Xhemal Qefalia: Ndryshimet në qeveri janë kompetenca e kryeministrit, PS është forca e parë

523
Të gjithë shprehin mendimet që ndryshimet në kabinetin qeveritar janë të domosdoshme, dhe deputeti i PS Xhemal Qefialia, në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se kjo është një kompetencë kushtetuese e kryeministrit Rama. Për deputetin Qefalia, mesazhi kryesor që u përcoll nga 21 qershori është qetësia e zgjedhjeve dhe pakontestueshmëria e rezultatit. Zoti Qefalia nuk pranon që me 26 % elektorat që arriti PS në zgjedhje të cilësohet humbje, sepse rezultati i zgjedhjeve vendore nuk mund të krahasohen me ato parlamentare. Deputeti i PS Qefalia argumenton se PS është forca e parë politike në Shqipëri dhe analiza që pritet të bëhet në vjeshtë në PS, do t’i japë mundësinë vetë PS që të ushqehet me prurje të reja në parti. 
-Zoti Qefalia, zgjedhjet e 21 qershorit, çfarë mesazhi përcollën te PS?
– Zgjedhjet e 21 qershorit treguan edhe një herë që me qeverisjen e PS, zgjedhjet janë të qeta, janë të pakontestueshme, madje kemi parë edhe kandidatë humbës që kanë uruar fituesin. Kjo tregon për një frymë të re që po futet në Shqipëri. 
– E krahasuar me zgjedhjet e 2013 ku PS kishte 41 %, në 21 qershor PS ka 26 % elektorat, ose 311.131 vota më pak. Ky rezultat negative I PS ngase erdhi?
– Këtu duhet të kemi një gjë parasysh. Që në asnjë rast nuk bëhen krahasimet të zgjedhjes vendore me zgjedhjet parlamentare, për shumë arësye. Në zgjedhjet vendore, votuesit votojnë edhe partitë e tjera, të cilat në zgjedhjet parlamentare është vështirë të marrin vota për deputetë. Ndaj edhe votuesit e së Majtës në 21 qershor 2015 u dhanë vota edhe kandidatëve për këshilltarë në këshillat bashkiake, të partive të tjera dhe kjo nuk mund të tregojë që ata votuan kundër PS. 
– Përse partitë e tjera të ASHE, sikurse LSI e rriti shumë elektoratin e saj?
– Unë ju them që PS vazhdon të jetë forca e parë në Shqipëri. 
– Mendoni se elektorati ka reaguar me votë në 21 qershor ndaj qeverisjes 2 vjeçare të PS, qoftë edhe duke mos votuar në zgjedhje, qoftë edhe duke dhënë më pak vota PS?
– Në fakt, elektorati ka reaguar, dhe unë jam shumë i suprizuar sesi i besoi sërish PS në shumë zona zgjedhore dhe kemi maxhorancën në shumicën e këshillave bashkiake. Kjo është edhe vlerësim për reformat e qeverisë, edhe pse ato kanë qënë të dhmbshme. Qytetarët kanë besuar që këto reforma janë të domosdoshme për vetë ata, qoftë reformat në energjinë elektrike, në ndërtimet pa leje, po edhe reformat e tjera, që kanë cënuar në dukje, interesa të qytetarit, por në fakt, qytetari me votën “Pro” dha besimin e tij për kryeministrin Rama. 
– Cila është tashmë, përgjegjësia e maxhorancës dhe e kryeministrit Rama, derisa kanë edhe pushtetin vendor në masën 75 %?
– Më së fundi, edhe ju e pranoni që ASHE ka fituar. Kjo fitore është një përgjegjësi shumë e madhe, për të realizuar të gjitha objektivat e prioritetet që u dhamë edhe në fushatë. Tani për maxhorancën tonë nuk ka më pengesa e justifikime për mosarritje. 
– Qeveria bën gati të rishikojë buxhetin e 2014, për shkak të mosarritjes të të ardhurave të planifikuara. Sa të realizueshme nga ana financiare do të jenë emergjencat që u parashtruan në fushatë, sikurse uji i pishëm dhe projekte të tjera?
– Të jemi të sinqertë, unë nuk jam shumë i informuar për analizën që do t’i bëhet buxhetit, por jam i bindur që buxheti që është akorduar për të përballuar prioritetet e projekteve të pushtetit vendor, por edhe të qeverisë qëndrore, shpresoj që nuk do të kemi boshllëqe financiare. E kemi kapërcyer emergjencën e likuidimit financiar të kompanive që kishin kryer investimet publike, por nuk ishin paguar. 
– Çfarë duhet të ndryshohet në qeverisjen qëndrore: Përbërja, apo strategjia, për të përligjur votbesimin e elektoratit?
– Ndryshimet në kabinetin qeveritar janë kompetencat kushtetuese të kryeministrit. Ajo që është domosdoshmëri e mbarëvajtjes së punëve është farmonizimi i mirëfunksionimit të pushtetit qëndror me atë vendor, që të mos mbetet peng i disa individëve. Tashmë me 61 njësi vendore gjërat do të jenë brenda standarteve bashkëkohore. Arsyeja që kërkohet ndryshim është rritja e përgjegjësisë. 
– Duke qënë se ju jeni deputet i Tiranës, banor i Tiranës, si e vlerësoni reagimin e qytetarëve dhe të shoqërisë civile ndaj projektit që u paraqit për të ndërtuar komplekse ndërtesash te Liqeni Artificial?
– Është një absurditet, që e dëgjova edhe nga opozita, e cila vazhdon ende, që pa marrë detyrën Veliaj, i kërkojnë llogari përse nuk ndërhyn. Ai është një projekt, i cili ende nuk është konkretizuar, një projekt që do ketë pa dyshim edhe mendimet e qytetarëve të Tiranës dhe të shoqërisë civile dhe në momentin që do të konkretizohet, patjetër, që edhe ne do të shprehim edhe opinionin tonë.
– Së fundi, cilat do të jenë boshtet kryesore të analizës, që do të fillojë në shtator në PS?
– Normalisht, është thënë që në muajin, shtator, fill pas pushimeve dot ë fillojë analiza e rezultateve të 21 qershorit. Atje ku janë arritur rezultare pozitive, do të jetë një shëmbull, i cili do të çohet dhe do të edhe te ato organizata që nuk kanë arritur rezultatin e pritshëm. Një objektiv tjetër, besoj se do dalë në mendimet dhe rezolutën që do miratojë Asambleja Kombëtare e PS, e cila do t’i paraprijë mënyrës sesi do të zhvillohet kjo analizë. Një tjetër shtyllë e analizës është edhe shtimi me gjak të ri i rradhëve të PS, me anëtarë të rinj, që unë si deputeti i Qarkut të Tiranës e kam ndjerë si domosdoshmëri. Kam mjaft kërkesa të të rinjve dhe të rejave, të cilët kërkojnë jo vetëm të anëtarësohen në PS, port ë jenë edhe pjesë e vendimmarrjes. Kjo do të jetë një tjetër mundësi, që do t’u jepet qytetarëve, që mendojnë, dëshirojnë të kontribuojnë në Partinë Socialiste. 
– Faleminderit!
Sigal