Xhafaj nuk merr pjesë në mbledhjen e “Venecias”: Shmanget politizimi i reformës në drejtësi

387
Kryetari socialist i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Venecias, e parashikuar për në datën 24 tetor, ku do të shqyrtohet drafti me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga grupi i ekspertëve vendës dhe të huaj, që do t’i hapë rrugë reformës në drejtësi. Fatmir Xhafaj i ka dërguar një letër Komisionit të Venecias, ku sqaron se mospjesëmarrja e tij në mbledhje do të shmangë politizimin e reformës në drejtësi. Për këtë arsye, drafti do të prezantohet nga ekspertë të nivelit të lartë. Komisioni i Venecias pranoi të shqyrtojë draftin me ndryshimet kushtetuese, përmbledhur në një dokument voluminoz, të dorëzuar nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj të angazhuar në Komisionin e Posaçëm. Në axhendën e punimeve plenare të këtij Komisioni, është zyrtarizuar tashmë edhe kërkesa që ka mbërritur nga Tirana për t’u shprehur mbi modifikimet e propozuara të Kushtetutës.

Sipas njoftimit zyrtar, komisioni do të ekzaminojë draftin me ndryshimet kushtetuese dhe do të shprehet mbi to në seancën e dhjetorit. Pjesë e propozimeve të mbërritura nga Tirana janë edhe ato të opozitës, e cila nuk u bë pjesë e grupit të ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendës përsa i përket reformës në drejtësi, por i paraqiti Komisionit të Venecias vërejtjet e saj me shkrim. Sugjerimet dhe opinioni që do të shprehë Komisioni i Venecias mbi draftet janë i një rëndësie të veçantë, pasi në mungesë të një konsensusi politik mes mazhorancës dhe opozitës mbi këtë reformë, palët janë në parim dakord që të mbështesin vërejtjet që do t’i vijnë nga përtej Adriatikut. Në planet e maxhorancës është që këto ndryshime kushtetuese të miratohen nga parlamenti brenda dhjetorit, për t’i hapur më pas rrugë vitin e ardhshëm hartimit të ligjeve përkatëse.
Sigal