WOLLFARTH: “PRESIDENCIALET NË SHBA, FRYMËZIM PËR ZGJEDHJET SHQIPTARE, 2013”

430
Sigal

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Eugen Vvollfarth deklaroi dje se shpreson që zgjedhjet presidenciale në SHBA të shërbejnë si frymëzim për Shqipërinë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. I ftuar në ambientet e hotel “Rogner” ku Ambasada Amerikane ndiqte zgjedhjet amerikane, Vvollfarth tha se “Këto zgjedhje presidenciale në SHBA kanë rëndësi për mbarë botën dhe për Shqipërinë. Për Shqipërinë shpresoj të shërbejnë si frymëzim shumë i mirë për zgjedhjet e 2013, sepse janë moment kyç për vendin tuaj, që këto zgjedhje të jenë sipas standardeve sepse do zgjedhin qeverinë që do udhëheqë vendin për 4 vitet e ardhshme si dhe do çojnë para zhvillimin e vendit”. Ambasadori i OSBE theksoi se OSBE-ODIHR do të bëjnë të pamundur të ndjekin dhe monitorojnë më së miri këtë proces zgjedhor në Shqipëri. I pyetur se kush do të fitojë zgjedhjet në SHBA, ambasadori i OSBE në Shqipëri tha se “kjo është pyetje milion dollarëshe. Nuk e them dot se kush mund të fitojë, ky është moment emocionant dhe kemi parë dy kandidatë të të dy palëve, dhe më e rëndësishme është vota dhe kjo është dita e popullit amerikan”. Kurse pyetjes se kur përfundon mandati i kryeprokurores së përgjithshme, Vvollfarth theksoi se, kjo është çështje politike dhe ligjore, por rëndësi ka që ky post e ka mandatin e limituar dhe se Ina Rama i qëndron mandati të limituar. “Është çështje politike dhe ligjore dhe mendoj t’ia lemë në dorë ekspertëve. Kam parë opinione të ndryshme dhe ka mundësi të përfundojë në maj, ka dhe disa pozicione që thonë se përfundon në nëntor. E rëndësishme është se është mandat i limituar dhe Ina Rama e ka bërë të qartë se i qëndron këtij mandati të limituar”. Ambasadori shtoi se shpreson që Shqipëria të zgjedhë njeriun e duhur për Prokuror të Përgjithshëm.