Xhani De Biazi: “Kjo është Shqipëria ime!”

659
Sigal

 Trajneri i Kombëtares rrëfehet ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, nga rinovimi i kontratës, çështjen “Januzaj”, zbulimin e Berishës dhe afrimin e Lalës

“E kam takuar dy herë Kryeministrin Edi Rama dhe e vlerësoj si një personalitet të madh. Ka ide mjaft të qarta dhe ka dashuri për sportin”

Trajneri italian, Xhani De Biazi, ishte i ftuari ekskluziv i gazetës “Telegraf”, ku ai foli për një sërë temash e çështjen që kanë të bëjnë me Kuqezinjtë dhe Europianin e Francës, por edhe për dy takimet që ai ka pasur me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në vëmendjen e tij ishin çështja e talentit të Mançester Junaitid, Adnan Januzaj, zbulimi i Etrit Berishës si dhe afrimi i Altin Lalës, në rolin e ndihmësit të tij. Tetorin e kaluar ai firmosi kontratën e tij të dytë me Federatën Shqiptare të Futbollit, në praninë e Presidentit, për ta drejtuar Kombëtaren edhe në fushatën kualifikuese të Europianit “Francë 2016”, ashtu edhe siç bëri në eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014”. Ai është trajneri i dytë që rinovon një kontratë me FSHF-në, pasi gjermanit Hans-Peter Brigel që e drejtoi Shqipërinë në eliminatoret e Euro 2014 dhe ato të Botërorit 2006. Në kontratën e De Biazit ka disa klauzola specifike. Njëra prej tyre ka të bëjë me rinovimin automatik të kontratës së tij, nëse Kombëtarja shkon në finalet e Europianit “Francë 2016”, ku në ndryshim nga Euro 2012, nuk marrin më pjesë 16 skuadra, por 24 të tilla nga 54 skuadra që aderojnë aktualisht në UEFA.

 – Zoti De Biazi, rinovimi i kontratës suaj për të qenë trajner i Kombëtares shqiptare edhe për dy vite të tjera, pra Europianin “Francë 2016” ishte njëherësh edhe vlerësimi i arritjeve të Përfaqësueses sonë në Botërorin “Brazil 2014”. Tani i njihni më mirë lojtarët, mentalitetin e shqiptareve dhe realitetin futbollistik tonin. Çfarë duhet të presim prej jush?

– Dy vitet e parë të mia në krye të Kombëtares shqiptare më shërbyen, për të ndërtuar një grup solid. Ia dolëm të bëjmë mesataren më të mirë të pikëve në të gjithë historinë e Kombëtares shqiptare. Besoj se, gjatë eliminatoreve të Botërorit 2014 bëmë një paraqitje të mirë. Gjithsesi, ajo që është më e rëndësishmja ishte të ndërtoja një grup me lojtarë mjaftueshëm të rinj, për të ndërtuar vazhdimësinë e kësaj Kombëtareje dhe për të synuar arritjen e pjesëmarrjes në ndonjë faze finale të madhe. Tani jemi duke pritur hedhjen e shortit të eliminatoreve të Kampionatit Europian “Francë 2016”, që do të hidhet në Nisë të Francës, më 23 shkurt 2014, për t’u njohur me kundërshtarët dhe sido të kompozohet grupi për të parë dhe mundësitë që do te kemi.

– Jeni trajneri i dytë pas gjermanit Hans-Peter Brigelit, që rinovoni kontratën me Kombëtaren…

– E konsideroj si një vlerësim për punën që kam bërë, ndërkohë që dhe unë dëshiroja t’i jepja vazhdimësi punës që kisha nisur.

– Shumë shpejt do të keni një asistent të ri shqiptar, Altin Lalën, të cilin nuk e keni stërvitur, pasi ai u largua nga Kombëtarja përpara se ju ta merrnit atë. Si ndodhi?

– Në fakt, ende nuk është zyrtarizuar çështja “Lala”. Tema “Lala” lindi pas një bisede që unë pata me Presidentin Armand Duka, përpara festës së Vitit të Ri të organizuar nga FSHF-ja. Atë mbrëmje takova Altin dhe e pyeta se çfarë kishte ndërmend të bënte ndonjë gjë të madhe, dhe ai më tha se, ende nuk e dinte se çfarë do të bënte. Atëherë, unë i thashë se nëse ai kishte dëshirë të punonte me mua si ndihmës. Unë besoj se, ai grumbulluar shumë eksperiencë me Kombëtaren dhe jam i bindur se do të jetë një ndihmë shumë e rëndësishme. Fola me Presidentin Duka dhe ai e pëlqeu idenë dhe u shpreh dakord. Në muajin shkurt do ta prezantojmë zyrtarisht Lalën, si zëvendëstrajner.

– Andan Januzaj është në qendër të vëmendjes sportive në Shqipëri e Kosovë. Çfarë jeni duke bërë për ta rekrutuar në Kombëtaren shqiptare yllin e ri të Mançester Junaitid?

– Para së gjithash, çështja “Januzaj” është tepër e komplikuar. Së pari, pasi është shumë e vështirë të kontaktosh djaloshin. Sot (dje) unë u përpoqa të kontaktoja më të atin e tij, por për të dhjetë herë nuk munda të flisja me të, ashtu siç kam dështuar edhe herë të tjera. Ka disa pengesa në lidhje me Januzajn, edhe për vetë faktin se ai është një djalë shumë e ri dhe varet sesi e këshillojnë. Besoj se, familja e tij duhet te ishte treguar më me edukatë, të paktën për të na dëgjuar se çfarë kërkojmë ne. Dua të bisedoj me të atin e tij në mënyrën më të natyrshme, pastaj do të jenë ata që do të vendosin për zgjedhjen përfundimtare të tyre.

– Portieri Etrit Berisha po bën paraqitje shumë të mira me Lacion, ndërkohë që media italiane i ka kushtuar jo pak vëmendje Si do ta vlerësonit gardianin e Kombëtares shqiptare?

– Po, Berisha me të vërtetë po bën një paraqitje shumë të mirë. Sipas meje, së pari pasi është një djalë shumë i mirë; së dyti, e konsideroj paksa si zbulimin tim; dhe së treti, besoj se ai ka parametra të shkëlqyer për t’u përmirësuar e luajtur në nivele të larta në Itali, por dhe të rritet akoma më shumë.

– Situata e Lorik Canës, tashmë duket paska e komplikuar…

– Po, është paksa e komplikuar situata e tij tani, por besoj se Loriku është një lojtar me eksperiencë dhe cilësinë për të vazhduar të bëjë më të mirën.

– Situata e Edgar Çanit te Karpi, të cilin dikur ju e keni drejtuar për tre vjet, nuk është e mirë. Çfarë do t’i rekomandonit atij?

– Kanë mbetur vetëm pak ditë nga përfundimi i merkatos, kështu që me siguri do ta shohim Çanin në një skuadër të re, pasi Karpi sapo ka blerë një sulmues të ri dhe ai do të gjejë vështirësi. Shpresoj se, ai do të gjejë një skuadër. Është shumë e rëndësishme që, ai të luajë pasi është një lojtar i rëndësishëm i Kombëtares sonë.

Keni qenë gjithmonë në gjithë Europën në kërkim të emrave të rinj kandidatë të Kombëtares. Keni arritur të sillni shumë lojtarë gjatë eliminatoreve të Botërorit. Emri më i fundit i dalë në media është ai i Shkodran Mustafit, i cili luan me Sampdorian. A keni pasur kontakte me të?

– Për herë të parë kam kontaktuar me Mustafin një vit e gjysmë më parë, nëse ai dëshironte të luajnë me ne. Atëherë ai ishte akoma i impenjuar me Kombëtaren U-21 gjermane. Nuk dëshiroj ta konfirmoj në këtë moment ardhjen e tij, por besoj së në një të ardhme të afërt jam i bindur se do të luajë me ne, pra me Shqipërinë.

– Para pak javësh, FIFA i lejoi Kosovës zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në nivel ekipi përfaqësues dhe klubesh. A jeni ndopak i shqetësuar, kur një pjesë e mirë e lojtarëve kosovarë luajnë me Shqipërinë?

– Jo, nuk kam asnjë shqetësim. Pasi, është disi paksa herët që Kosova të ngrejë ekipin e saj dhe lojtarët kosovarë që kemi ne të largohen. Gjithsesi, është një çështje komplekse. Mbetet për t’u parë në të ardhmen.

– Zoti De Biazi, të jesh trajner i një ekipi Kombëtar është një privilegj për këdo, duke pasur edhe disa nderime më shumë. Ju ishit i pranishëm së bashku me drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, Presidentin Duka dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Shulku, në pritjen e organizuar nga Kryeministri Edi Rama për festat e fundvitit. Ju patët rastin të flisni direkt me Zotin Rama, çfarë përshtypje iu la ai?

– Për të thënë të vërtetën, mbeta mjaft i befasuar nga Kryeministri Rama. E çmoj si një personalitet të madh. Ka ide mjaft të qarta, duke na e dokumentuar mjaft bukur atë që ai dëshiron të bëjë për sportin.

– Para dy ditësh, ju u takuat për herë të dytë me Zotin Rama. Cila ishte tema e bisedës?

– Isha së bashku edhe me Presidentin e Federatës, Armando Duka. Folëm në lidhje me ristrukturimin e një prej dy stadiumeve, atë të Elbasanit apo Shkodrës, në funksionon të ndeshjeve të Kombëtares. Jam i bindur se, ne do t’i luajmë ndeshjet këtu në Shqipëri, në prani të tifozëve tanë.

– Ju keni pasur një karrierë 15-vjeçare si lojtar, ndërkohë që drejtoni një skuadër prej 23 vjetësh, nga viti 1990. Cilat janë diferencat midis një lojtari dhe një trajneri?

– Diferencat janë të mëdha, pasi dhe problematikat janë të ndryshme. Unë kam luajtur futboll në nivele të larta, pra në Serinë A, ashtu sikundër kam drejtuar edhe skuadra në këtë nivel në Itali. Lojtari mendon vetëm për veten e tij, ndërkohë që trajneri analizon në 360 gradë të gjithë skuadrën, në aspektin teknik, në atë sjelljes së lojtarëve, sesi mund të jetojnë së bashku kaq shumë individë me preferenca të ndryshme, por dhe në aspektin e menaxhimit të raportit me mediat. Dua të jem i sinqertë, teksa dua të kujtoj një thënie të presidentit të Torinos, Urbano Kairo, i cili thoshte se kush bën trajnerin mund të bëjë gjithçka në jetë.

– Si e parashikoni Italinë në Kampionatin Botëror?

– Ndodhet në një grup të vështirë me Anglinë, Uruguain dhe Kosta Rikën. Mendoj se, është më mirë që ndodhet në një grup të vështirë. Italia ka shumë përvojë në futbollin botëror. Ka lojtarë shumë të mirë dhe sipas meje trajneri Prandeli është shumë i zoti.

– Italia ka dalë katër herë Kampione e Botës, 1934, 1938, 1982 dhe 2006, dy të fundit i keni përjetuar apo jo?

– Sigurisht, por kam ndjekur edhe atë edhe në Meksikë 1970 doli e dyta, me Brazilin e Pelesë që doli e para. Italia është një ekip i madh.

– Në Shqipëri është duke u krijuar tradita e trajnerit italian. Janë gjashtë të tillë, duke iu përfshirë dhe ju. Më parë me Kombëtaren ishte Xhuzepe Dosena, ndërsa me klubet kanë punuar Ticiano Gori, Leonardo Menikini, Mauro De Vekis dhe aktualisht tek Teuta është Roberto Sorentino. A shihni një nuancë italiane në të ardhme e futbollit shqiptar?

– Sigurisht që, është kënaqësi që disa trajnerë italianë kanë stërvitin dhe trajnojnë në Shqipëri. Kam konstatuar se, ka një kërkim të trajnerëve shqiptarë që të implementojnë këtu filozofinë e futbollit italian.  E kanë pranuar të gjithë, se shkolla e futbollit italian është një nga më të mirat në botë. Ka shumë trajnerë të njohur italianë që punojnë jashtë, si Marçelo Lipi në Kinë, Fabio Kapelo në Rusi, teksa më parë ka drejtuar Anglinë; Spaleti në Zenit St.Petërsburgun në Rusi, Mançini më përpara në Angli duke fituar kampionatin me Mançester Junaitid. E ndjej se ka një filozofi të futbollit italian edhe në Shqipëri, pasi duke parë vazhdimisht futbollin përmes televizionit, patjetër që kanë marrë apo përshtatur filozofinë e tij. Gjatë kurseve për trajnerëve shqiptarë në vendin tuaj kanë ardhur shumë lektorë nga Koverçanoja.

“Di shumë fjalë, por nuk ndërtoj dot fjali në shqip. Adhuroj Sofia Lorenin dhe Rasëll Kroun”

 Spageti, biçikletë e libra… jeta pa futboll e Xhanit

 Xhani De Biazi është nga ata që dëshiron të bëjë gjithçka. Madje dhe kuzhinierin, por këtë në shtëpi, teksa lexon me shumë kënaqësi libra filozofikë.

 – Xhani, të pëlqen të gatuash?

– Le të them se më pëlqen shumë të gatuaj, edhe pse atë nuk e bëj shpesh. Më pëlqen të gatuaj, dhe më pëlqen ta përdor fantazinë time dhe në gatim. E kam bërë gjithmonë më pasion të madh. E shoh kuzhinën si një ndeshje futbolli (qesh).

– Biçikleta është një tjetër pasion i juaji. Realizuat dhe një tur në Shqipëri me disa nga miqtë tuaj italianë…

– Po, e bëmë gjatë verës së vitit të kaluar. Shqipëria është një vend shumë i bukur. U nisëm nga Igumenica, për ta mbyllur në Durrës. Pamë Shqipërinë natyrale, të gjelbër e që shikohet nga rrugët ende të pa rikonstruktuara. Ishte me të vërtetë shumë bukur.

– Librat duhet të jenë një tjetër pasion i juaji, ashtu sikundër gjuhët e huaja. Cilat libra ju pëlqejnë?

– Po, por duhet ta kini të qartë se profesioni ynë nuk të jep shumë kohë të lirë, madje edhe të qëndrosh në shtëpi. Sa herë që kam kohë lexoj libra. Më pëlqejnë librat historikë, filozofikë, biografikë, etj.

– Teatri…

– Po shkoj shpesh në teatër dhe në kinema me bashkëshorten time.

– Cilat janë aktorët tuaj më të preferuar?

– Nga aktorët italianë më pëlqen Sofia Loren, kur ajo ishte e re, apo Marçelo Mastrojani kur unë isha më i ri. Nga ato joitalianë më pëlqen Rasëll Krou.

– Keni më shumë se dy vjet në Shqipëri. A keni mësuar ndopak shqip?

– Le të them po. Di shumë fjalë, por kam vështirësi në të folur për të vendosur në fjali. Kur gazetarët flasin në shqip unë i kuptoj mjaft mirë ata, pavarësisht se pyetjet m’i përkthen Denisi. Shumë mirë, apo jo? (e thotë në shqip këtë).

– Çfarë të ka pëlqyer më shumë në Shqipëri, peizazhi, njerëzit…

– Pjesa jugore e Shqipërisë ka një peizazh shumë të bukur.

– Ke krijuar një raport simpatie me njerëzit, të duan, duan të dalin në fotografi me ty…

– Po, dhe këtë e kam vënë re dhe kur nuk më njohin. Kur i pyes njerëzit e rastësishëm, që sigurisht nuk e dinës e kush jam, se “si ju duket kampionati shqiptar, ata më përgjigjen: “i shkatërruar”; “po Kombëtarja, shumë bukur”, dhe kur u prezantohesha se kush isha, atëherë më përqafonin. Gjëja më e bukur këtu është se, bëj një jetë të thjeshtë midis njerëzve. Dua të ndihem si shqiptarët në Shqipëri. Dua të përshtatem me mënyrën sesi ata jetojnë. Kështu, që çdo ditë përmirësohem.

– Le të flasim pak për familjen tuaj.

– Kam vetëm një vajzë. Studion për mjekësi. Mendoj se do të bëhet një mjeke e zonja. Është një vajzë e jashtëzakonshme. Më e mirë nga mua (qesh), dhe këtë nuk e them se është vajza ime.

– Jeni një nga komentatorët më të njohur në Itali…

– E bëj prej vitesh komentatorin dhe më pëlqen shumë. Gjithsesi, nuk është e lehtë ta bësh atë në Itali, ku të gjithë kanë shumë njohuri për futbollin. Duhet të përgatitesh shumë, pasi atje janë mësuar me statistika.

– Cili është idhulli tënd si trajner?

– Nuk kam idhuj, por mund të them se Arrigo Saki hapi një rrugë të re në vitin 1990 në Itali. Ai kishte studiuar trajnerët holandezë apo të tjerë dhe ndërtoi një metodologji të re trajnimi dhe loje.

 Si gabova për “Topin e Artë”

  Xhani De Biati ishte një ndër 184 trajnerët e ekipeve Kombëtare në të gjithë botën, i cili kishte të drejtën të votonte për tre kandidatët për fitimin e “Topit të Artë”. Votimi i tij zyrtar, i pasqyruar në buletin e FIFA-s ishte ky: Zlatan Ibrahimoviç 5 pikë, Kristiano Ronaldo 3 pikë, Lionel Mesi 1 pikë. Fitues doli Kristiano Ronaldo. “Në fakt, zgjedhja ime ishte ndryshe. Fola me Denisin (përkthyesin) se zgjedhja ime ishte Ronaldo, Mesi, Ibrahimoviç, por kur e dërgova mesazhin me ‘Whats Up’ kisha shkruar Ibrahimoviç, Kristiano dhe Mesi. Dhe ashtu mbeti. Ishte një gabim i imi”.

 19 ndeshjet e italianit

Në total, përfshi edhe takimet miqësore, italiani i ka udhëhequr kuqezinjtë në 19 ndeshje, duke regjistruar 7 fitore, 5 barazime dhe 7 humbje, me një golaverazh 20-17. Në dhjetët ndeshjet zyrtare, Shqipëria koleksionoi 3 fitore, 2 barazime e 5 humbje, duke grumbulluar 11 pikë nga 30 të mundshmet, ose e shprehur në përqindje, vetëm 36.6 për qind të pikëve. Në nëntë ndeshjet miqësore, ai duke pasur këtë bilanc: 4 fitore (me Katarin, Iranin, Lituaninë dhe Armeninë), tre barazime (me Moldavinë, Kamerunin dhe Bjellorusinë) si dhe dy humbje me (të dyja me Gjeorgjinë).

VOTIMET E DE BIAZIT

PËR “TOPIN E ARTË”

Zlatan Ibrahimoviç 5, Kristiano Ronaldo 3, Lionel Mesi 1

Fitues doli Kristiano Ronaldo i Realit

PËR TRAJNERIN MË TË MIRË
Jurgen Klop 5, Vinsente Del Boske 3, Jup Hejnkes 1

Fitues doli Jup Hejnkes i Bajernit

NDESHJET E DE BIAZIT

DJETË ZYRTARET

Shqipëri-Qipro          3-1

Zvicër-Shqipëri         2-0

Shqipëri-Islandë        1-2

Shqipëri-Slloveni      1-0

Norvegji-Shqipëri     0-1

Shqipëri-Norvegji     1-1

Slloveni-Shqipëri      1-0

Islandë-Shqipëri        2-1

Shqipëri-Zvicër         1-2

Qipro-Shqipëri          0-0

Bilanci: 10 ndeshje; 3 fitore, 2 barazime, 5 humbje

NËNTË MIQËSORET

Gjeorgji-Shqipëri      2-1

Katar-Shqipëri           1-2

Iran-Shqipëri             0-1

Shqipëri-Moldavi      0-0

Kamerun-Shqipëri     0-0

Shqipëri-Gjeorgji      1-2

Shqipëri-Lituani 4-1

Shqipëri-Armeni              2-0

Shqipëri-Bjellorusi    0-0

Bilanci: 9 ndeshje; 4 fitore, 3 barazime, 2 humbje

Totali: 19 ndeshje; 7 fitore, 5 barazime, 7 humbje

Trajnerët e huaj

 Xhuzepe Dosena

Euro 2004

 Hans-Peter Brigel

Euro 2004/Botërori 2006

 Oto Bariç

Edicioni: Euro 2008

 Ari Han

Botërori 2010

 Josip Kuzhe

Botërori 2010/ Euro 2012

 Xhani De Biazi

Botërori 2014 / Euro 2016

Historia italiane nisi gati 80 vjet më parë. Dy trajnerë të Kombëtare dhe katër me klubet

 Trajnerët italianë në Shqipëri

 Janë gjashtë trajnerë italianë që kanë zgjedhur të punojnë në Shqipëri. Me Kombëtaren shqiptare janë Xhuzepe Dosena (korrik-tetor 2002) dhe Xhani De Biazi (nga dhjetori i vitit 2011, ka firmosur kontratën e dytë deri në dhjetor 2015). Në nivel klubesh janë katër teknikë: Ticiano Gori (Erzeni, Partizani në sezonin 2001-2002), Leonardo Menikini (Tirana, në sezonin 2005-2006), Mauro De Vekisit (Kamza, sezoni 2011-2012) dhe aktualisht Roberto Sorrentino te Teuta (sezoni 2013-2014). Në fakt, historia italiane e futbollit shqiptar nisi gati 80 vjet më parë, kur Mbretëria Shqiptare për të bërë sportin dhe futbollin në Shqipërinë e viteve 1930, pati edhe ndihmën e italianëve Lisoni, Rati, Xaniki, Vitali, etj. Gjithsesi, pas Kampionatit të 7-të Kombëtar (1937), gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, pati disa ndeshje miqësore me skuadra të sajuara, me përfaqësues të ushtrisë italiane. Interesant mbetet fakti se, portieri italian Xhakomino Pozeli, arriti të vishte fanellën e ekipit të Flamurtarit dhe të Kombëtares shqiptare, madje duke dalë edhe Kampion i Ballkanit me kuqezinjtë, në tetor të vitit 1946. Italiani Xhuzepe Dosena mbërriti në Shqipëri për të pasuar të shkarkuarin Sulejman Demollari (prill 2002, pas humbjes 2-0 me Andorrën), i fundit trajner shqiptar që ka drejtuar përfaqësuesen. Kombëtarja nën drejtimin e Dosenës barazoi me Zvicrën (1-1) në Tiranë dhe humbi në transfertë me Rusinë (4-1, 16 tetor 2002). Italiani u “arratis” pa lënë të paktën një letër lamtumire, ndërkohë që FSHF ia morri me gjyq një pjesë të parave që i kishte dhënë.

Nëntë vjet pas braktisjes së Kombëtares nga ana e Xhuzepe Dosenës (më 16 tetor 2002), Xhani De Biazi siguroi një kontratë pune dyvjeçare me Federatën Shqiptare të Futbollit (14 dhjetor 2011-tetor 2013) për fushatën kualifikuese të Botërorit 2014, ndërkohë që me kontratën e tij të dytë do të drejtojë edhe fushatën e Europianit “Francë 2016”.

  Pesë ndeshjet me klubet italiane

 Klubet shqiptare numërojnë vetëm tre precedentë zyrtarë me skuadrat italiane në nivel klubesh (Torino, Parma, Napoli), përsa u përket ballafaqimeve ndërkombëtare, por këtyre u duhen shtuar edhe dy miqësore me Breshian dhe Milanin. Me Kombëtaren e madhe nuk jemi ndeshur kurrë, por kemi të paktën dy edicione ballafaqimesh në nivel Shpresa, në vitin 1984 dhe në 2009, si dhe takime me Kombëtaret U-17 dhe U-19. Torino është skuadra e parë, që është përballur me Partizanin, pikërisht në edicionin 1968 të Kupës së Kupave. Partizani fitoi 1-0 takimin e parë, me një gol të realizuar nga Pëllumb Shaqiri, ndërkohë që humbi takimin e dytë në Torino me rezultatin 3-1 (gol i Neptun Bajkos për Partizanin). Teuta është përballur me Parmën në Kupën e Kupave, në vitin 1995. Parma i fitoi të dyja takimet 2-0, si në “Qemal Stafa” ashtu dhe në Itali. Filipo Inzagi,  golin e tij të parë ndërkombëtar e ka shënuar pikërisht ndaj një skuadre shqiptare, Teutës. Napolitanët u përballën me Vllazninë, në turin e dytë të Kupës Intertoto në sezonin 2008-2009, duke i fituar të dy takimet: 3-0 në “Loro Boriçi” dhe 5-0 në “San Paolo”. Edhe Breshia ka zhvilluar një ndeshje miqësore në Tiranë, më 21 gusht të vitit 2002, pikërisht kur në radhët e saj luanin Igli Tare dhe Roberto Baxho, ndërsa si trajneri i Kombëtares sonë ishte Xhuzepe Dosena. Një takim i fituar 1-0 nga Shqipëria, me një gol të realizuar nga Altin Lala në minutën e 62-të. Milani ka ardhur dy herë në Tiranë, si pjesëmarrës i kupës “Taçi Oil Albania”, pikërisht në vitet 2008 dhe 2009, ku në ndeshjen e parë humbi 2-1 me Tiranën (fituese të trofeut) dhe të dytën barazoi 3-3 me Kombëtaren B të Shqipërisë.