Xhezair ZAGANJORI/ Shqipëria është pjesë e luftës ndërkombëtare kundër krimit të organizuar

498
Sigal

*Kryetar i Gjykatës së Lartë

Rëndësia e këtij takimi rajonal qëndron në vlerat që ka dhe në mesazhin që përçon në drejtim të organeve ligjzbatuese, duke qenë se nëpërmjet tij na krijohet mundësia të shtojmë kontaktet e bashkëpunimit si dhe të shkëmbejmë idetë, eksperiencat si dhe vizionin e vendeve të rajonit në përpjekjet e tyre në luftën kundër krimit të organizuar ndërkufitar. Padyshim që vendosja e lidhjeve dhe e partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet vendeve të rajonit përbën një komponent vendimtar dhe efikas të përpjekjeve të përbashkëta të agjencive ligjzbatuese të vendeve tona në luftën kundër krimit në përgjithësi, e veçanërisht kundër krimit të organizuar. Krimi i organizuar përbën një ndër rreziqet më të mëdha të sigurisë dhe të zhvillimit të një vendi. Ai mbart në vetvete implikime tepër negative me karakter politik, social dhe ekonomik. Lëvizja e lirë e njerëzve dhe hapja e tregjeve ndërkombëtare, edhe në rajonin tonë, u shoqërua njëkohësisht me ndërkombëtarizimin e krimit të organizuar. Organizatat kriminale filluan të dirigjojnë aktivitetet e tyre kriminale përtej kufijve kombëtare duke “përfituar” nga mburoja e sovranitetit të shteteve, diferencat apo pengesat ndërmjet sistemeve ligjore, mungesës së bashkëpunimit të koordinuar ndërkufitar, burokracisë dhe mbylljes në vetvete të operatorëve të sistemit të drejtësisë, mosnjohjes sa dhe si duhet të këtij fenomeni të rrezikshëm për shtetin dhe shoqërinë. Pikërisht për këto arsye, vitet e fundit, lufta kundër krimit të organizuar edhe në rajonin tonë ka qenë në fokus të veçantë të organizatave ndërkombëtare si dhe shteteve të ndryshme, veçanërisht të atyre me demokraci dhe përvojë të konsoliduar. Një ndihmë veçanërisht e rëndësishme për këtë qëllim është dhënë sidomos nga SHBA-të dhe disa nga vendet, dhe mekanizmat kryesore të Bashkimit Evropian. Ndër masat e para në këtë drejtim kanë qenë përpjekjet për eliminimin e barrierave ligjore dhe institucionale nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit të organeve ligjzbatuese në parandalimin e goditjen në mënyrë efikase të grupeve kriminale të organizuara në nivel rajonal dhe me gjerë. Por megjithatë, duhet theksuar se krahas arritjeve dhe vullnetit të treguar për bashkëpunim, ende mbetet mjaft për të bërë në këtë drejtim. Bashkimi Evropian, me të drejtë ka tërhequr dhe tërheq vëmendjen e pothuajse të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, për një angazhim më të madh, luftë efektive dhe rezultate konkrete në betejën e vazhdueshme për forcimin e shtetit të së drejtës, me fokus të veçante forcimin e pushtetit gjyqësor e të organeve të tjera ligjzbatuese; luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.    Aderimi i shumë shteteve në Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër krimit ndërkufitar (a.q. Konventa e Palermos) apo edhe konventa të tjera të OKB-së dhe Këshillit të Evropës në fushën penale, shënuan përpjekjet serioze të komunitetit ndërkombëtar për t’ju kundërpërgjigjur krimit të organizuar nëpërmjet përpunimit të metodave dhe mekanizmave të cilat synojnë goditjen e tij si dhe lehtësimin dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Shqipëria ka nënshkruar të gjithë këto konventa, të cilat janë instrumente të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar në çështjet penale. Mbi këtë bazë në Shqipëri janë marrë një sërë masash legjislative dhe institucionale për harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me dispozitat e Konventës. Ndër masat legjislative më të rëndësishme mund të përmenden:

-Ndryshimet e Kodit Penal duke kriminalizuar krijimin e organizatave kriminale dhe aktivitetet e tyre.

–          Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale lidhur me aplikimin e teknikave të posaçme  në hetimin e krimit të organizuar në kontekstin e bashkëpunimit në nivel ndërkufitar.

–          Miratimi i ligjit “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”.

–          Miratimi i Ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, ku ndër të tjera përcaktohen rregullat lidhur me subjektet dhe procedurat e raportimit të transaksioneve ekonomiko-financiare.

–          Miratimi i Ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar e trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i cili synon të parandalojë dhe godasë krimin e organizuar dhe trafiqet.

–          Miratimi i Ligjit “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”.

–          Miratimi i Ligjit “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, etj.

Me qëllim rritjen e forcës goditëse ndaj krimit të organizuar, në vendin tonë u krijuan dhe funksionojnë dhe gjykatat për krime të rënda si dhe prokuroritë respektive pranë tyre, si institucione të profilizuara në hetimin dhe gjykimin e krimeve veçanërisht të rrezikshme për shtetin dhe shoqërinë. Për një qasje sa më të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse të përpjekjeve të organeve të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar u miratua “Strategjia ndërsektoriale e luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit” synimi i së cilës ishte që të përcaktoheshin prioritetet strategjike të luftës kundër krimit të organizuar. Gjithashtu, për të intensifikuar përpjekjet rajonale në luftën kundër aktiviteteve kriminale, shteti shqiptar është anëtarësuar në një sërë organizmash ndërkombëtare si SECI, Interpol, apo ka nënshkruar marrëveshje bilaterale bashkëpunimi gjyqësor dhe policor me Europol dhe me një sërë shtetesh të rajonit. Por megjithatë, pa një sistem drejtësie efektive dhe profesionale dhe pa një bashkërendim institucional të veprimtarisë së të gjithë organeve ligjzbatuese nuk mund të sigurohet një luftë e vazhdueshme dhe rezultative ndaj krimit të organizuar. Për arritjen e këtij objektivi, përbën domosdoshmëri rritja e nivelit të bashkëpunimit efektiv ndërmjet organeve të drejtësisë, me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin e një lufte të ashpër dhe të pandërprerë kundër krimit të organizuar, përmirësimin e cilësisë së hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale. Në vendin tonë, ndjekja penale është atribut ekskluziv i Prokurorisë. Ajo luan një rol thelbësor në parandalimin, goditjen dhe vënien para drejtësisë të elementeve kriminale. Ndonëse organi i prokurorisë është një organ i centralizuar, është e nevojshme që në funksion të ushtrimit të kompetencave të saj në mënyrë sa më efektive, të forcohet akoma më shumë pavarësia e Prokurorit në fazën e zhvillimit dhe kontrollit të hetimeve. Gjithashtu, me qëllim garantimin e pavarësisë së organit të prokurorisë, rritjen e eficences së tij, vlerësoj se ka ende vend për përmirësimin dhe forcimin e pozicionit dhe rolit institucional të Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të organit të prokurorisë, nëpërmjet ridimensionimit të kompetencave të tij, duke bërë për këtë qëllim ndryshime ligjore të përshtatshme, madje edhe kushtetuese nëse është e nevojshme. Nga ana tjetër, dua të theksoj se nuk mund të zhvillohet një luftë e suksesshme ndaj krimit të organizuar pa një bashkëveprim të ngushtë ndërmjet policisë gjyqësore dhe prokurorisë. Ky bashkëpunim është i nevojshëm të konsolidohet më shumë në të ardhmen në drejtim të përcaktimit më të saktë të varësisë institucionale të policisë gjyqësore, mbajtjes së kontakteve dhe shkëmbimit të ndërsjellë të informacionit, organizimit të vazhdueshëm të takimeve trajnuese ndërmjet prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, unifikimit dhe standardizimit të procedurave të përbashkëta të punës, si dhe përzgjedhjes së oficerëve të policisë gjyqësore mbi kritere objektive dhe bazuar në merita. Roli dhe vendi i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në këtë drejtim duhet të jetë më i madh dhe më përcaktues. Theksova më sipër se në luftën kundër krimit të organizuar është mese e nevojshme të bashkëpunohet më shumë e më mirë mes të gjithë operatorëve të sistemit të drejtësisë, e veçanërisht ndërmjet prokurorisë e gjykatës. Zhvillimi i një hetimi të plotë e profesional nënkupton kryerjen e veprimeve të rregullta procedurale që kanë të bëjnë me marrjen dhe dokumentimin e provave, zbatimin e teknikave speciale hetimore, hartimin e akteve procedurale të vlefshme dhe të përdorshme në gjykim, argumentimin e saktë dhe të mjaftueshëm ligjor të çështjes, marrjen në mbrojtje të dëshmitarëve dhe viktimave të krimit, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive, etj. Ky proces finalizohet me përgatitjen e dosjes dhe dërgimin e çështjes në gjykatë. Sa më e plotë dhe sa më e rregullt të jetë dosja, aq më të lehtë e ka edhe gjykata marrjen e një vendimi të drejte, të bazuar në prova e në ligj. Por në rast së cilësia e hetimit nuk është në nivelin e duhur, atëherë edhe cilësia e gjykimit si dhe rezultatet që vijnë nga ky proces nuk do të jenë në nivelin e dëshirueshëm, ç’ka mund të sjellë pasoja të dëmshme në drejtim të rënies së forcës parandaluese dhe goditjes së krimit nga ana shtetit, e për rrjedhojë të rënies së efektshmerisë së masave për luftën kundër krimit të organizuar. Nga ana tjetër, mendoj se ka me shumë vend për bashkëpunim mes nesh në përpjekjet për rritjet e efektivitetit të pushtetit gjyqësor si dhe në luftën pa kompromis kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, fenomen i shëmtuar që ul besimin dhe imazhin e sistemit të drejtësisë në sytë e shoqërisë. Në bazë të kuadrit kushtetues e ligjor si dhe detyrimeve ndërkombëtare, gjykata dhe prokuroria shqiptare, janë të detyruara të bashkëpunojnë ngushtësisht për çështjet e ekstradimit, ndihmës së ndërsjellë juridike, hetimit të përbashkët, shkëmbimit të informacioneve, transferimit të procedimeve penale, konfiskimit të aseteve, njohjes së vendimeve gjyqësore, e të tjerë. Ne e dimë që mjaft ndryshime e rezultate pozitive ka në këtë drejtim, por megjithatë, padyshim që jemi të ndërgjegjshëm se bashkërisht duhet të bëjmë shumë më tepër për të arritur rezultatet që kërkohen. Për këtë qëllim është mese e nevojshme që sërish të merren reforma për të përmirësuar kuadrin ligjor, kërkohet mbështetje e bashkëpunim i vazhdueshëm nga partnerët tanë ndërkombëtare, por mbi të gjitha, bazuar në parimin e rëndësishëm të luajalitetit kushtetues, kërkohet nga vete ne më shumë seriozitet, integritet e përkushtim, punë e përbashkët, angazhim e koordinim i përpjekjeve me të dy pushtetet e tjerë, ekzekutiv e legjislativ, si dhe ndërmjet të gjithë operatorëve të sistemit të drejtësisë. Detyrat janë të ndara, por qëllimi është i njëjtë: siguri më e madhe për qytetarin, mbrojtje sa më e mirë e të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese; forcimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri; garantimi i një zhvillimi të qëndrueshëm të vendit, garantimi i zhvillimit të ekonomisë dhe i investimeve të huaja.