Washington, Panariti takime me drejtues të lartë të Politikës Bujqësore

586
Në vijim të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti u takua në Washington DC me z. Eric Luftman, Drejtor për Politikat Bujqësore në Departamentin e Shtetit dhe z. Thomas Yazdgerdi, Drejtor i Zyrës për Europën Qendrore në Departamentin e Shtetit. Gjatë takimit me dy zyrtarët amerikanë në Departamentin e Shtetit, z. Panariti i prezantoi Drejtorit Luftman politikat dhe modelin e zhvillimit të bujqësisë shqiptare. Sipas ministrit, modeli i “contract farming” ose i “bujqësisë me porosi”, është motori i zhvillimit të bujqësisë i orientuar drejt kërkesave të tregut.
Panariti, kërkoi mbështetjen për krijimin e bursës bujqësore, si rregullator i çmimeve dhe parandalues i spekulimeve. Gjithashtu, ministri theksoi nevojën e mbështetjes amerikane për certifikimin e prodhimeve organike dhe eksportimin e tyre, drejt tregjeve të SHBA. Panariti informoi të pranishmit, se vazhdon certifikimi i prodhimeve organike dhe rreth 200 firma kanë fituar këtë status. Zhvillimi i agro-turizmit ishte një ndër temat e bisedimeve, ndërsa Ministri Panariti nënvizoi, impaktin pozitiv që ky sektor mund të japë në zhvillimin e zonave të caktuara duke rritur punësimin dhe kohezionin social.
Drejtori Luftman, përgëzoi politikat e ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë dhe siguroi z. Panariti për mbështetje në realizimin e këtyre projekteve.
Gjatë takimit me z. Thomas Yazdgerdi, Drejtor për Europën Qendrore në Departamentin e Shtetit, u bisedua për zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, si miratimi i afërt në Parlament i reformës në drejtësi dhe marrëdhëniet rajonale.
Sigal