Wolfarth: “KQZ-ja të zbatojë ligjin, partitë mos ndërhyjnë në punën e saj”

423
Sigal

Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth, thekson rëndësinë që partitë politike të mos ndërhyjnë në punën e KQZ-së, në mënyrë që ky komision të vërë në zbatim legjislacionin dhe procedurat përkatëse për zgjedhjet e 23 Qershorit, në kohën e duhur dhe në mënyrë të paanshme.  Deklarata e ambasadorit Wollfarth erdhi gjatë një takimi me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Tiranë, ku ishin të ftuar edhe kryetarja dhe zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.  Ambasadori Eugen Wollfarth, theksoi se, në KQZ duhet të ketë frymë bashkëpunimi, ndërsa bëri apel për shmangien e deklaratave dhe veprimeve që mund të çojnë në politizimin e punës së administratës zgjedhore.  “Detyra e administratës së zgjedhjeve është të vërë në zbatim legjislacionin dhe procedurat përkatëse, në kohën e duhur dhe në mënyrë të paanshme, për të siguruar që zgjedhësit të kenë mundësinë që ta shprehin lirisht dhe me vërtetësi vullnetin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Veprimet dhe deklaratat që mund të çojnë në politizimin e punës së administratës zgjedhore janë të kundërfrytshme dhe duhen shmangur. Të gjitha palët duhet të dëshmojnë vullnetin e duhur politik për zgjedhjet që po vijnë”,- deklaroi Wollfarth.  Siç bën të ditur zyra e shtypit e OSBE-së, në takimin me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Tiranë u shkëmbyen informacione dhe u bashkërenduan qëndrimet lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pjesëmarrësit i shprehën KQZ-së mbështetje të vijueshme për zbatimin e paanshëm të kornizës zgjedhore.  Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht përpara zgjedhjeve për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet.  Një nga qëllimet kryesore të Grupit të Punës është të bashkërendojë projektet e bashkësisë ndërkombëtare të lidhura me zgjedhjet, për të shmangur dublimin dhe për të maksimizuar efikasitetin e tyre.

KQZ-ja miratoi modelin dhe specifikimet teknike të fletës së votimit për zgjedhjet e 23 qershorit

Ja modeli për partitë, koalicionet dhe kandidatët

Me 7 vota pro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi modelin dhe specifikimet teknike të fletës së votimit për zgjedhjet e 23 Qershorit.  Modeli i fletës së votimit për partitë politike, koalicionet  dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, që konkurrojnë në zgjedhjet për Kuvendin do të ketë ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore. Fleta e votimit do të prodhohet në blloqe, pa kundërfletë dhe do të përmbajë elemente sigurie të cilat garantojnë sigurinë e prodhimit dhe përdorimit të saj. Fletët e Votimit do të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi dhe elementë konfigurimi të tilla, që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj.

– Me unanimitet, 7 vota pro, KQZ miratoi edhe projekt-vendimin: “Për një ndryshim në Vendimin Nr.15, datë 15.01.2013 “Për shpërndarjen e fondeve vjetore partive politike për vitin 2013”. Ligji për “Buxhetin e vitit 2013”, ka parashikuar fondin prej 189 milionë lekësh si mbështetje financiare për partitë politike për vitin 2013 dhe jo 200 milionë lekë, siç ishte përllogaritur në vendimin e mëparshëm.

– Pika tjetër e rendit të ditës, projektvendimi: “Për miratimin e strategjisë së edukimit të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin, të datës 23.06.2013”, i’u kthye administratës për t’u punuar, pasi nuk ishte i plotë.