëshmisë së parë të vajzës ai duhet të procedohej për plagosje me dashje (dhuna), armëmbajtje pa leje dhe tentativë për marrëdhënie seksuale me dhunë nën kërcënimin e armës. Me këto vepra ai dënohej dhe nuk mund t’i pezullohet dënimi. Ndërkohë, që me përndjekjen, si akuzë zyrtare ndaj tij, mund të dënohet vërtetë, por gjykata ka mundësi që t’i pezullojë dënimin dhe ta vërë nën shërbimin e provës.

I nderuar Ambasador,

ne sot kemi një nënkomisar policie si Emiljano Nuhu në azil, i cili mori guximin të fliste vetëm kur ishte jashtë shtetit shqiptar dhe larg presionit për jetën. Nënkomisari ishte një zotëri që BE dhe SHBA e kishin vlerësuar për punën e tij, i nderuar nga policia e shtetit për aksionet e tij të rëndësishme si i infiltruar. Edhe pse mund të kishte gjithë autoritetin shtetëror që të vepronte, nuk arriti dot, sepse u kërcënua dhe u detyrua të largohet. Si mund të besojmë ne, që një vajzë 25 vjeçe, e rritur dhe që jeton ende në një province, që jeton vetëm me nënën dhe me motrën, të marrë guximin të ripranojë publikisht dëshminë e saj të pare dhe t’i dalë kundra njerëzve me pushtet?! Asnjëherë nuk mund ta bëjë këtë, sepse jeta e saj dhe e familjes së saj është në rrezik. Besoj se edhe Ju, si çdo qytetar shqiptar ndani shqetësimin e thellë lidhur me shfaqjen e mbrëmshme në prime time në dy Televizione Kombëtare të vajzës së dhunuar. Në standardet më minimale evropiane fytyra e vajzës nuk duhet të ishte shfaqur në TV kombëtare. Por në fakt fytyra e saj tregonte qartë dhunën, shantazhin dhe frikën e saj. Dje në të vërtetë nuk pamë Xhisielën, por ishte fytyra e vërtetë e pushtetit të sotëm, e parlamentit, e policisë dhe e prokurorisë. Dje ata konsumuan aktin e fundit të trajtimit çnjerëzor të vajzës së dhunuar. Xhisiela Maloku, mendoj se është detyruar të dalë në media dhe të pranojë që ka mashtruar në dëshminë e parë, që është vetëdhunuar, të gjitha deklarime që sipas avokatëve penalistë ndodhin shpesh kur vajzat e dhunuara janë në presion dhe nën frikën për jetën.

Për sa më lart ju paraqes kërkesën time që ta ndihmoni me anë të zyrave tuaja përkatëse, që vajza të ketë mbrojtje dhe të sigurojë azil politik në një nga vendet e BE, bashkë me nënën dhe motrën e saj. Vajza ka nevojë më shumë se kurrë për mbrojtje. Ajo nuk është thjesht një rast dhune, ajo nuk është një ngjarje nga ato që mund të ndodhin në çdo vend, por është dëshmi e një realiteti të frikshëm që kërcënon çdo vajzë, çdo nënë, çdo grua. Ajo është pasqyrë e realitetit të sotëm ku politika është mbi ligjin, ku krimi vishet me imunitet politik, e ku politikani imponon policinë dhe drejtësinë. Mbrojtja e Xhisielës Maloku, nuk është thjesht mbrojtja e një individi por është garanci për të dhënë drejtësi. Është garanci që askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin, pavarësisht pushtetit politik.

Në fund të fundit a nuk është kjo drejtësia që Bashkimi Evropian kërkon të vendoset në Shqipëri, a nuk është ky një standard evropian që e meritojnë qytetarët shqiptarë.

Duke shpresuar që ta merrni sa më shpejt në konsideratë mbrojtjen e Xhisielës, nënës dhe motrës së saj, me konsideratë të larta, ju uroj një mision të mbarë në Shqipëri!

Me respekt,

Ina K. Zhupa