Xhindi: “Do të krijojmë rrjetin rajonal për problemet mjedisore”

422
Sigal

Në kuadër të projektit ‘’Europe for Citizens 2013‘’, Bashkia e Tiranës  është bërë pjesë e projektit  ‘’ELAIN – Rrjeti Interballkanik i Autoriteteve Lokale Mjedisore‘’. Objektivi kryesor i projektit ELAIN është identifikimi i sfidave të përbashkëta mjedisore, shkëmbimi i praktikave më të mira, përcjellja e rezultatit, tërheqja e vëmendjes së qytetarëve dhe në fund përpilimi i një memorandumi mirëkuptimi, në përputhje me kornizën europiane mjedisore. Projekti ka partnerë 8 bashki nga 6 vende të rajonit: Shqipëri, Bullgari, Greqi, Bosnjë & Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci. Sot është organizuar në Tiranë konferenca e parë ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të gjithë partnerët e projektit. Në këtë konferencë ka përshëndetur dhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës znj. Nevila Xhindi. “Të nderuar mysafirë të Bashkive të Bijeljina, East Sarajevo, Nish, Novi – Sad, Rijeka, Sofia, të organizmit PESYDAP, të bashkive të Athinës dhe Pireut,  partnerë të projektit të ELAIN të “Europe for citizens”, në emër të kryetarit z. Lulzim Basha, ju uroj një konferencë të frytshme. Konferenca e sotme është konferenca e parë e bashkive të Ballkanit. Së bashku, ne synojmë të krijojmë një rrjet ndërmjet bashkive tona të fokusuara në problemet mjedisore. Rrjeti i bashkive tona është një rrjet për qytetarët, një zë i përbashkët për mjedisin. Qëllimi i këtij rrjeti është t’i japë fuqinë qytetarëve. Ky është objektivi kryesor i programit të BE ” Europe for Citizens”. Qytetet tona janë të ndryshme, pra çështjet mjedisore të secilit qytet janë të ndryshme, por sipas motos të Kombeve të Bashkuara ”ACT LOCALLY, THINK GLOBALLY”, ne synojmë të identifikojmë problemet e përbashkëta dhe të luftojmë së bashku për t’i zgjidhur ato. Në fakt ”veprimi lokal” për secilin nga ne do të thotë ”të veprojmë së bashku, brenda rajonit tonë por edhe se bashku brenda kontinentit”. Ky është veprimi lokal për ne. Për këtë qëllim, Bashkia e Tiranës mirëpret krijimin e Rrjetit Mjedisor të Autoriteteve Lokale të Ballkanit. Bashkia e Tiranës ka filluar të dëgjojë zërin e qytetarëve që nga Dita e Tokës 2013, pra përpara projektit ELAIN. Ne kemi krijuar një brand të ri konsultimesh me publikun “Kuvendimi Mjedisor i Tiranës  2013 ”. Në këtë kuvendim ne u konsultuam me të gjithë aktorët e interesit, dhe rezultati ishte ”Letra e Pozicionimit”, për të cilën të gjithë së bashku po punojmë për ta zbatuar. Pra projekti ELAIN për ne është një shans i ri për të rikonfirmuar kontratën tonë me palët e interesit, dhe një shans për të dhënë atyre një zë ndërkombëtar”- u shpreh nënkryetarja Xhindi.