Xhafaj sulmon opozitën: Baltosës kronikë, shokuat dhe ndërkombëtarët

158
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi nga parlamenti sërish se operacioni i 27 shkurtit ku u sekuestruan 613 kg kokainë në Durrës, ishte vepër e Policisë Shqiptare. Xhafaj tha se liderët e opozitës dolën qesharak dhe baltosës kronikë edhe në sytë e ndërkombëtarëve. “Reforma në sistemin e ndihmës ekonomike dhe të mbështetjes sociale është pjesë e përpjekjeve shumë serioze të kësaj qeverie për një jetë më të mirë dhe më të sigurt për qytetarët e këtij vendi. Të gjithë e dimë se varfëria në rrethana të caktuara është një premisë shumë e mirë për të shtyrë në thyerje të ligjit këdo që halli ekonomik dhe vuajtja sociale e ka vënë poshtë. Varfërinë e njerëzve të thjeshtë, kanë shfrytëzuar edhe grupet kriminale shpeshherë, dhe jo vetëm këtu tek ne, për të zhvilluar sipërmarrjet e tyre kriminale. Veçanërisht ato të kultivimit të bimëve narkotike. Kjo Qeveri në vitin 2017 e nxori këtë vend përfundimisht nga lista e vendeve që kultivojnë kanabis. Operacioni i dekanabizimit i nisur nga kjo qeveri solli pikërisht këtë rezultat, i cili është njohur dhe përshëndetur qartë nga qeveri dhe agjenci partnere në këtë luftë. Operacioni “Forca e Ligjit”, i cili deri më tani ka shënuar suksese të dukshme në gjithë territorin e vendit, vjen si rrjedhojë e këtij angazhimi. Pjesëmarrja e një sërë agjencish ligj-zbatuese në të, si dhe asistenca e kudo-ndodhur që kemi pasur nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kanë qenë dhe mbeten një premisë reale e punës shumë të mirë që është zhvilluar deri më tani. Në vazhdë të kësaj fryme të gjithanshme inkurajimi dhe bashkëpunimi, është dhe suksesi i institucioneve ligj-zbatuese shqiptare në ndalimin dhe sekuestrimin e plot 613 kilogramëve kokaine në fund të muajit shkurt.