Xhemal Qefalia: “Imami dhe ushtarakët e lartë do të çohet në gjykatë për zullumet e korrupsionin”

432
Sigal

Anëtari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit, deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, në intervistën për “Telegraf” thotë se, do të zbardhen të gjitha akuzat që ata, si opozitë, kanë bërë për korrupsionin në Ministrinë e Mbrojtjes, e të ministrit Imami. Deputeti Qefalia, thotë se, do të jetë drejtësia ajo që do të japë fjalën e fundit për të gjithë ata që abuzuan dhe korruptuan me pasurinë e shtetit.

Zoti Qefalia, deputetët e PS-së në Komisionin e Sigurisë, kur ishin në opozitë, kanë ngritur një sërë akuzash për korrupsion në Ministrinë e Mbrojtjes. Tani çfarë bëhet për zbardhjen e këtyre akuzave?

Po është e vërtetë, që deputetët tanë në Komisionin e Sigurisë, këmbëngulëm 4 vjet për të ushtruar kontroll në ministrinë e Mbrojtjes, nisur nga informacionet që dispononim. Siç dihet, kontrolli që kërkuam ne atëherë si opozitë, nuk u bë i mundur, për shkak të mohimit të titullarëve të vetë ministrisë, duke filluar që nga (ish)ministri Imami, duke u mbështetur edhe nga (ish)kryetarja e Kuvendit. PS-ja dhe  deputetët e saj  në Komisionin e Sigurisë vazhdojnë të jenë sërish në të njëjtin raport kërkues dhe tani ne kemi biseduar me ministren e re të Mbrojtjes për të ushtruar edhe tani kontrollin. Zonja Kodheli ka shprehur dëshirën  e saj për të krijuar mundësinë e kontrollit parlamentar në ministrinë e Mbrojtjes, të të gjithë veprimtarisë së kësaj ministrie, konform ligjeve dhe kompetencave që na jep Kuvendi.

Ju atëherë, u shprehët, se (ish)-ministri Imami, duke ju penguar që të ushtroni kontrollin parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes, kërkon të fitojë kohë, që të asgjësojë të dhënat komprometuese. Sot, sa është probabiliteti i asgjësimit me dashje të të dhënave komprometuese?

Sado që drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes janë munduar për të fshehur gjurmët e korrupsionit, ato do ta kenë të pamundur, sepse gjëmat dhe zullumet e tyre janë aq të mëdha, saqë nuk mund të ndodhë që ato të fshihen e të mos kenë lënë gjurmë. Ne shpresojmë se së shpejti, kushdo që ka abuzuar me detyrën, do të përgjigjet para drejtësisë.

Përvoja 22 -vjeçare ka dëshmuar që opozita, kur është bërë rrotacioni dhe ka marrë pushtetin,  nuk i ka çuar në drejtësi akuzat politike për korrupsion. Çfarë në bën që të besojmë, që kjo nuk do të ndodhë me maxhorancën e re të së Majtës?

Shiko, ju fantazoni në këtë rast. Ne ende nuk kemi mbushur 2 muaj dhe ju paragjykoni. Po ne jemi ndryshe. Edi Rama ka bërë premtim real dhe ne jemi shumë konkret. A nuk e ndaluam ligjin për importin e mbetjeve, siç kishim premtuar? A nuk realizojmë premtimin për prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje, që kanë mbytur bregdetin? Në të gjitha institucionet e shtetit tani ka një frymëmarrje të re.

Byroja e Hetimit, do të merret me shqyrtimin e akuzave që ju keni ngritur për korrupsionin e ministrit Imami dhe titullarëve të tjerë të lartë ushtarakë?

Byroja e Hetimeve akoma nuk është ngritur dhe për aq kohë që nuk është ngritur, nuk mund t’i caktohen detyra. Organet përkatëse të pavarura, si gjyqësori e prokuroria janë organet që  do të vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve.

Ju si anëtar i Komisionit të Sigurisë të Kuvendit, jeni në dijeni të armëve kimike që vijnë nga Siria dhe do të demontohen në Shqipëri?

Jo, për momentin nuk e kam këtë informacion. Nëse ne, si Shqipëri, plotësojmë të gjitha kushtet për demontimin e këtyre armëve kimike, pse jo, të mos e bënim këtë, në kuadrin e detyrimeve që kemi në NATO. Kjo temë nuk ka asnjë lidhje me mbetjet, për të cilat qeveria jonë sapo i ndaloi importimin e tyre. Kjo çështje mbetet për t’u parë dhe nuk mund të jemi të njëanshëm në paragjykime.

Thuhet se opozita e PD-së ka marrë nga SHIU mjete të përgjimit  dhe i përdor ato për të përgjuar maxhorancën. Ju keni dijeni?

Gjërat e maxhorancës janë të gjitha transparente. Edhe nëse ky përgjim ndodh nga opozita ndaj maxhorancës, bën shumë mirë, se do të na nxjerrë “sekretin” e transparencës. Neve nuk na shqetëson aspak.

Akuzat tonë për korrupsion të Ministrisë së Mbrojtjes së Imamit i kemi të bazuara

Edhe pse qeveria e re ka afërsisht 50 ditë, deri tani nuk është bërë asgjë për zbardhjen e korrupsionit në ministrinë e Mbrojtjes, sikurse ju në opozitë akuzuat. Kjo përse?

Nëse ju mendoni që gjërat janë kaq të thjeshta dhe aq të pakomplikuara, ju do të kishit të drejtë në argumentin tuaj. Por unë, mendoj që kona është ende e pamjaftueshme, akoma shumë drejtues, që mund të jenë përfshirë në afera të tilla, vazhdojnë të jenë në krye të institucioneve. Ne nuk kemi premtuar që qysh në muajin e parë, apo në tre muajt  eparë do të zbardhet gjithçka në ministrinë e Mbrojtjes, apo në dikastere të tjera.

Atëherë, si opozitë, a kishin prova të mjaftueshme, mbi të cilat ngritët akuzat për korrupsion në ministrinë e Mbrojtjes, apo çka thatë ishte  thjesht për të bërë opozitë?

Ne kishim prova të mjaftueshme dhe të sigurta. Por, megjithatë, në kontrollin tonë parlamentar, u penguam nga vetë ministri, pikërisht, për të mos zbardhur publikisht faktet që kishim ne si opozitë për korrupsion në atë ministri. Ndaj tani kam besimin e plotë që çdo gjë do të bëhet transparente. Akuzat, absolutisht, e theksoj edhe një herë, sipas perceptimit tonë, si anëtarë të Komisionit të Sigurisë, janë të bazuara në prova të mjaftueshme, të pakundërshtueshme. Disa prova tona janë bërë prezente.

Për shembull?

Miliona litra karburant, janë përdorur në fushatë elektorale të PD-së, edhe pse faturat i janë përcjellë ministrisë së Mbrojtjes. Për të gjitha këto fakte, tashmë përgatitet dokumentacioni i nevojshëm për t’ja përcjellë Prokurorisë.

Me sa kuptova, ju të gjitha ato akuzat që ngritët si opozitë, për korrupsionin në ministrinë e Mbrojtjes, do t’i çoni tashmë, në prokurori?

Ne, maxhoranca, ka gjithë dëshirën e mirë, që për çdo rast shkelje të ligjit, nga kushdo, do t’i dërgojë në prokurori. Pastaj, është drejtësia që do veprojë, jo më vullneti politik të diktojë vendimet e gjyqësorit.