Xhafaj: Meritë ekskluzive e agjencive shqiptare

81
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, këmbënguli edhe një herë dje në Kuvend se operacioni i kapjes së 613 kg kokainë ishte tërësisht shqiptar. “Rreth 100 punonjës policie u angazhuan në këtë operacion, gjatë të cilit u konfiskuan rreth 613 kg kokainë. Sasi kjo rekord për vendin tonë, por gjithashtu sinjifikative edhe për vende me arritje të konsoliduara në luftën kundër këtij trafiku”, tha Xhafaj. Ai shtoi se “konfidencialiteti i treguar nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion, marrë në konsideratë edhe numrin e lartë të të përfshirëve në të, si dhe kohën relativisht të gjatë të kryerjes së tij, ishte konfirmimi më i mirë i ndershmërisë dhe i integritetit në radhë të parë të atyre punonjësve të Policisë dhe Hetimit Doganor të angazhuar në këtë operacion dhe natyrisht edhe tregues i profesionalizmit të tyre”. “Si rrallë ndonjëherë tjetër, ose ndoshta si asnjëherë më parë, në një ngjarje kriminale të përmasave të tilla të trafikut të drogës, veprimet e Policisë së Shtetit ishin jo vetëm të mirë organizuara dhe efiçiente në kuptim të rezultatit, por ishin edhe në respektim të plotë të procedurës penale”, tha ministri i Brendshëm. Ai shtoi se detyra e policisë, për të evidentuar dhe ndaluar veprimtarinë kriminale, në rastin konkret trafikimin e lëndëve narkotike, konsiderohet e përmbushur me një rezultat më se të lavdërueshëm. “Ndihem krenar të pohoj me përgjegjësi të plotë se një operacion i tillë, suksesi i të cilit provon qartë gatishmërinë dhe efiçiencën profesionale të organeve ligj-zbatuese shqiptare, është një produkt, i koordinimit të shkëlqyer mes institucioneve tona ligj-zbatuese. Ishte meritë ekskluzive e tyre identifikimi dhe zbulimi i kësaj sasie të jashtëzakonshme kokaine pa pasur asnjë lloj informacioni paraprak të jashtëm. E ritheksoj, pa pasur asnjë lloj informacioni paraprak të jashtëm, por bazuar vetëm në informacionet, analizën dhe kontrollin e kryer prej tyre”, u shpreh drejtuesi i Ministrisë së Brendshme. Xhafaj shprehu shpresën se në ditët në vijim Prokuroria e Krimeve të Rënda, përgjegjëse për këtë hetim, t’ju japë zgjidhje gjithë pyetjeve të ngritura këto ditë nga kureshtarët e kronikave të tilla, si dhe nga lloj-lloj abuzuesish politikë dhe mediatikë dhe të vendosë para përgjegjësisë të gjithë ata që qëndrojnë prapa kësaj veprimtarie kriminale.