Xhafaj paralajmëron: Ligji do të godasë të gjithë ata politikanë, të djathtë a të majtë, që…

652
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në seancën e sotme parlamentare foli për projektligjin për vettingun në radhët e policisë së Shtetit.
Xhafaj tha se Vettingu do të përfshijë policinë e shtetit, gardën e Republikës dhe shërbimin për çështjet e brendshme.
“Qeveria kërkon miratimin për miratimin për vettingun e policinë e shtetit. Ky projektligj ka si qëllim pasjes e një trupi të shërbimit të policisë me standartet më të mira. Kjo është garanci më e mirë për sigurinë e qytetarit tonë. Do ketë transformim më të thellë për ta kthyer në një polici të standarteve europiane,” tha Xhafaj.
Ministri tha se përbaltja e policisë me retorikë politike nuk i bën aspak mirë këtij institucioni, dhe sistemi i vlerësimit që duhet të vërë në provë punonjësit e policisë nga më titullari tek më i thjeshti duhet të jetë transparent dhe i paanshëm.
“Të gjithë këta punonjës, nga titullari tek punonjësi më i thjeshtë duhet të verifikohet integriteti dhe pasuria. Në një proces transparent dhe të paanshëm. Ky nuk është një proces i largimeve dhe ardhjeve në polici. Jemi përpjekur që sistemi i vlerësimit të jetë i besueshëm. Ky proces do të pasojë me reforma sistematike. Drejtësia penale është gjykatë-prokurori-polici. Me reformën në drejtësi kemi bërë një hap para në këtë drejtim. Por gjykatësve e prokurorëve duhet t’i sigurojmë një polici të denjë. Do të afirmohen të gjithë ata punonjës së policisë së shtetit, që udhëhiqen nga një punë me norma. Jemi të vendosur të ecim në këtë rrugë në ndryshimin e policisë së shtetit. Në këtë rrugë kemi mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ata do jenë aty dhe për të mbështetur organet e vlerësimit. Kjo nismë ka gjetur mbështetje edhe nga politika shqiptare. Ky është një proces më se i zakonshëm dhe zbatohet në vende me demokraci të zhvilluar. Me këtë projektligj vendosim një standart bashkëkohor. Kontrolli i punonjësve të policisë në Britani është i përvitshëm, po ashtu kontrollohen dhe familjarët. Kontrolli duhet i imtësishëm dhe periodik. Dikush ka përdorur termin polici e korruptuar apo e kanabizuar. Po punojme per te goditur grupet kriminale. Nëse përfaqësues të politikes, qofshin te majte apo te djathte, janë në një mënyrë apo nje tjetër në marrëdhënie me grupe kriminale, kanë mbështetje financiare apo cdo lloj interesi tjeter, siguroj që asnjë lloj imuniteti s’do i përjashtojë ata nga goditja e ligjit. Ne e pranojmë që ka individë të korruptuar, të paaftë apo edhe të përfshirë në veprimtari kriminale. E dimë që kultivimi i kanabisit nuk ka kursyer edhe policisë së shtetit. Përbaltja nuk e ndihmon policinë të bëhet më e mirë,” tha Xhafaj.
Fjala e plote

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në seancë plenare për diskutimin e projektligjit për Vetting-un në Policinë e Shtetit, Gardë e SHÇBA:

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar kolegë,

Të nderuar qytetarë!
Qeveria e kërkon miratimin e Projektligjit “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, si kontribut i drejtpërdrejtë dhe themelor në çështjet e rendit dhe të sigurisë publike.
Ky projektligj ka si qëllim kryesor të tij pasjen e një trupe të shërbimit të policisë me standardet më të mira të profesionalizmit dhe të integritetit moral.
Një organizatë me anëtarë të tillë është garancia për siguri publike më të madhe për qytetarët e vendit tonë, për rend dhe siguri të standardit më të lartë europian.
Projektligji synon të sjellë transformim më rrënjësor të organizatës së policisë së shtetit në këto 20 vitet e fundit për ta kthyer atë në një polici të standardeve evropiane.
Projektligji parashikon që vlerësimit kalimtar t’i nënshtrohen të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.
Si konfirmim i paanshmërisë politike në qëllimin e këtij akti, ne kemi njohur të drejtën dhe kemi parashikuar mundësin e kryerjes së procesit të vlerësimit edhe për ish-punonjës të policisë së shtetit të cilët do të/dhe mundet të rikthehen në këtë organizatë.
Të gjithë këta punonjës, nga titullari tek punonjësi më i thjeshtë, duhet të verifikohen për sa i përket integritetit, profesionalizmit dhe pasurisë.
Projektligji propozon që organet e vlerësimit të jenë të pavarura nga Ministria e Brendshme apo ekzekutivi në tërësi.
Procesi është ndërtuar të jetë i ndershëm, i pavarur dhe i paanshëm. Vetëm kështu vetë punonjësit do të krijojnë besimin në të, vetëm kështu publiku do të bindet për objektivitetin e procesit.
Ne e kemi pasur të qartë që në fillim se do të ishte e padobishme dhe humbje kohe nëse ky proces do të ishte thjesht e vetëm procesi i radhës i largimeve dhe ardhjeve në Policinë e Shtetit, apo nëse ai nuk do të përcillte që në përmbajtje të tij, besim të plotë tek ata të cilët do t’i nënshtroheshin këtij procesi më së pari, por edhe për gjithë shoqërinë shqiptare.
Ndaj jemi përpjekur që sistemi i vlerësimit të jetë në radhë të parë i besueshëm dhe më pas të sigurojë arritjen e qëllimit për largimin nga policia e shtetit të të gjithë atyre që nuk përmbushin standardin profesional dhe atë moral për të qenë mbrojtës të jetës dhe pasurisë së çdo qytetari të këtij vendi.
Ky proces do të mundësojë një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën që kemi nisur, asaj të reformave sistemike për t’u dhënë qytetarëve atë që kërkojnë dhe meritojnë, një shtet të së drejtës me institucione funksionale. Drejtësia penale është një trekëndësh organik : Gjykatë – Prokurori – Polici.
Me reformën në drejtësi, besoj fort se kemi bërë një hap përpara në këtë drejtim, por është e domosdoshme që atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, që meritojnë dhe që do kalojnë me sukses këtë proces, të jemi në gjendje t’iu garantojmë mbështetjen dhe shërbimet e një agjencie ligj zbatuese si Policia e Shtetit, të dedikuar dhe përkushtuar.
Zbatimi i këtij ligji do të jetë një kontribut i padiskutueshëm, jo thjesht e vetëm për pastrimin e radhëve të këtyre institucioneve nga elementë të korruptuar, të inkriminuar dhe të paaftë, por para së gjithash, do të jetë një proces që do t’i shërbejë identifikimit të pjesës së shëndoshë, të dedikuar dhe të përkushtuar, mbi të cilën do të ngrihen institucionet e nesërme ligjzbatuese.
Jam i bindur se ky akt do të jetë një mundësi reale për të afirmuar të gjithë ata punonjës të Policisë së Shtetit që në punën e tyre udhëhiqen nga parime dhe vlera të larta morale dhe profesionale.
Jo vetëm rikonfirmimi i tyre, por edhe promovimi pas këtij procesi në përputhje me eksperiencën dhe kontributet është ndër qëllimet kryesore të këtij procesi.
Në këtë mënyrë do të forcohej bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë brenda vetë anëtarëve të Policisë së Shtetit.
Kjo gjë do të rriste eficencën e veprimit të kësaj organizate dhe do të përmbushte më së miri objektivat e saj.
Një polici me këtë përbërje do të garantojë një besueshmëri më të lartë kundrejt qytetarit, kundrejt agjencive të tjera ligjzbatuese, si dhe kundrejt partnerëve ndërkombëtarë.
Jemi të vendosur të ecim në këtë rrugë dhe për të bërë ndryshimin e madh përmirësues të Policisë së Shtetit. Dhe nuk jemi vetëm në këtë rrugë.
Parasëgjithash ky proces ka gjithë mbështetjen e qytetarëve, por edhe të gjithë punonjësve të ndershëm e të zotë profesionalisht të Policisë së Shtetit.
Në këtë rrugë kemi si asnjëherë tjetër mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtar që përmes misioneve të asistencës ndërkombëtare kanë punuar krah për krah me ne në konceptimin dhe hartimin e kësaj nisme.
Ata do të jenë aty për të mbështetur edhe organet e vlerësimit në punën e tyre gjatë zbatimit duke ofruar asistencën e tyre të çmuar në këtë drejtim.
Mbështetja që kjo iniciativë ka gjetur edhe nga pjesa e përgjegjshme e politikës shqiptare është garanci për suksesin e saj.
Vlerësoj dhe shpreh falënderimin për kontributet e sinqerta dhe të dobishme që deputetë të ndryshëm dhanë në procesin e diskutimit të këtij projektligji në komisionet parlamentare.
Shumë përzemërsisht falënderoj, Komisionet parlamentare të Sigurisë si komision përgjegjës si dhe Komisionin e Ligjeve dhe veçanërisht kryetarët e dy komisioneve, znj.Felaj dhe z.Manja, relatorët e p/ligjit në të dy komisionet, si dhe të gjithë anëtarët e këtyre komisioneve që në mënyrë shumë konstruktive kontribuan në shqyrtimin dhe përmirësimin e këtij projektligji për të arritur aty ku të gjithë dëshirojmë, të kemi institucione të sigurisë publike në standarde bashkëkohore.
Dëshiroj të vlerësoj me shumë sinqeritet qëndrimet e shprehura nga disa prej kolegëve, deputetë të opozitës rreth përmbajtjes së projektligjit, si dhe vet procesit të ndërtuar.
I mirëkuptoj disa prej tyre në rolin opozitar në kritikat e adresuara, pasi kryesorja vlerësoj mbështetjen që i kanë dhënë rëndësisë së këtij procesi.
Sa i përket atyre që gjetën përsëri mundësinë për të hedhur baltën e radhës ndaj meje, nuk po formuloj asnjë reagim. Po i le të lirë në ligësinë e tyre gjenetike të certifikuar tashmë si të tillë në diskursin politik publik.
Gjithsesi në interes dhe respekt të qytetarëve gjykoj se është momenti të jap përgjigje për disa akuzave të bëra gjatë këtij debati ndaj qëllimit të projekt ligjit dhe ndaj vetë Policisë së Shtetit.
Ka disa, që e kanë konsideruar këtë proces një zgjidhje shqiptare. Dikush ka deliruar më tej në mellagomaninë e tij të përhershme dhe e ka konsideruar këtë projektligj një praktikë komuniste, ashtu si edhe vetë procesin e Vetting-ut në drejtësi.
Jo vetëm ligësia dhe/ose injoranca që përfaqësojnë, por të qenit dhe dembel në mënyrën e ligë se si bëjnë këtë punë, i ka bërë këta lloj personazhesh që të mos kenë lexuar, parë e dëgjuar që çfarë ky projektligj përmban është një standard ndërkombëtar dhe jo një inovacion shqiptar.
Ky është standardi që ndiqet gjithandej në botën e lirë e demokratike. Ky proces është një proces më se i zakonshëm që zbatohet në shumë ndër agjencitë ligjzbatuese në vende me demokraci të zhvilluar si SHBA, Britani, Itali etj.
Me këtë projektligj ne vendosim një standard të tillë të rëndësishëm dhe bashkëkohor edhe për agjencitë tona ligjzbatuese.
Jo më larg se javën e kaluar, në Mbretërinë e Bashkuar, në një vizitë zyrtare pune, më shpjegonin procesin e tyre të kontrollit për punonjësit e tyre të këtyre lloj agjencive ligjzbatuese. Kontrolli i tyre është i përvitshëm, kontrollohen punonjësit dhe familjarët mbi 16 vjeç që bashkëjetojnë me subjektin, që vetohet, kontrollohet gjendja financiare dhe shoqërore, fizike dhe psikologjike si dhe deri prirjet sociale apo varësitë nga droga dhe alkooli.
Të shërbesh në struktura të sigurisë publike është mision, jo thjesht një punë, prandaj kontrolli është më i imtësishëm dhe periodik.
Ka pasur gjithashtu disa arsyetime politike që e konsiderojnë ndërmarrjen e këtij projekt ligji si pranim i faktit se policia e sotme është e korruptuar, dikush ka spekuluar edhe më tej me termin “polici e kanabizuar”.
Ne e kemi pranuar se në radhët e Policisë (ashtu si edhe në radhët e drejtësisë, të administratës publike dhe të vetë politikës para së gjithash) ka individë të korruptuar, të paaftë dhe disa për fat të keq, edhe të përfshirë në mbështetje apo edhe të implikuar në veprimtari kriminale, jo sot, por për vite të tëra.
Jemi të ndërgjegjshëm që kultivimi i kanabisit dhe trafiku i saj “nuk ka kursyer”, nëse do të përdorim këtë term edhe punonjës të policisë. Ndaj jemi të ndërgjegjësuar kur themi se kjo lloj veprimtarie kriminale është e rrezikshme për rendin dhe sigurinë publike dhe kemi gjithë vendosmërinë për ta luftuar me rrënjë atë.
E kemi parë të vërtetën në sy dhe kemi vendosur të përballemi me këto fenomene.Pasi kjo është rruga më e mirë për të bërë gjënë e duhur, për ta pastruar policinë nga këto fenomene e praktika negative.
Kjo është kurajë, përgjegjshmëri dhe vendosmëri për të ndryshuar situatën, një situatë që nuk është rrjedhojë as e një viti dhe as e dy viteve. Përkundrazi.
T’i lëmë mënjanë spekulimet politike me citimet e bëra rreth disa referencave të raporteve ndërkombëtare për këto dy vitet e fundit, përfshi dhe ato që janë në relacionin e p/ligjit. Nëse do të mbështeteshim të i njëjti standard arsyetimi do duhej të ishte krejt tjetër prej autorëve të këtyre deklarimeve logjika që përdorin.
Mund t’ju citoj edhe unë sot këtu shumë referenca në raportet e partnerëve ndërkombëtarë në vite. Për shembull, sa për korrektesë publike mund të citoj disa nga raportet e viteve 2010 e 2011 të tilla si :
“policia nuk i respektoi të drejtat e njeriut dhe nuk ishte tërësisht përgjegjëse për rendin. Problem mosndëshkimi i policisë. Oficerët e policisë nuk e zbatuan ligjin në mënyrë të barabartë, – thuhet në këto raporte të vitit 2010, 2011.
Lidhjet politike e kriminale të personave drejtues në polici shpesh ndikonin në zbatimin e ligjeve, thuhet në ato raporte për ato vite.
Sjellja joprofesionale dhe korrupsioni mbetën pengesa madhore për zhvillimin e një force policore civile të efektshme” apo “ka pasur raportime abuzimi dhe korrupsioni të pandëshkuar brenda agjencive shtetërore të sigurisë.
Pandëshkueshmëria e policisë përbën problem serioz. Policia nuk ka respektuar në vazhdimësi të drejtat e shtetasve dhe nuk ka qenë tërësisht e përgjegjshme për rendin”. Të gjitha këto citime janë pjesë e vlerësimeve raporteve zyrtare të DASH për vitet 2010 dhe 2011.
Besoj është lehtësisht e identifikueshme, kush ishte Ministri i Brendshëm, apo qeveria përgjegjëse, për këto vite raportimi.
Prandaj, ju kërkoj që të mos spekuloni dhe as të nxitoheni. Si këto citime ka shumë në raportet e partnerëve tanë ndërkombëtarë. I kemi konstatuar gjatë analizës sonë rreth gjendjes në këto institucione, ku kemi marrë në shqyrtim edhe gjithë dokumentet kryesore të partnerëve tanë ndërkombëtarë që nga viti 2007, pra për një periudhë plot 10 vjeçare. Ajo që bën dallimin, është se ne kemi vendosur që sot të përballemi me këtë problem.
Kemi vlerësuar gjithë çfarë është pozitive dhe gjithë çfarë është negative në eksperiencën e Policisë së Shtetit pavarësisht se cila forcë politike ka qenë në qeverisjen e vendit.
Por ajo çfarë sot këtë qeveri e dallon nga ato të shkuarat është fakti se ne kemi vendosur ti pranojmë problemet që ka Policia e Shtetit dhe të njohim se çfarë është jo mirë në punën e saj dhe që duhen përmirësuar.
Shumë ndryshe nga të tjerët ne me këtë proces, nuk po përpiqemi ti fshehim problemet për qëllime politike, apo elektorale.
Ne, në dallim nga disa të tjerë këtu të cilët nuk e kuptojnë rëndësinë e përgjegjësisë që kanë dhe ushtrojnë si përfaqësues të popullit dhe më shumë akoma janë komplet të papërgjegjshëm në çfarë deklarojnë, e dimë shumë mirë që standardi i Policisë së Shtetit nuk është një çështje që mundet të trajtohet sipas interesave politike të momentit.
Rendi dhe siguria publike afektojnë të gjithë njëlloj si familjen e një qeveritari, po ashtu edhe atë të një opozitari.
Ne këtë e kuptojmë shumë mirë. Ndaj edhe qasja jonë në këtë sipërmarrje ligjore është vetëm në interes të sigurisë për qytetarin.
Megjithë progresin e bërë në vitet e fundit në çështjet e standardit profesional dhe atij moral të Policisë së Shtetit, si dhe arritjeve pozitive që policia ka pasur në luftën kundër krimit, ne po kërkojmë që të bëjmë një hap të madh cilësor duke çrrënjosur me themel fenomene të tilla negative në radhët e strukturave të Policisë së Shtetit dhe jo vetëm.
Përbaltja që disa prej jush i bëjnë Policisë së Shtetit, ju sigurojë që jo vetëm nuk e ndihmon policinë të bëhet më e mirë, por nga ana tjetër as juve nuk ju sjellë përfitim politik.
Kush punonjës police nuk përmbush sipas ligjit detyrën e tij ka emër dhe mbiemër dhe nuk mundet kurrsesi të përfaqësojë në tërësi organizatën e Policisë së Shtetit.
Nuk është vetëm në nderin tuaj, por është më së pari nën përgjegjësin tuaj që të falënderoni dhe vlerësoni Policinë e Shtetit për rezultatet e fundit që ajo po arrin në luftën kundër krimit.
Nuk jam duke thënë se rezultatet janë spektakolare, apo ngjashëm të tilla, por janë rezultate të cilat jo vetëm po penalizojnë elementët kriminal, por edhe po dekurajojnë elementët e tillë për t’u përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Falënderimi dhe mirënjohja opozitare për këto rezultate, do të ishte një inkurajim më shumë për Policinë e Shtetit.
Policia e vitit 2017 është Policia që ka garantuar më shumë siguri e rend në këtë vend. Jo sipas meje, as sipas Kryeministrit dhe as sipas grupit tonë politik, por sipas statistikave zyrtare. Shifra të cilat flasin vetë e nuk kanë nevojë për komente.
Në 2017, janë evidentuar 50 raste të veprës penale të vrasjes, më e ulëta në 27 vitet e fundit. U shënua numri më i ulët i aksidenteve rrugore, 47 jetë të shpëtuara më shumë se një vit më parë, megjithëse ky ende mbetet një problem i madh për ne.
Po ashtu, 2017 ishte viti me rezultatet më të mira, lidhur me parandalimin e kultivimit të kanabisit, duke bërë që Shqipëria të dalë nga harta e vendeve që e kultivojnë atë. Mjafton t’ju sjell në vëmendje tuaj se, sipas rezultateve të publikuara nga misioni Guardia di Finanza, kultivimi i kanabisit për vitin 2017 ishte më i ulëti në të gjithë kohën që ekziston ky fenomen.
Pushteti ekonomik i disa grupeve kriminale është dobësuar ndjeshëm në 2017, duke sekuestruar rreth 40 milionë euro asete me burime kriminale, ndërkohë kjo shifër në vitin 2013 nuk i kalonte 1.2 milionë Euro.
Dëshiroj t’ju them atyre që e shohin me skepticizëm, se operacioni “Forca e Ligjit”, tashmë nuk është thjesht një projekt. Ai është sot një realitet i prekshëm, një forcë aktive në veprim dhe do vazhdojë të jetë i tillë.
Jemi qartësisht të fokusuar në goditjen dhe hetimin e grupeve kriminale dhe aseteve të krijuara prej tyre. Policia e Shtetit në luftën e saj kundër krimit, veçanërisht kundër atij të organizuar nuk është spontane dhe e momentit.
Ka akoma shumë për të bërë, por tashmë veprimi i policisë përmes strukturave të Task Forcave Speciale operacionale është shumë më i organizuar dhe më profesional.
Një veprim i tillë garanton goditje më të thellë dhe jo sipërfaqësore, por shumë dimensionale të elementëve dhe grupeve të strukturuara kriminale.
Ne kemi gjithë vullnetin e duhur për të goditur krimin në çdo formë të shfaqjes së tij. Në funksion të saj, janë vendosur burimet më të mira njerëzore të hetimit në Policinë e Shtetit dhe Prokurori.
Kemi grumbulluar informacion për grupet e strukturuara kriminale aktive që veprojnë në vendin tonë dhe po vazhdon puna për identifikimin e grupeve kriminale që operojnë në shtete të tjera dhe që kanë kontaktet apo investime të paligjshme në vendin tonë.
Të dhënat tregojnë se disa grupe kriminale zotërojnë edhe kapacitete financiare sinjifikative gjë që i bënë ato mjaftë të rrezikshme për rendin dhe sigurinë.
Në bashkëpunim shumë të ngushtë me partnerët ndërkombëtar po punojmë për kapjen dhe vënien me prova përpara drejtësisë të anëtareve të këtyre grupeve. Në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, në këto 3 muaj të fillimit të tij, janë shënuar tashmë rezultate e para shumë premtuese.
Jam realist dhe dua të them se kjo sipërmarrje e Policisë së Shtetit nuk është e lehtë. Kërkon kohë, energji dhe sakrifica. Ndaj jashtë çdo interesi personal, apo politik ju ftoj të kuptoni e vlerësoni rëndësinë madhore që ka për progresin e këtij vendi, mbështetja pa rezerva që duhet ti japim Policisë së Shtetit në këtë luftë.
Gjej rastin ta ribëj të qartë publikisht për këdo.
Nëse përfaqësues të politikës, qofshin këta të majtë, apo të djathtë, janë në një mënyrë, apo në një tjetër në marrëdhënie me grupe kriminale, kanë mbështetje financiare, apo çdo lloj interesi tjetër prej tyre, (në emër të qeverisë ku unë bëj pjesë) sigurojë që asnjë lloj imuniteti nuk do ti përjashtojë ata nga goditja e ligjit.
Policia e shteti është e vendosur të eci në këtë rrugë dhe për këtë ajo ka gjithë mbështetjen time si ministër përgjegjës për rendin dhe sigurinë, si dhe vetë të Kryeministrit.
Kjo është ajo që qytetarët tanë presin dhe duan nga ne. Ju siguroj se këtë jemi shumë të vendosur ta bëjmë.
Pjesa e shëndetshme e politikës duhet të bëhet bashkë për të mbështetur çdo iniciativë e cila synon të zhduk simbiozën e krimit me politikën e të gjitha krahëve.
Sa më gjatë në kohë ta shtyjmë këtë luftë, aq më e vështirë do të bëhet kjo luftë në të ardhmen.
Kolegë të nderuar!
Sinqerisht, jo si Ministër, por si ligjvënës ndër ju, si qytetar i këtij vendi do të doja t’ju ftoja të mbajmë larg nga Policia e Shtetit retorikën politike.
Institucionet e sigurisë publike nuk i shërbejnë Ministrit të Brendshëm në detyrë, as Qeverisë së radhës; ato i shërbejnë qytetarëve dhe të mirës publike, prandaj ju ftoj t’i lëmë mënjanë spekulimet politike dhe të bashkohemi në një front të vetëm në këtë çështje të rëndësishme, e cila shkon përtej interesit të ngushtë politik të momentit.
Ajo që është e rëndësishme sot, nuk është të debatojmë si ka qenë dje Policia e Shtetit apo institucionet e tjera. Natyrisht edhe kjo është e rëndësishme.
Por më e rëndësishme është si do të jetë Policia nesër. Koha do të provojë shumë shpejt drejtësinë e këtij vendimi që po marrim sot.
Kam dëgjuar me shumë qetësi një sërë akuzash ndaj projekt ligjit, procesit të veting-ut që ne kemi iniciuar. I kam pritur ato me shumë qetësi, pasi jam i bindur në vlerat e shumëfishta të këtij ligji.
Ju jam mirënjohës bashkëpunëtorëve të mi që kanë punuar me këtë projekt, partnerëve që kanë kontribuar dhe janë duke e mbështetur fort atë, si dhe atyre dhjetëra e qindra njerëzve, punonjës policie e qytetarë të thjeshtë që e kanë mbështetur dhe e mbështesin fort këtë proces.Natyrisht për një gjë jam shumë i sigurt. Të gjithë kritizerët e sotëm do të harrohen shpejt.
Do kalojnë pak vite dhe dy gjëra do të mbeten me siguri : Policia e shqiptare e nivelit evropian dhe padyshim standardi i vlerësimit të figurës në radhët e institucioneve ligj zbatuese shqiptare i njëjtë me agjencitë ligjzbatuese homologe europiane.
Ky është i vetmi motiv pse jam këtu dhe pse po bëj këtë gjë me shumë përkushtim dhe angazhim politik, institucional dhe njerëzor.
Ndaj, ju kërkoj ta mbështesni me votën tuaj këtë projektligj.
Na shërben të gjithëve, na shërben për të ndërtuar institucionet e së nesërmes, në shërbim të demokracisë dhe shtetit që duam të ndërtojmë, i shërben aspiratave tona.
E kemi detyrim ndaj atyre që na kanë votuar.
Ju faleminderit!
Sigal