Xhafaj, me deklaratë “bombë”: Garantët herë të tjera e kaluan drogën

668
Ministri i Brendshëm trondit politikën, pas operacionit të kapjes së kokainës. Kush janë njerëzit që mbrojnë drogën dhe telefonata me Ramën 
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, foli dje për aksionin e Policisë së Shtetit që u finalizua me sekuestrimin e 613 kg kokainë. Në “Vizion Plus”, Xhafaj tregoi se kur nisi aksioni, ndërsa rrëfeu edhe bisedën me kryeministrin pas realizimit të operacionit. Ministri i Brendshëm deklaroi se Rama e kishte pyetur për aksionin e policisë dhe më pas kishte publikuar deklaratën për shtyp, ku fliste për një operacion tërësisht shqiptar. 

Si nisi ky hetim nga ku nisi dhe nga kush e nisi?
“Duhet të nënvizoj faktin që ka pasur një komunikatë zyrtare të Policisë, e cila e ka sqaruar gjithë rrethanat e momentit të evidentimit, të identifikimit të mallit dhe identifikimit të autorëve. Kompania në fjalë për të cilën ka filluar një çështje penale ka pasur disa kontejnerë, të cilët kishin ardhur në Durrës që në datën 19 shkurt. Kompania ka qenë kompani nën risk. Autoritetet doganore dhe autoritetet e kufirit kanë një listë kompanish, që paraqesin një shkallë rrezikshmërie të caktuar ose ka dyshime mbi veprimtarinë e tyre, por njëkohësisht kanë dhe një sistem inteligjence, i cili analizon krahas këtij informacioni që jep policia apo që kanë për efekt fiskal vetë autoritetet doganore, merr parasysh edhe llojin e mallit, merr parasysh edhe vendin e origjinës së mallit apo praktika të tjera të mëparshme në kompanitë konkrete”.

Është një lloj algoritmi…
“Është një analizë risku, mund ta quajmë, e cila merr parasysh disa faktorë. Kjo analizë risku inteligjence i çon organet e hetimit doganor dhe policinë për të bërë një kontroll plus, specifik ndryshe nga ngarkesat e kompanive të tjera. Në rastin konkret kishte një dyshim të ngritur mbi këtë kompani. Ishte në listën e mallrave që do të zhdoganoheshin dhe natyrisht kontrollorët e të dy subjekteve ishin të vëmendshëm, po ndiqnin me kujdes radhën e vlerësimit të kontejnerëve përkatës. Janë katër kontejnerë në mos gaboj, dhe nga një kontroll paraprak që u bë, ka pasur dy kontrolle. Një kontroll që bëhet me qenin antidrogë, i cili ka konstatuar dhe ka dhënë shenjat e para, që këtu ka dyshime për sasi droge. Padyshim këtu nuk mund të bëhej fjalë sa mund të ishte kjo sasi. Pastaj është kërkuar të kalojë në skaner. Është bërë një rivlerësim i dytë, është krijuar bindje e plotë që brenda kontejnerit ka sasi droge, pa ditur shkallën e nevojshme, sasinë. Kjo gjë nuk mund të përcaktohej. Çështja është shtruar për diskutim. Është njoftuar Prokuroria e Krimeve të Rënda. Është caktuar prokurori i Krimeve të Rënda, i cili do të hetonte çështjen dhe kanë rënë dakord që të aplikonin dorëzimin e kontrolluar të mallit, pra për të lejuar…”.

Kontroll fizik pra..
“Jo, për të lejuar lëvizjen e kontejnerit, për të kuptuar se ku do të shkonte kontejneri. Natyrisht në ambientet e Portit shqiptar është pak e vështirë, sepse sipërfaqja është e vogël, numri i njerëzve që janë aty është i madh, subjektet që përfshihen, është një numër i konsiderueshëm, por për shkak të masave që u morën dhe për fat të mirë nuk rrodhi informacioni. Së pari, nuk rrodhi në kohë gjatë shtatë-tetë ditëve që kishte një vëzhgim nga vetë Hetimi Doganor, nga Policia Kufitare dhe pastaj nga të gjitha forcat e Policisë që u angazhuan në territorin…”.

Po thoni që ky është një aksion që ka nisur dhjetë ditë më parë?
“Indiciet janë që në momentin që është paraqitur. Shqyrtimi i kujdesshëm është bërë një apo dy ditë përpara, nuk jam i saktë. Tani do të rezultojë dhe nga hetimi që do të bëhet nga agjentët doganorë dhe nga Policia Kufitare, përmes oficerit të policisë me qenin antidrogë. Pastaj gjithë procesi që bëhet, që kalohet në vijën e dytë, kontrolli i imtësishëm dhe gjithë ky operacion është mbajtur, ka pasur një diskrecion të plotë midis gjithë këtyre forcave në mënyrë që të kishim mundësi për ta ndjekur. Kjo tregon, në vlerësimin tim, një shkallë pjekurie e strukturave tona”.

Krahasuar me të shkuarën…
“Absolutisht po”.

Gjithmonë kishte rrjedhje informacioni.
“Sepse kanë arritur ta mbajnë këtë informacion. Për mua ishte në kufijtë e së pamundurës”.

Gjithsesi suksesi juaj është që i keni rrëzuar garancinë “garantit”?!
“Më fal, ju nuk mund të thoni atë që… ne po flasim për një situatë konkrete, nëse flasim për një gjë tjetër, ne nuk mund të lidhim gjëra të ndryshme, në kohë të ndryshme sot në këtë studio”.

Unë e shoh si pjesë të suksesit…
“Jo, dakord”.

Keni rrëzuar “garantin”. Garanti kush është i kësaj?
“E para, në vlerësimin tim, këtu s’bëhet fjalë për garant. Nëse do të kishte garant, edhe njëherë po e rithem, sot ky fakt nuk do të ishte publik. Sot do të kishte kaluar, siç mund të kenë kaluar edhe herë të tjera”.

Paska pasur një paralajmërim nga ana e policisë në 2015-ën…
“Më fal, edhe njëherë, gjithë kjo heroinë dhe kokainë që qarkullon në Evropë, nuk besoj se vjen nga Shqipëria. Nuk është Shqipëria porti kryesor i hyrjes së kokainës dhe heroinës në Evropë. Jo se nuk ka pasur raste më përpara”.
Sigal