Xhafaj: Data 6 gusht jo konsensuale, Berisha përdor presionin!

486
Sigal

Imuniteti/ Partia Socialiste deklaron se nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese në 6 gusht

Nënkryetari i Komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj në një komunikim me gazetarët u ndal të komentojë akuzat e drejtuara ndaj PS-së për çështjen e imunitetit. Ai saktësoi se: “E kemi votuar pro në parim dhe nen për nen imunitetin. E konsiderojmë të mbyllur çështjen për imunitetin, kemi amendamente konsensuale të votuara në parim dhe nen për nen. Ne nuk kemi dhënë miratimin për grupin e amendamenteve në tërësi. Kjo do të ndodhë kur të kemi një tekst të integruar edhe të miratuar në tërësi si hapi i fundit para shqyrtimit në Kuvend”,- tha ai. Duke iu përgjigjur Kryeministrit Berisha, por edhe ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, Xhafaj tha se, vendosja e datës 6 gusht për votimin e çështjes së imunitetit nuk është konsensuale. Ai ka hedhur poshtë deklaratat e Kryeministrit Berisha se, opozita ka rënë dakord që më datën 6 gusht të votohej për heqjen e imunitetit. Xhafaj tha se, “pretendimet e shumicës për datën 6 gusht, gjoja si sanksionim i rregullores janë absurde”. “Amendamenti i propozuar nga një grup deputetësh në 2008-n ka përcaktuar procesin, ka vendosur kufij kohor minimal në këtë proces, që të mos abuzohet. Rregullorja përcakton 2 javë kohë të lira, pa veprimtari para thirrjes së mbledhjes së komisionit dhe 2 javë të detyruara para shqyrtimit në seancë plenare. Nisma e PD-së është regjistruar në 6 korrik, seanca është lënë në 6 gusht, gjithsej, 31 ditë kalendarike, nga këto 28 janë ditët që rregullorja i ka të kushtëzuara për shpalljen publike të projektit final, mbeten vetëm 3 ditë pune, kaq kanë qenë dhe ditët që i janë kushtuar procesit. Data 6 gusht është caktuar në mënyrë arbitrare, e njëashme, e parapërcaktuar dhe është jashtë çdo llogjike të frymës kushtetuese dhe rregullave parlamentare”, tha Xhafaj. Xhafaj shtoi se, Kryeministri kërkon që ndryshimet t’i bëjë me forcë e ultimatum, por kjo, sipas tij, nuk mund të pranohet. “Këta duan t’i imponohen opozitës për gjithçka edhe në gjëra të thjeshta proceduriale. Data 6 gusht u vendos pa konsensus. Kryeministri spekulon, do të kapet fort pas datës, do t’i imponojë opozitës vullnetin e vetë, axhendën dhe forcën e vetë. Do të përdorë partnerët ndërkombëtarë në funksion të debatit dhe interesave të tij të brendshme politike”,- tha ai. Duke iu referuar letrës që komisioneri Fyle i dërgoi Kryeministrit Berisha, Xhafaj tha se në vend që të akuzojë opozitën, Kryeministri duhet të reflektojë për të. “Sinqeritet dhe aftësi për kompromis, këto kërkon Fyle në letrën që i dërgon Berishës. Ai me siguri dyshon tek sinqeriteti i Berishës. Kryeministri kompromisin e ka zëvendësuar me diktatin dhe ultimatumin, ta lexojë drejtë mesazhin e Brukselit. Nëse do realisht bashkëpunim të heqë dorë nga kërcënimet”, tha Xhafaj më tej.

Imuniteti, Bregu: 6 gushti jo tekë e PD-së, por respektim i rregullores!

Përmes ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, mazhoranca vijon t’i bëjë apel opozitës për të votuar në seancën e 6 gushtit heqjen dhe kufizimin e imunitetit të zyrtarëve, “për të dëshmuar se çështja e integrimit është axhendë kombëtare”. Duke cituar deklaratat e deputetëve të PS-së, në Komisionin e Integrimit apo në Parlamentin Europian, të cilët janë shprehur pro heqjes së imunitetit, ministrja Bregu i bëri apel opozitës të përmbajë premtimet për kontributin e saj në përmbushjen e rekomandimeve të BE-së. “Sot kemi një çështje urgjente për të zgjidhur, çështjen e imunitetit. Vazhdoj të shpresoj se kërkesat për të votuar heqjen e imunitetit brenda muajit korrik, të mos kenë qenë vetëm fjalë në erë. Në 6 gusht maxhoranca do të votojë imunitetin siç kërkoi opozita, përmes ndryshimeve kushtetuese. 6 gushti nuk është tekë e PD-së, por respektim i rregullores”,- u shpreh Bregu, në një konferencë për shtyp. Më tej ministrja e Integrimit theksoi se 6 gushti është shansi për të çuar përpara procesin e integrimit. “Nëse opozita mendon se korrupsioni është një sfidë që duhet fituar dhe nëse opozita është një institucion i këtij vendi dhe jo pengmarrje e zotit Rama dhe frikës së tij, atëherë të votojë në 6 gusht. Shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh Edi Ramës për të humbur shansin e merituar, vetëm se Rama kërkon të ruaje lidhjet e tij të dukshme dhe të padukshme me krimin”,- deklaroi ministrja Bregu.