Vuljaniç: “Ka ardhur koha që të arrestoni ministra dhe kryeministra për korrupsion”

407
Sigal

Raportuesi për Shqipërinë, Vuljaniç paralajmëron politikëbërjen në Shqipëri, në prag të vendimit për statusin

Pas thirrjes publike të intelektualëve shqiptarë, për arrestimet e peshkaqenëve të korrupsionit, si edhe pas skandaleve të pushtetit gjyqësor, ka reaguar menjëherë, Raportuesi për Shqipërinë, Vuljaniç, i cili ka kërkuar arrestimin e zyrtarëve të lartë, të pushtetit të sotëm e të djeshëm duke i futur në burg të gjithë ministrat e korruptuar, prokurorët e inkriminuar, gjyqtarët e blerë, avokatët apo njerëzit e tjerë që shfrytëzojnë postet duke vënë pasuri të majme me rrugë të paligjshme. Duket sikur ky kushtrim jepet vetëm për ngjarjet akute dhe flagrante të ditëve të fundit që kanë të bëjnë me skandalin e gjykatës së Pukës, ose lirimin e të burgosurve nga Drenova, por në fakt çështja është më e thellë. Me këtë thirrje Vuljaçiç kishte parasysh, mafien politike pa dallime partiake, që u ngjit në Parlament me vota të vjedhura, ose të manipuluara duke shtuar rrezikshmërinë e identitetit të tyre të ri. Sepse nga trafikantë, skafistë, vrasës, hajdutë, apo badigardë ata u bënë deputetë dhe në këtë mënyrë koefiçenti i rrezikshmërisë së tyre është rritur shumë. Por këtu përfshihen edhe skandalet e fundit gjyqësore me arsimin shqiptar, ku banda të ndryshme kanë dhënë diploma false, apo kanë bërë manipulime të tmerrshme me ryshfete, apo emërime të pamerituara. Por çështja në Shqipëri nuk fillon dhe nuk mbaron këtu. Sepse Mafia shtetërore e mëparshme apo e mëpasme, ka krijuar në Shqipëri një klimë të pasigurt për jetesën e brezave të rinj. Këtu çdo ditë ka vrasje pa autor, apo nëpërmjet vrasësve me pagesë, të cilat nuk mësohen ndonjëherë se për llogarinë e cilit personazh bëhen. Këtu ka ngjarje aq të rënda saqë jetesa është bërë gati e pamundur.

—-Një nga sfidat e Shqipërisë, për t’u pranuar, për t’u integruar në BE, është lufta e vërtetë kundër korrupsionit politiko-ekonomik, që duhet të zhvillojë, e jo si deri tani, ku çdo premtim ka mbetur vetëm në miratime ligjesh antikorrupsioni, dhe asgjë nuk është bërë në praktikë, ku asnjë politikan e qeveritar i madh, ose të ashtuquajturit, peshkaqenët e korrupsionit politiko-ekonomik, nuk ka dhënë llogari para drejtësisë, nuk është dënuar me burg, për korrupsionin që ka ndihmuar, favorizuar, apo ka bërë me qëllim, duke shfrytëzuar pozitën,. Imunitetin dhe pushtetin që ka (patur). Në Itali, ditët e fundit Berluskoni, që është kryeministri më jetëgjatë në Itali, u përjashtua nga senati, për shkak të dënimeve nga drejtësia italiane, për evazion fiskal. Në Kroaci, ish-Kryeministri u dënua për korrupsion. Në Francë, ish-Presidenti Shirak, është në procese gjyqësore, për shkak të shpërdorimit të detyrës, Në Gjermani, ish-Presidenti gjerman, është në gjykim, përse u favorizua për një shumë të vogël financiare. Vetëm në Shqipëri, megjithë dhjetëra rastesh korrupsioni, askush nuk dënohet, askush nuk shkon në burg.

 

Raportuesi për Shqipërinë, Nikola Vuljaniç: Arrestoni ministra, prokurorë, kryeministra

Rasti i korrupsionit në gjykata dhe prokurori, që u denoncua me pamje filmike në FIKS-FARE, ka bërë jehonë edhe në BE, duke u çuar sinjale, se në Shqipëri, korrupsioni, në çdo qelizë të shtetit dhe politikës, nuk luftohet, sepse nuk ka vullnet politik që të luftohet. E, ndërsa politika shqiptare, reagon, si përherë, deri tani, me vonesë dhe me masa gjysmake, nga BE-ja është i menjëhershëm, i fortë dhe paralajmërues për gjithë politikëbërjen në Shqipëri. Raportuesi për Shqipërinë, Nikolla Vuljaniç, paralajmëron: “ E pashë videon dhe lexova lajmin, e mendoj se kjo është rruga e duhur për të vepruar mbi këto gjëra. Një ndihmës i Prokurorit të Përgjithshëm u filmua ndërsa kërkonte ryshfet, apo diçka e ngjashme, për të liruar disa njerëz, jashtë burgut, dhe ai u hoq nga detyra brenda disa minutave. Kështu thuhet në artikullin që lexova. Shpresoj vërtet që të arrestohen. Kjo nuk thuhet në artikull. Kryesorja  është që të shihet se ka një prirje, një vullnet. Një tjetër pikë  kyçe është  klikimi mendor në kokën e popullit në përgjithësi, i cili duhet të thotë se korrupsioni është i keq. E njoh mentalitetin e Ballkanit. Korrupsioni është mënyra për të gjetur rrugën tënde në shoqëri. Për të çarë e për të arritur sukses në jetë, përmes korrupsionit. Tani, ky klikim i mentalitetit se kjo gjë është e keqe, është një çështje vendimtare. Kjo është pika për të arrestuar një ministër, një Prokuror të Përgjithshëm, një Kryeministër. Pozicioni i medias në Shqipëri është vërtet për të qeshur. Pashë televizionin çdo natë kur isha atje, edhe pse nuk e kuptoj gjuhën. Thjesht për të parë se si funksionon. Ka shumë transmetues privat të pavarur, që më dukeshin plotësisht profesional, si Top- Channel e të tjerë. Nga ana tjetër ka një televizion publik të varfër, çfarë është e gabuar. Vendi duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje mediave publike sepse ato janë burimi kryesor e parësor i informimit për qytetarët.