Vrasja në Belgjikë, Kuvendi miraton arrestimin e dytë të Frrokut

496
TIRANE – Kuvendi i Shqipërisë vendosi të çojë sërish pas hekurave deputetin kristian-demokrat Mark Frroku, këtë radhë për akuzat nga autoritetet belge se ka vrarë një shqiptar në vitin 1999. Me 113 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim, deputetët e opozitës dhe mazhorancës i dhanë aprovimin Prokurorisë së Përgjithshme për të arrestuar deputetin e Shkodrës.
Deputeti kristian-demokrat Mark Frroku mbërriti rreth orës 10:00 në Kuvendin e Shqipërisë i shoqëruar nga 2 makina policie për tu bërë pjesë e seancës plenare. Frroku është ngjitur në foltoren e Kuvendit për të mbrojtur veten para kolegëve të tij. Duke i kërkuar të kenë durim për fjalimin e gjatë që kishte përgatitur, ai u shpreh edhe njëherë para deputetëve se nuk ka kryer asnjë vrasje në jetën e tij.
“Nëse në rastin e parë pashë të arsyeshme të flas nga karrigia, tani jam në këtë foltore të shenjtë për të sqaruar opinionin publik, unë jam betuar jo vetëm si deputetë por edhe si malësor, me rregullat e caktuara dhe jo si këto malësorët e sotëm. Unë nuk kam vrarë apo shtyrë njeri për të vrarë apo kanosur njeri. Nuk ka asnjë vendim të formës së prerë nga asnjë gjykatë belge apo ndonjë vend të botës”, tha ai.
Duke shprehur gatishmërinë për tu vënë para drejtësisë, Frroku kërkoi që kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme të mos ishte futur fare në rendin e ditës, ndërsa njëherësh paralajmëroi se do ta kërkonte të drejtën edhe në Gjykatën e Strasburgut.
“Të nderuar deputetë, nuk jam këtu t’iu kërkoj votën kundër kërkesës së Prokurorisë, por ju them mos ta fusni fare në rendin e ditës. Kjo çështje i takon drejtësisë dhe vetëm me drejtësinë shqiptare, apo gjykatën belge, aspo Strasburgun unë do ta zgjidh të drejtën time”, tha Frroku.
Një peshë të mirë të fjalës, Frroku ia dedikoi akuzave që opozita ka artikuluar gjatë këtyre ditëve ndaj tij. Deputeti shtoi ndër të tjera se, nuk ka qenë skllav i askujt, madje as për çështjen e vëllait të tij Arben Frroku, i cili është nën akuzë për vrasjen e kryepolicit Dritan Lamaj.
“Ata njerëz që shpifin dhe bëjnë politikë me akuzat ndaj meje dhe hallet e mia nuk dinë gjë tjetër vetëm se të shpifin dhe të përbaltin figurën time dhe të familjes sime. Kam hyrë në zgjedhjet e 23 qershorit duke përmbushur të gjitha kushtet. Nuk jam futur në këtë parlament nga dritarja por jam futur nga dera, dhe 1 milionë vota ishin përgjigjja më e mirë për qeverinë e kaluar. Kush kërkon të kriminalizojë këto vota e ka shumë gabim. Nuk ka bandë që blen votën e popullit që kërkon ndryshim. Humbësit duan të helmojnë edhe politikën duke kërkuar banditë në këtë parlament. Unë nuk kam kërkuar mbrojtje as nga ministri Tahiri as kryeministri Edi Rama, as për çështjen e vëllait tim asnjëherë unë nuk kam qenë skllav i kryeministrit, unë jam skllav vetëm para zotit dhe askujt tjetër”, u shpreh Frroku.
Deputeti rrëfeu versionin e tij të ngjarjes, duke pohuar se ka qenë në Belgjikë me dokumente të një kosovari, por se pasi nuk i është pranuar azili politik, ai është kthyer sërish në Shqipëri dhe nuk ka qenë në Bruksel në kohën kur ndodhi vrasja e shqiptarit Aleksandër Kurti.
“Është e vërtetë që në ‘98 kam emigruar drejt Belgjikës, dhe atje kam siguruar azil politik. E vetmja mënyrë për të siguruar dokument në BE ishte të paraqiteshe si kosovar. Pasi kam qëndruar për rreth 4-5 muaj atje mua më është refuzuar qëndrimi atje dhe kam lënë Belgjikën dhe jam kthyer në vendin tim. Pas kësaj unë për herë të parë emrin Aleksandër Kurtit ja kam dëgjuar pas pak kësaj ngjarjes që ndodhi, dua ti përcjell ngushëllimet familjes Kurti bashkohem me dhimbjen e tyre dhe dua ti garantoj që nuk jam asnjë lidhje me këtë çështje. Trupi i pajetë i tij u gjet nga policia belge më 5 mars 1999, unë kam deklaruar se nuk kam qenë në Belgjike në këtë kohë, dhe deri në 2004 unë nuk kam shkelur kurrë në atë vend. Këtë gjë unë dhe avokatja ja kemi bërë të qartë organeve belge. Për 16 vjet drejtësia belge nuk ka gjetur asnjë provë që të më fajësojë mua. Avokatja ime e ka provuar para drejtësisë belge se unë nuk ndodhesha në atë kohë në territorin belge. Në 2004 autoritet belge më kanë thirrur si i dyshuar dhe unë për 2 muaj kam qenë i ndaluar aty, dhe pas dy muajsh jam liruar pa asnjë kusht nga gjykata belge. Në vitin 2010 jam dënuar 10 vjet në mungesë dhe gjykata e lartë më shpalli të pafajshëm duke e rikthyer çështjen”, tha Frroku para kolegëve deputetë.
Ai tha se familja e tij i ka dal borxhit me moral familjes Kurti, duke sqaruar edhe “mbledhjen e baballarëve”.
“Në mars 2013 familja ime në prani të 24 burrave dhe dy klerikëve u ka bërë be familjes Kurti. Është një ndryshim shumë i madh dhe ftoj median ta përcaktojë mirë këtë çështje sepse bërja be me 24 burra dhe falja e gjakut kanë një ndryshim shumë të madh. Familja Frroku i ka dalë borxhit me moral familjes Kurti. Unë kam pamje filmike dhe firmat e këtyre 24 burrave që kanë firmosur në këtë be që ne i dalim borxh burrave të kësaj familjeje. Edhe atëherë edhe sot unë nuk i jam shmangur në asnjë moment drejtësisë”, u shpreh ai.
Deputeti Frroku nuk priti të votohej për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, por la sallën e Kuvendit, ku u largua sërish me makinat e policisë. “Vendimi i Parlamentit do merret dhe unë nuk jam në kundërshtim asnjëherë asnjëherë me vendimin e parlamentit”, u përgjigj Frroku për gazetarët jashtë Kuvendit.
Kreu i Partisë Demokristiane ndodhet në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për akuzat që i rëndojnë nga drejtësia shqiptare se është përfshirë në sajimin e historisë së atentatit që deputeti Tom Doshi pretendon se kryeparlamentari Meta kish urdhëruar ndaj tij. Për këtë arsye, Frrokut i është dashur leje nga Prokuroria për të lënë shtëpinë, e për tu bërë pjesë e seancës së të enjtes.
Ora 11:28 Miratohet me 113 vota kërkesa për autorizimin e arrestimit të deputetit Frroku
Me 113 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për autorizim të arrestimit të deputetit kristiandemokrat Mark Frroku 
Ora 11:25 Ristani: Rama duhet të ishte në Kuvend
Ristani: Kryeministri duhet të ishte në këtë sallë të votonte që të shfaqte vullnetin e tij për dekriminalizim.
Meta: Unë e kuptoj që ju për procedurë do të kërkoni që çdo deputeti t’i vihet tubi por ne nuk jemi policia rrugore. 
Ora 11:10 Ristani: Po faktohet çdo ditë lidhja e Ramës me krimin
“Është fakt që në mbledhjen e fundit të Këshillit jo vetëm nuk u kërkuan prova por zhvillohet një seancë ala Kadri Hazbiu. Megjithatë jemi ne këtu për ta sqaruar çështjen siç është. Gjatë gjithë kësaj legjislature opozita ka ngritur shqetësimin e përfshirjes së personave me rekorde kriminale në parlament. Në seancën plenare të 20 janarit, ka akuzuar fuqishëm Ramën dhe deputetin e tij Frroku për akuzat në Belgjikë. Kryeministri heshti dhe madje tha se nuk ka fakte për një gjë të tillë. Edhe Kryetari i parlamentit heshti. Partia Demokratike denoncoi edhe fshehjen e një trafikanti në makinën e Frrokut. Por mazhoranca vijoi të heshtë. Mazhoranca nuk mbajti asnjë qëndrim mbi këto fakte tronditëse, por përdori votën e Frrokut. Të gjitha faktet e bëra publike nga opozita, kanë detyruar ndërkombëtarët të kërkojnë nxjerrjen nga Kuvendi të personave me rekorde kriminale. Akzua e rëndë për vrasje të krijon përshtypjen se Kuvendi është shndërruar në një kaush burgu. Përgjegjësia për këtë degradim është e kryeministrit Rama, pa mbështetjen e shtetasve të akuzuar për vrasje, përdhunim dhe trafik droge nuk do të ishin bërë kurrë deputetë. Mos bërja deputetë do t’i kishte kursyer vendit këtë pasojë të rëndë. Rama e përdori Frrokun për një tjetër skandal, atë të atentatit ndaj dy deputetëve. Por për interesa të ngushta kriminale kryeministri Rama nuk ka lejuar drejtësinë të bëjë punën e saj. guximi i strukturave të policisë për të fshehur një kërkesë ndërkombëtare për të fshehur deputetin Frroku edhe pse provat ishin bërë publike që në 2014. Në këtë mënyrë Edi Rama është ekspozuar plotësisht se me krimin po i imponohet shoqërisë shqiptare. Në kërkesë sqarohet se vëllezërit Frroku kanë pasur tre prostituta në Belgjikë. Mirëpo të gjitha këto nuk e fernuan Ramën që ta mbështeste Mark Frrokun të bëhej deputet. Tashmë është në dorë të drejtësisë që t’i lidhin duart Edi Ramës dhe detyrë e Kuvendit që t’i hapë rrugë këtij arrestimi.” tha Ristani 
Ora 11:03 Berisha: Kjo vetëm sa ju mbështjes më shumë me krimin
“A ka fyerje më të rëndë për publikun se sa në një akt të tillë, mblidhet Kuvendi dhe më të gjithë fuqinë e tij vendos për arrestimin e një deputeti, dhe përfaqësuesi i mazhorancës nuk guxon të shqipërojë asnjë nga frazat për të cilat prokuroria kërkon arrestimin e tij, por u flet shqiptarëve me një gjuhë të cilën i inferiorizon ata në një shkallë ekstreme. Nuk mund të flitet kështu në parlament, por të paktën të citohen frazat kryesore të prokurorit për një deputet që sipas Gjykatës së Apelit në Belgjikë vrasje në një stacion treni. Nuk flitet në këtë mënyrë se vetëm sa ju mbështjes më shumë me krimin.” tha Berisha
Meta: Duke falënderuar Berishën për plotësimin e fjalës së Subashit, fjalën e ka Ristani
Ora 10:57 Armando Subashi lexon raportin e Këshillit të Mandateve: Maxhoranca pro arrestimit
Faleminderit kryetar! Këshilli për Mandatet në cilësinë e organit përgjegjës morri në shqyrtim kërkesën e ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme për autorizimin e arrestimit të deputetit Mark Frroku. Shqyrtimi i bë mbi bazën e rregullore së Kuvendit. Diskutimi dhe mbledhja e këtij Këshilli u bë në praninë e përfaqësuesëve të prokurorisë, avokatëve dhe deputetit. Do të thoja që mbasi ne dëgjuam palët dhe diskutimin që u bë, të gjithë deputetët u shprehën në parim dakort për t’i dhënë rrugë kërkesës së prokurorisë, aty kishte dhe pretendime të ndryshme nga deputetët e opozitës. Në dy rastet e fundit, ka disa probleme të diskutueshme jo vetëm nga pikëpamja e rregullores së Kuvendit.
Ndërhyn Sali Berisha…
Subashi: Shqiptarët e kanë të qartë se cila është kërkesa, shumë faleminderit që mendon për mua. Unë e thashë që raportin e keni mbi tavolinë. E rëndësishme është ajo që mendon Këshilli për Legjislacionin. Përfundishmt në emër të Këshillit, por sidomos në emër të deputetëve të mazhorancës ne jemi dakort për të hapur rrugën arrestimit apo ndalimin e deputetit. 
Ora 10:44 Frroku para deputetëve: Jam betuar si malësor i vërtetë
“I nderuar zoti kryetar, pas një jave ndodhi sërish në këtë vend, për një akuzë tjetër nga prokurori. Nëse në rastin e parë pashë të arsyeshme të flas nga karrikja, tani jam në këtë foltore të shenjtë për të sqaruar opinionin publik., unë jam betuar jo vetëm si deputetë por edhe si malsor, me rregullat e caktuara dhe jo si këto malsorët e sot. Unë nuk kam vrarë apo shtyrë njeri për të vrarë apo kanosur njeri. Nuk ka asnjë vendim të formës së prerë nga asnjë gjykatë belge apo ndonjë vend të botës. Kam respektuar kushtetutën e Shqipërisë si qytetar si sipërmarrës si politikanë dhe si deputetë në këto 18 muaj, sot jam gati t’ju shpjegoj para zgjedhësve e shqiptarë të gjitha akuzat që bëhen ndaj meje, do të zgjatëm paksa por kini durim. Është e vërtetë që në 98 kam emigruar drejt Belgjikës, dhe atje kam siguruar azil politik. E vetmja mënyrë për të siguruar dokument në BE ishte të paraqiteshe si kosovar.
Pasi kam qëndruar për rreth 4-5 muaj atje mua më është refuzuar qëndrimi atje dhe kam lënë Belgjikën dhe jam kthyer në vendin tim. Pas kësaj unë për herë të parë emrin Aleksandër Kurtit ja kam dëgjuar pas pak kësaj ngjarjes që ndodhi, dua ti përcjell ngushëllimet familjes Kurti bashkohem me dhimbjen e tyre dhe dua ti garantoj që nuk jam asnjë lidhje me këtë çështje. Trupi i pajetë i tij u gjet nga policia belge më 5 mars 1999, unë kam deklaruar se nuk kam qenë në Belgjike në këtë kohë, dhe deri në 2004 unë nuk kam shkelur kurrë në atë vend,. Këtë gjë unë dhe avokatja ja kemi bërë të qartë organeve belge.
Në mars 2013 familja ime në prani të 24 burrave dhe dy klerikëve u ka bërë be familjes Kurti. Është një ndryshim shumë i madh dhe ftoj median ta përcaktojë mirë këtë çështje sepse bërja be me 24 burra dhe falja e gjakut kanë një ndryshim shumë të madh. Familja Frroku i ka dalë borxhit me moral familjes Kurti. Unë kam pamje filmike dhe firmat e këtyre 24 burrave që kanë firmosur në këtë be që ne i dalim borxh burrave të kësaj familjeje. Edhe atëherë edhe sot unë nuk i jam shmangur në asnjë moment drejtësisë. Për 16 vjet drejtësia belge nuk ka gjetur asnjë provë që të më fajësojë mua. Avokatja ime e ka provuar para drejtësisë belge se unë nuk ndodhesha në atë kohë në territorin belge
Këtu në Shqipëri fatkeqësisht pa bërë asgjë politika të bën kriminel, tutor, gjithçka.
Në 2004 autoritet belge më kanë thirrur si i dyshuar dhe unë për 2 muaj kam qenë i ndaluar aty, dhe pas dy muajsh jam liruar pa asnjë kusht nga gjykata belge. Në vitin 2010 jam dënuar 10 vjet në mungesë dhe gjykata e lartë më shpalli të pafajshëm duke e rikthyer çështjen.
Unë sot jam kryetar legjitim i partisë Kristian Demokratike. Shumëkush ja dedikon suksesin kësaj partie Mark Frrokut dhe pasurisë që ka mbledhur familja Frroku në biznes. Unë i kam neveritur këto gjëra, shkodranët dhe Malësia e madhe kanë votuar Mark Frrokun jo se ka pasur para, sepse këtu ka edhe më të pasur sesa unë dhe ata që ishin kandidatë atje ishin të pasur se ishin në pushtet për 8 vjet, kjo nuk ka të bëjë me pasurinë.
Ata njerëz që shpifin dhe bëjnë politikë me akuzat ndaj meje dhe hallet e mia nuk dinë gjë tjetër vetëm se të shpifin dhe të përbaltin figurën time dhe të familjes sime.
Kam hyrë në zgjedhjet e 23 qershorit duke përmbushur të gjitha kushtet. Nuk jam futur në këtë parlament nga dritarja por jam futur nga dera, dhe 1 milionë vota ishin përgjigjja më e mirë për qeverinë e kaluar. Kush kërkon të kriminalizojë këto vota e ka shumë gabim. Nuk ka bandë që blen votën e popullit që kërkon ndryshim. Humbësit duan të helmojnë edhe politikën duke kërkuar banditë në këtë parlament.
Nga kjo sallë shpesh herë gënjeshtra ka marrë fuqinë dhe e drejta arratinë. S’jam sot për të bërë gjyqin e askujt por për të mbrojtur veten time, dinjitetin tim. Unë kam reaguar kur u publikua lajmi për këtë çështje në mediat belge në tetor 2013. Kanë qenë artikuj me të njëjtin tekst skandaloz në Belgjikë, u duket ashiqare se ishte trafik i pastër mediatik. I kam identifikuar autorët e këtij sulmi të paskrupullt. E kam sqaruar edhe politikisht këtë histori, kush ka pasur vesh e ka kuptuar.
Unë nuk kam kërkuar mbrojtje as nga ministri Tahiri as kryeministri Edi Rama, as për çështjen e vëllait tim asnjëherë unë nuk kam qenë skllav i kryeministrit, unë jam skllav vetëm para zotit dhe askujt tjetër.
Të nderuar deputetë, nuk jam këtu t’iu kërkoj votën kundër kërkesës së Prokurorisë, por ju them mos ta fusni fare në rendin e ditës. Kjo çështje i takon drejtësisë dhe vetëm me drejtësinë shqiptare, apo gjykatën belge, aspo Strasburgun unë do ta zgjidh të drejtën time”.
Ora 10:00 Frroku mbërrin në Kuvend i shoqëruar me policë
Avokatet marrin leje per Frrokun. Prokuroria: Mund te shkoje ne seance
Aktualisht me vendin të Gjykatës së Lartë deputeti Mark Frroku është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërkohë që hetimet për çështjen “Doshi” vijojnë. Por nisja e hetimeve për një tjetër çështje që lidhet me një vrasje të kryer në Belgjikë në vitin 1999 për të cilën autoritetet belge bëjnë me faj deputetin Frroku, ka bërë që avokatët e tij të kërkojnë leje nga Prokuroria për pjesëmarrjen e tij në seancë.
Kështu avokatët e deputetit Frroku, Sajmir Visha dhe Genc Gjokutaj kanë paraqitur në prokurori një kërkesë për pjesëmarrjen e klientit të tyre sot në seancë plenare. Pas autorizimit të dhënë nga organi i akuzës, Frroku do të jetë sot në seancë plenare për të bërë mbrojtjen e tij përpara kolegëve që një javë më parë votuan për arrestimin e tij. 
Opozita do të marrë pjesë në votimin për Frrokun
Deputetët e opozitës do të jenë në sallën e parlamentit dhe do të votojnë pro kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për të arrestuar Mark Frrokun. Ky vendim është marrë në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të mbajtur mesditën e kësaj të mërkure, dhe mësohet për A1 Report nga burime brenda mbledhjes. 
“Doshi”, seanca e shkuar ku u vendos për arrestimin e Frrokut
Në seancën e shkuar parlamentare, opozita braktisi votimin për kërkesën e Prokurorisë që kërkoi autorizimin e Kuvendit për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku në lidhje me historinë e atentatit që Doshi pretendon se ishte planifikuar gjashtë muaj më parë për vrasjen e tij dhe të demokratit Mhill Fufi, me urdhër të kryeparlamentarit Meta. Mesila Doda ishte e vetmja që qëndroi në sallë dhe që dha votën e saj pro për arrestimin e deputetëve. – See more at: http://shqiptarja.com/home/1/vrasja-frroku-n–kuvend-jam–betuar-p-r-akuz-n-si-mal-sor-282754.html#sthash.e6YEUMD8.dpuf
Sigal