Vuçiç sot në Tiranë nën masa të rrepta sigurie, ja axhenda e takimeve

404
Aleksandër Vuçiç mbërrin sot në Tiranë në një vizitë dyditore. Për vetë historikun e marrëdhënieve të shqiptarëve, kryesisht të Kosovës me këtë vend, por edhe dinamika që po shoqëron rajonin këto kohë, bën që kjo situatë të menaxhohet nwn masa tw rrepta sigurie. Mësohet se në terren do të sigurojnë mbarëvajtjen e kësaj vizite, qindra forca policie, gardistë, efektivë nga antiterrori, shërbimi inteligjent, si edhe helikopterë të ushtrisë.
Përmes një deklarate për mediat, zëvëndës drejtori i Policisë, Altin Qato, bëri me dije se 1310 efektivë policie do të jenë në gadishmëri për mbarëvajtjen e vizitës së kryeministrit serb. “Gjithsej vëtëm në Tiranë do të angazhohen në terren 1090 punonjës policie. Ndërsa në teritorin e Qarkut Durrës do të angazhohen 220 punonjës policie.
Strukturat për Kufirin dhe Migracionin në nivel Qëndror dhe Rajonal kanë shtuar masat për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, si dhe për kontrollin e shtetasve në hyrje në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Gjithashtu Strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimet me Gardën e Republikës për të gjitha masat e sigurisë, me Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Shërbimet e tjera Inteligjente për shkëmbimin e informacionit në kohë reale, si dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, për monitorimin me helikopter të hapësirës ajrore të qytetit të Tiranës”.
Axhenda e kryeministrit serb
Në orën 11:00 të së mërkurës, Aleksandër Vuçiç dhe delegacioni do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit, për t’iu drejtuar Pallatit të Brigadave, ku në 11:30 homologu Edi Rama do ta presë në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave, si shenjë reciprociteti, e mirëpritjes së Kryeministrit shqiptar në Pallatin Serbska gjatë vizitës së tij në Beograd. Pas takimit mes dy delegacioneve në bibliotekën e Pallatit të Brigadave, dy Kryeministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Axhenda e Kryeministrit serb, do të vijojë me një takim me kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Në orën 15:50, numri 1 i qeverisë së Serbisë, do të pritet nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Kreu i shtetit shqiptar, nuk do të ndjekë shembullin e homologut Tomislav Nikoliç që nuk priti në Beograd Kryeministrin tonë, por do ta mirëpresë në zyrën e tij, ku ndoshta do të ketë rastin ti përgjigjet deklaratës së asaj kohe të Presidenit serb se Shqipërisë i duhen edhe 100 vjet që të bëhet shtet.
Axhenda e ditës së parë të vizitës së Vuçiç në Tiranë do të mbyllet me një takim me kreun e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Më 28 maj, Vuçiç do të marrë pjesë në forumin ekonomik të rajonit, që mbahet në Tiranë.
Sigal