Xhafaj zbulon ku do të investohen paratë e buxhetit, kritika grupeve hetimore

576
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj tha se po investohet në fushën e rendit dhe sigurisë dhe se buxheti i qeverisë për këtë vit do jetë më i larti në 10 vitet e fundit. Gjatë fjalës së tij në konferencën që u mbajt në Akademinë e Policisë, Xhafaj u shpreh se mbi 80 % e kësaj rritje të investimeve do të fokusohet te Policia e Shtetit dhe kryesisht do të përdoret për investime të teknologjisë në fushën e hetimit dhe pajisjeve shkencore. Fatmir Xhafaj nuk kurseu edhe kritikat për mënyrën e ruajtjes dhe dokumentimin e provave nga grupet hetimore.
“Ky është buxheti më i lartë i investimeve në fushën e rendit dhe sigurisë për të paktën 10 vitet e fundit, me një rritje prej rreth 70 % krahasuar me vitin që po mbyllim. Mbi 80 % e kësaj rritje fokusohet te Policia e Shtetit dhe kryesisht do të përdoret për investime te teknologjia në fushën e hetimit dhe pajisjet shkencore, një mungesë e ndjeshme që për vite të tëra ka ndikuar ndjeshëm në zbulueshmërinë e krimit dhe efektivitetin e procedimit penal të tyre. Mbeten kritike për cilësinë e punës hetimore procedurat e kërkimit, marrjes dhe dokumentimit të provave, mënyra e përdorimit dhe rregullat e ruajtjes dhe asgjësimit të tyre, sipas procedurave të përcaktuara në ligj, si kusht që ato të përmbushin kërkesat shkencore dhe juridike për të qenë të pranueshme në gjykatë”- tha Xhafaj.
Fjala e plotë:
“Ky është buxheti më i lartë i investimeve në fushën e rendit dhe sigurisë për të paktën 10 vitet e fundit, me një rritje prej rreth 70 % krahasuar me vitin që po mbyllim. Mbi 80 % e kësaj rritje fokusohet te Policia e Shtetit dhe kryesisht do të përdoret për investime te teknologjia në fushën e hetimit dhe pajisjet shkencore, një mungesë e ndjeshme që për vite të tëra ka ndikuar ndjeshëm në zbulueshmërinë e krimit dhe efektivitetin e procedimit penal të tyre”- tha Xhafaj.
Kurdoherë një event shkencor është i mirëpritur, por e fokusuar kjo te shkencat ligjore dhe ato të sigurisë përbën një ngjarje me rëndësi. Kjo për shkak të sfidave të rëndësishme që përballemi në këto fusha, por edhe për shkak të mungesës së ndjeshme dhe etjes që kemi për trajtimin e temave të tilla me pritshmëri të lartë.
Dëshiroj t’ju jap vlerësimet më të mira organizatorëve të kësaj konference, Akademisë së Sigurisë, Qendrës Kërkimore Shkencore dhe bashkëpunëtorëve të tyre, që kanë mundësuar të jenë këtu së bashku, me këtë pjesëmarrje ndërkombëtare, akademikë, profesionistë dhe ekspertë të fushave të shkencave ligjore.
Si Ministër, por edhe si jurist në profesion, e shoh me interes të veçantë këtë konferencë, që synon në një dimension gjithëpërfshirës të nxisë shkëmbimin e përvojave kërkimore për sa i përket aplikimit të shkencave ligjore në hetimin e krimit në Shqipëri. Unë besoj se kjo konferencë do të ndihmojë për të përmbushur më mirë misionin e Policisë së Shtetit në këto kohë kur krimi dhe format e organizuara të tij janë më të sofistikuara dhe kanë nevojë jo vetëm për forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar, por edhe për përdorim më të mirë dhe të gjerë të metodave bashkëkohore dhe mundësive që ofron zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë në ditët tona.
Është me rëndësi që punimet e kësaj konference të reflektojnë eksperiencat që kemi, problematikat, vështirësitë dhe sfidat që duhet të kapërcehen dhe të mund të ofrojnë rekomandime për zgjidhje të mundshme në drejtim të zhvillimit dhe të zbatimit të mundësive që ofrojnë sot shkencat ligjore.
Plani i Veprimit – Operacioni ‘Forca e Ligjit’, i miratuar së fundmi nga qeveria shqiptare, dëshmon vullnetin politik dhe institucional të qeverisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese në vend, në luftën pa kompromis dhe ndëshkimin e ashpër ligjor të kriminalitetit në vend dhe veçanërisht ndaj krimit të organizuar.
Buxheti i alokuar nga qeveria për Ministrinë e Brendshme për vitin 2018 është gjithashtu një tjetër tregues i qartë i vullnetit të qeverisë dhe kujdesit personal të Kryeministrit të vendit për jetësimin e këtyre prioriteteve madhore të bëra publike tashmë. Ky është buxheti më i lartë i investimeve në fushën e rendit dhe sigurisë për të paktën 10 vitet e fundit, me një rritje prej rreth 70 % krahasuar me vitin që po mbyllim. Mbi 80 % e kësaj rritje fokusohet te Policia e Shtetit dhe kryesisht do të përdoret për investime te teknologjia në fushën e hetimit dhe pajisjet shkencore, një mungesë e ndjeshme që për vite të tëra ka ndikuar ndjeshëm në zbulueshmërinë e krimit dhe efektivitetin e procedimit penal të tyre.
Përbën një domosdoshmëri me rëndësi të theksuar shoqërore kryerja e studimeve shkencore rreth formave të shfaqjes së kriminalitetit, të faktorëve kriminogjenë, metodave të kryerjes së hetimeve, rrethanave lehtësuese dhe favorizuese për kryerjen e një krimi, duke mos nënvleftësuar as format e krimit urban dhe duke studiuar në mënyrë të veçantë format e krimit të organizuar dhe krimet e reja që cenojnë rendin dhe sigurinë publike dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe më gjerë.
Në kohën e sotme, hetimi për veprat penale kërkon një sintezë të mirëbalancuar mes njohurive të përgjithshme dhe padyshim analizë shkencore të provave të gjithanshme. Procedurat përfshijnë një ndërthurje analitike të një spektri të gjerë të shkencave ligjore, biologjike-mjekësore, sociale-psikologjike, ekonomike, historike dhe kjo kryhet vetëm nga një bashkëpunim mes profesionistësh të fushave të ndryshme.
Punonjësit e ardhshëm të Policisë duhet ta mësojnë, këtu, në Akademinë e Sigurisë, abc-në e punës për zbulimin dhe ruajtjen e gjurmëve në çdo vend ngjarje dhe për çdo çështje me interes hetimor. Mbeten kritike për cilësinë e punës hetimore procedurat e kërkimit, marrjes dhe dokumentimit të provave, mënyra e përdorimit dhe rregullat e ruajtjes dhe asgjësimit të tyre, sipas procedurave të përcaktuara në ligj, si kusht që ato të përmbushin kërkesat shkencore dhe juridike për të qenë të pranueshme në gjykatë, por dhe si garanci për të respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve. Organet e hetimit duhen mbështetur me prova. Uroj që kjo Konferencë, përvoja e ekspertëve të nderuar nga vende të tjera gjithashtu, t’i shërbejë zhvillimit të diskutimeve konstruktive dhe gjetjes së alternativave të mundshme për adresimin e këtyre problematikave.
Në mbyllje të fjalës time, dëshiroj të theksoj se reformimi i Akademisë së Sigurisë, përcaktimi i kritereve më të larta të pranimit, konsolidimi i aplikimit të një modeli transparent konkurrimi që u zbatua këtë vit, rritja e cilësisë së programeve dhe kurrikulave mësimore, nivelit profesional të mësimdhënies, modernizimi i infrastrukturës përbën një prioritet te veçantë të Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë.
Miratimi i zhvillimit të programit master profesional është një tregues pozitiv i transformimit të Akademisë së Sigurisë në qendrën e vetme të formimit, trajnimit dhe kualifikimit të të gjithë punonjësve të policisë dhe jo vetëm. Ju inkurajoj që në zhvillimin e programeve master, ju të angazhoni jo vetëm profesorët dhe ekspertët më të mirë vendas, por edhe të rrisni bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojës me profesorë dhe profesionistë të praktikës së shërbimeve shkencore homologe dhe të akademive të sigurisë në vendet e tjera.
Në dëshirojmë dhe do të punojmë fort në muajt në vijim të shohim më shumë profesionistë të zotë dhe të përkushtuar në trupën pedagogjike të Akademisë së Sigurisë, mësimdhënës me integritet dhe me pasion shkencor, si garanci për të përgatitur studentë dhe punonjës policie shumë më të aftë, të motivuar e të ndërgjegjshëm për misionin e tyre fisnik në mbrojtje të jetës, lirisë, pronës dhe sigurisë së qytetarëve tanë.
Uroj që kjo konferencë të zhvilloj një debat të hapur, profesional dhe shkencor rreth sfidave bashkëkohore që përfshijnë fushën e shkencave ligjore dhe atë të sigurisë, por edhe mundësive që ofrohen në vende me përvoja të suksesshme në parandalimin dhe ndëshkimin e krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti.
Sigal