Xhemal Gjunkshi denoncon shkarkimet politike nga puna në sistemin arsimor të Dibrës

498
Sigal

Sa më shumë afron dita e zgjedhjeve për bashkitë, më shumë publikohen raste, ku drejtues institucionesh në qytete të vendit bëjnë largime të punonjësve, në kundërshtim flagrant me ligjin, për hatër të interesave partiake, duke zbuar ata nëpunës, të cilët i konsiderojnë votues të partive kundërshtare dhe joshin, paskëtaj, qytetarë, me punësime, por me kushtin që votat e tyre, të familjeve dhe të miqve të tyre t’i japin për kandidatin e partisë, që i punëson. Një rast të tillë denoncon edhe ish-deputeti i PD-së në Qarkun e Dibrës, Xhemal Gjunkshi. Vetëm dy ditë para festës së mësuesit “pronarët” e Drejtorisë Arsimore Dibër largojnë një mësuese nga puna…! Mësuesja Fatbardha Miftari me arsim të lartë, me master profesional të shkallës së dytë është transferuar në shkollën më të largët të rrethit Dibër në fshatin Mustafe, me qëllim të japë dorëheqjen si mësuese. Mësuesja në fjalë, me një integritet të lartë moral dhe profesional, e përkushtuar në profesionin e saj si misioni me i denjë i shoqërisë, ka 12 vite punë në arsim, dhe prej 11 vitesh është mësuese në Gjimnazin “Said Najdeni” Peshkopi. Kështu ndodh, kur drejtuesi arsimin e trajton si pronë! Kur arsimin e trajton si vend pune për militantë, kështu ndodh! Kërkojmë urgjentisht nga “kukulla” që merr rrogën si Ministre Arsimi të rishikojë vendimet që japin “pronarët” e Arsimit në Dibër. Kërkojmë nga “kukulla” që të shikojë mënyrën se si merren dhe largohen mësuesit në Dibër dhe mos na bëjnë show me portale. Kërkojmë nga “kukulla” që të mos e shkatërrojë arsimin, mos shkatërrojë brezin e ri. Kërkojmë në mënyrë urgjente që “kukulla” që merr rrogën si Ministre të shohë pamjet e asamblesë së “bandës” Socialiste në Hotel Veri, ku ishin të gjithë arsimtarë, mësues, drejtorë shkollash, ditën e premte në orar zyrtar pune. Ishte edhe kryetarja e PS, e cila është mësuese në po të njëjtën shkollë me znj. Fatbardha. Këtë zonjë e kemi denoncuar edhe herë të tjera që nuk zhvillon mësim dhe merret me punët e partisë në orar pune, në ambiente zyrtare, shkolle apo zyre të njësive administrative. Kjo është një kambanë alarmi, për të gjithë shoqërinë, që të reagojë kundër atyre që shkelin ligjin, për hatër të interesave personale dhe partiake.